"Natë çame" - poezi nga Bilal Xhaferri
Ndali çapin kopeja e ulqve Në errësirën e thinjur me flokë bore. Ndali çapin pranë staneve të heshtura Kopeja e egër e pyjeve çame. S’dëgjohen të lehura, s’dëgjohen blegërima, Nuk duken më zjarret ku dremitin çobenët. Vetëm deti rreh bregdetin me dallgë pa pushuar, Vetëm hëna porsi dele e ndarë nga kopeja Nëpër shtigjet e reve baret e vetmuar. Ndali çapin kopeja e ulqve Dhe përgjon e uritur në errësirën thinjoshe. Ku ini ju çobenë me gunat e bardha? Ku i kini delet që blegërinin kullotave? Ku i kini qiprat, ku këmborët si këmbana? Ku i kini qent e staneve, që ulurinin si luanë? Murrot, balot, gudot – armiqtë tanë të vjetër? Ku janë që t’u tregojmë me çatallet e hekurt Sesi në shesh të luftës luftohet për jetën? Hesht në errësirë Çamëria shkretëtirë, vetëm dallga rreh parreshtur shkëmbenjtë kryeulur Dhe jehona e saj e gjerë nëpër natën joniane Përzihet me ulurimën e ulqve të uritur. Bilal Xhaferri, 2 nëntor 1935 - 14 tetor 1986.