Kush tha që hallva qenka ëmbëlsirë turke?

Hallvë e thjeshtë

Gatimet me miell janë pjesë themelore e kuzhinës shqiptare, kuzhinë kjo tipike barbare, me thjeshtësi të madhe dhe lidhje të ngushtë me produkte sa më afër natyrës e pa përpunim të detajuar të llojit “gourmet”. Ndër këto gatime, e ndoshta edhe guri i themelit të kuzhinës sonë, është buka, aq sa edhe vetë vaktit apo të ngrënit i jepet emri i saj, pa interes madhor për çfarë tjetër është shtruar në sofër.

Mbrujtja e miellit, ardhja, pjekja e në fund thyerja dhe konsumimi i bukës, përbëjnë një proces që, në vetvete, duket se pasqyron ciklin e jetës: vullnetin e dikujt së jashtmi që vendos dhe kryen krijimin e njeriut (për ca Perëndia, për ca natyra), akti i krijimit të tij, lindja, rritja, pjekuria dhe ngjarjet e jetës të lidhura me këtë, dhe vdekja e pashmangshme. Ngjashmëria e fjalës “bukë” me foljen më moderne “bekoj” është gjithashtu e dukshme, dhe mendohet se e dyta mund të ketë evoluar prej së parës, në kuptimin e ceremonive pagane e më pas kishtare ku përfshihej thyerja e bukës si një lloj vulosjeje.

Në krahina të ndryshme të Shqipërisë, e mbi të gjitha në Shqipërinë e Mesme, ku traditat pagane autoktone të kombit janë ruajtur ndoshta më shumë se kudo, edhe pse shpeshherë në mënyrë të pandërgjegjshme, çka dëshmon edhe për faktin se kanë qenë pjesë e natyrshme e atyre njerëzve e jo të koklavitura prej mendimesh më moderne, tri janë “bukët” kryesore që u përgjigjen tri ngjarjeve kyçe në jetën e njeriut. Dy janë të lidhura me jetën njerëzore në dy ndodhitë kyçe të saj: lindja dhe vdekja. Tjetra është e lidhur me jetën e njeriut autokton arian në një kontinent që ka qenë kahera i mbështjellë nga acari në pjesën më të madhe të vitit, duke çuar kështu natyrshëm në kultin dhe adhurimin e diellit të mezipritur.

Buka e parë është bukëvalja. Në anët tona, ajo bëhet për të shënjuar (bekuar) lindjen e një foshnje. Zakonisht, brumi i saj zihet me miell misri, sheqer dhe ujë ose qumësht. Më pas, bukëvalja shkërmoqet dhe ndahet jo vetëm mes familjarëve, por edhe anëtareve të fisit që mund të jetojnë pranë, si edhe fqinjëve. Në këtë mënyrë, të gjithë janë të njoftuar se një jetë e re ka mbërritur mes tyre dhe të gjithë japin bekimet e veta për fëmijën. Kjo bëhet edhe pse, tradicionalisht, vetë fëmija nuk do t’u paraqitet njerëzve deri të paktën pas dyzet ditësh nga lindja, gjë që ngjan dhe interpretohet prej disave si besëtytni, por me shumë gjasa e ka zanafillën në domosdoshmërinë e mbrojtjes së fëmijës së brishtë nga sëmundje a infeksione të ndryshme në ato ditë të para të jetës së tij, derisa të jetë mësuar e kalitur me mjedisin jashtë barkut të nënës.

Bukëvalë
Buka e dytë është ballokumja, buka e ëmbël e Ditës së Verës, e festuar në Shqipëri më 14 mars tashmë. Ajo zihet sërish me miell misri, gjalpë, sheqer e vezë, duke e kaluar kështu edhe më shumë në zonën e ëmbëlsirës. Ballokumja punohet në enë bakri, kjo jo vetëm sepse ndihmon në ardhjen më të mirë të vezëve, por sepse bakri është dezinfektues i përkryer. (Në kohët e lashta, ai përdorej për pastrimin e ujit të pijshëm duke e lënë të fironte gjatë natës në enë të tilla.) Ballokumja sot shitet por, dikur, me siguri u jepej si dhuratë bashkë më vezë e të mira të tjera fëmijëve të vegjël që trokisnin derë më derë për të njoftuar ardhjen e verës, kthimin e gjallërimit pas dimrit të egër evropian, përtëritjen e jetës sipas rrotullës së vitit.


Buka e tretë është pikërisht hallva, ëmbëlsira e përgatitur për vaktin që ndahet mes miqsh e të afërmish pas varrimit të një njeriu të dashur. Hallva përgatitet me miell të zakonshëm ose ermik të skuqur në gjalpë, sheqer, arra a fruta të tjera të thata, dhe ujë a qumësht, sipas dëshirës. Njësoj si bukëvalja në lindje, edhe ajo është detyrim për t’u ngrënë sado pak prej vajtuesve e pjesëmarrësve në varrim për të nderuar kështu jetën dhe kujtimin e të ndjerit.

Hallva sot mendohet prej të shumtëve si ëmbëlsirë me prejardhje turke apo arabe, a thua se është bakllava a diçka e ngjashme me bollëk sherbeti. Në fakt, po të bëhen paksa kërkime zbulohet shpejt se hallva gjendet në shumë kultura kaukaziane, ballkanase, sllave, të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore (sigurisht, duke marrë parasysh afërsinë gjeografike me zonat e mësipërme), si dhe iraniane dhe indiane. Hallva ose versione të hershme të saj përmenden në shkrim në materiale indiane të paktën që prej shekullit të dymbëdhjetë pas Krishtit. Sigurisht, përhapja e kalifateve arabe pas shpikjes së islamit nga Muhamedi dhe vdekjes së tij preku edhe Indinë, dhe shkëmbimet kulturore – dhe gastronomike – kanë qenë të pashmangshme. Por materiali ku hallva përmendet si pjesë e kulturës indiane, i titulluar “Mānasollāsa”, është sanskrit dhe i përbërë në tërësinë e tij nga dije hinduiste/indiane autoktone. Hallva nuk ka pse bën përjashtim. Nga ana tjetër, shumë shekuj para se kalifati të mbërrinte Indinë, atë e mbërriti Aleksandri i Madh me paganët e tij maqedonas, ilirë, etj. Shkëmbime kulturore që mund të kenë përfshirë hallvën (me ndonjë emërtim tjetër) mund të kenë ndodhur që atëherë. Në “Mānasollāsa” në fakt, ajo shënohet si “shali-anna” dhe përgatitet me miell ermik dhe përbërësit e tjerë të përmendur më lart.

Hallva është pjesë e vaktit të ceremonive mortore edhe në atë komb që përben një bastion arian, edhe pse sot të hutuar ca, në Lindjen e Mesme e që shërben si urë e përkryer mes dy anëve të kësaj race në lindje dhe perëndim të Eurazisë: Irani, ose Persia e dikurshme. Me gjithë islamizimin e detyruar të tij së pari nga kalifatet e më pas edhe nga mësymjet anadollake, Irani ka të ruajtura në simbole të stërdetajuara shumë tradita të përshpirtjes origjinale pagane ariane; sufizmi i tyre është si-vëllai i bektashizmit tonë në këtë kuptim. Edhe Persia, siç e dini, ka qenë në mënyrë të pandërprerë në kontakt me Ballkanin (dikur të quajtur drejt Iliri), por edhe me popuj edhe më veriorë, ku alanët persë qenë edhe aleatë të gotëve kundër zgjedhës romake-bizantine në shekujt pas Krishtit e para konvertimit të Evropës barbare në krishterim.

Turkmenët u dyndën vrullshëm në këto zona që përbënin treva të qytetërimeve e fiseve pakrahasimisht më të vjetra se ta dhe, pa diskutim, patën shumë për të mësuar, dhe vjedhur, imituar e emërtuar në gjuhë të vet nga traditat tona e të si-vëllezërve tanë, duke nisur pikë së pari nga Persia e lashtë. Unë e kam të vështirë të besoj se ishin ata që na e prunë këtë traditë ne që jemi kulturë më bazë bukën e ëmbël jo vetëm në këtë ngjarje të jetës por në thuajse gjithçka të saj (buka me sheqer për nusen e re, petullat e ëmbla për dhëndrin, etj. etj.). Do të ishte njësoj sikur të besoja se Arabia e Ishmaelit dhe jo Troja e Hektorit është toka ku zbuteshin kuajt, meqë sot kuajve më të mirë u referohemi si kuajt e racës arabe, kur këta janë shtesë shumë e vonshme në kulturën e tyre dhe pasojë e udhëtimeve në toka ariane. Hektori është “zbutësi i kuajve”, siç e quan Homeri shekuj para Krishtit e para kalifateve po ashtu; Ishmaeli është “ndërmjet njerëzve si një gomar i egër”, siç e quan Bibla (Zanafilla 16:12).

Ashtu si bukëvalja në lindje mbruhet me miell “të gjallë”, të papërvojë dhe feston nisjen e një jete të re, ashtu hallva gatitet me miell “të vdekur”, të djegur njësoj siç digjeshin trupat e të parëve tanë kur vdisnin. Djegia e miellit në gjalpë (ose vaj, në pamundësi të tij) është pikërisht kujtesë dhe paralelizëm i atij akti mortor që më pas u ndalua me hyrjen në skenë të kishës dhe vënien në karantinë, ose fshehjes mes rreshtave, të traditave tona autoktone. Është njësoj si me rakinë që bekon hapat e nuses së re jashtë shtëpisë së prindërve e drejt asaj të dhëndrit. Ato hapa dikur me siguri bekoheshin me ujë burimesh të shenjtëruara, ndërsa rakia në Evropë u fut pikërisht nga kisha si pjesë e luftës së saj ndaj “besëtytnive djallëzore” që rrallë mori mundimin t’i vëzhgonte e kuptonte.

Në lindje, njeriu na përket të gjithëve dhe të gjithë jemi të thirrur të festojmë e ta bekojmë. Ngrënia e bukëvales simbolizon përvetësimin e pranisë së tij/saj nga gjithë njerëzia që e rrethon dhe e ka të vetin dhe kontributin e detyrueshëm të secilit në rritjen e tij/saj. Në vdekje, njeriu prapë na përket të gjithëve dhe të gjithë jemi të thirrur të vajtojmë e ta bekojmë. Ngrënia e hallvës simbolizon përvetësimin e kujtimit të tij/saj nga gjithë njerëzit që e rrethojnë dhe e kanë të vetin dhe vazhdimin e detyrueshëm trashëgimisë së tij/saj prej gjithsecilit. Të dyja “bukët” janë të ëmbla, si ogur i mirë për jetën, si kujtesë se ne zgjedhim ta festojmë njeriun, e ndoshta edhe si një profeci se vdekja nuk është fundi e se prapë do të shihemi, në të ëmblin amshim.

Kështu, nga bukëvalja në lindje, te ballokumja në përtëritje vit pas viti, e deri të hallva në mbyllje të jetës, individi nuk është një atom a ishull i vetmuar, i shkëputur, por njësi e pandashme e gjakut dhe fisit të vet, siç i ka hije një ariani, një iliri, një pellazgu që nuk hutohet nga emra të turqizuar, por “trashigim, që na la i Pari, trashigim ia len ai fmis.”.

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.