Buzmi, festa autoktone evropiane dhe totemi i dhisë mes shqiptarëve

"Ushqimi i Zeusit" - Nicolas Poussin, 1635-1637

Gëzuar Buzmin Bujar, miq! Kjo është festa që e dallon Shqipërinë dhe Evropën në mes gjithë botës, edhe pse mjerisht kaq e harruar.

 

Buzmi është edhe shpjeguesi pse totemi i dhisë është totemi i dytë kyç i Shqipërisë dhe gjithë Evropës, pas Shqiponjës. Gjarpri është i treti, pas dhisë në rëndësi. Shpjegimi gjendet më poshtë.

 

Buzmi shënon ditën më të shkurtër të vitit, kur dielli dhe dita kanë më pak orë se në çdo ditë tjetër të vitit. Vetë fjala të kujton fjalën angleze “bossom”, që do të thotë “kraharor”, por ka shpeshherë kuptimin thellësia e diçkaje, kulmi i errësirës. Gjatë kësaj dite, dielli, në njëfarë mënyrë, shkon në kraharor (bossom) të errësirës dhe duket sikur errësira fiton. Festa në vetvete shënon luftën e dritës kundër errësirës, çka është temë madhore evropiane, shënjuar dukshëm prej klimës së kallkantë të kontinentit të vjetër. Në latinisht, mes romakëve të lashtë, festa njihej me emrin “Sol Invictus” – Dielli i Pamposhtur – sepse menjëherë të nesërmen pas Buzmit, dita vjen vetëm duke u zgjatur e duke marrë gjithnjë e më shumë minuta ndaj errësirës.

 

Pikërisht në këtë ditë kur duket sikur errësira fitoi, drita nis të korrë fitoren e saj më të madhe. Simbolika e festës është e pamundur për t’u keqkuptuar apo për t’u hedhur tutje sikur të ishte thjesht besëtytni. Të parët tanë nuk kishin besëtytni, në zanafillë të mitit. Besëtytnitë nisën me mbingarkimin e njeriut me punë dhe dembelosjen frymore të tij, duke i harruar domethëniet e miteve dhe historive të të parëve e duke i kthyer në fetarizma. Ky është rrezik që, fatkeqësisht, haset edhe nga fetë e sotme monoteiste, madje edhe nga më e larta e feve, që është krishterimi: dembelizmi frymor dhe mbingarkesa e ditës rrezikon ta shtyjë edhe të krishterin në harresë të domethënies së vërtetë të besimit të tij dhe ta jetojë atë besim si një praktikë mondane.

 

Por ç’lidhje ka Buzmi me totemin e dhisë? Ka shumë lidhje, miq. Buzmi bie pikërisht më datë 21 dhjetor, kur është edhe solstici dimëror (duke shtyrë për më shumë dritë derisa arrijmë në solsticin pranveror më 20-21 mars, që është edhe Dita e Verës, edhe pse ne e festojmë më 14 mars). A e dini çfarë ndodh tjetër më 21 dhjetor, pra për solstic të dimrit? Yjësia e Bricjapit nis ciklin e saj me diellin. Bricjapi, nuk ka nevojë ta shpjegoj, është veç një fjalë tjetër për të thënë dhi.

 

Studimi i astronomisë, shenjave të qiellit, ka qenë me rëndësi madhore ndër shekuj për njerëzimin. Në fakt, ky studim i astronomisë u bëri të mundur dijetarëve të arrinin te foshnja Jezus për ta adhuruar kur lindi. Nuk është astrologji e horoskop, por njohje e universit, të cilin e ka krijuar Hyji Vetë.

 

Në këtë pikë, duhet të shpjegoj pse kam zgjedhur figurat e mëposhtme për të shoqëruar postimin. Sipas mitologjisë iliro-pellazge, foshnja Zeus u ushqye prej qumështit të dhisë Amalthea teksa zanat e ruanin që të mos e gjente ati i tij Kron/Saturn për ta gllabëruar siç kishte bërë me fëmijët e tjerë. Amalthea, për mendimin tim, nuk do të thotë gjë tjetër veçse “tamël dhie”, pra “qumësht dhie”, pavarësisht kuptimeve helene që u jepen shumë fjalëve të miteve tona sot. Në këtë mënyrë, Amalthea ishte dadoja e Zeusit, baresha vendase që e njihte tokën me pëllëmbë dhe e ushqeu foshnjën hyjnore për ta bërë të fuqishëm e për ta përgatitur për të triumfuar kundër tiranit Saturn në kohën e duhur. Besoj se është e pamundur të mos ju vijë ndërmend këtu edhe pjesa nga Eposi i Kreshnikëve kur Orët e Malit (Amaltheat/bareshat shqiptare) e ushqejnë Mujin me qumësht të dhive të malit, duke i dhënë kështu fuqi të mbinatyrshme. Muji është, ndër të tjera, kujtesë e Zeusit mes ilirëve të vonshëm të maleve tona.

 

Pamja tjetër është Thori në luftë gjatë Ragnarokut – fundi i botës, sipas mitologjisë skandinave. Thori është i barasvlershmi i Zeusit në mitologjinë e popujve të ekstremit verior të Evropës: hyji i vetëtimave, zjarrit dhe stuhisë, biri i kryezotit Odin, siç Zeusi ishte pasardhësi i denjë i Vranit (Uranit). Thori kishte një karrocë të tërhequr prej dy dhish, të cilat gjithashtu luanin funksion kyç për fuqizimin e Thorit deri në nivele të mbinatyrshme. Çdo darkë, Thori i therte dhitë e tij, u hante mishin, por kockat ua ruante gjithmonë të pathyera. Ato kocka i groposte dhe, në mëngjes, dhitë ringjalleshin siç kishin qenë mëngjesin e kaluar. Që këtej kemi edhe shprehjen “mishi tretet, kocka mbetet”, por kjo është për një herë tjetër.


Thor dhe karroca e tij me dhitë Tanngrisnir and Tanngnjóstr

Nuk është pa arsye apo pa simbolikë që Gjergj Kastrioti mbante përkrenaren me kokën e dhisë. Dhia ishte simbol i vijimësisë së prejardhjes prej Zeusit, i cili, në vetvete, nuk është gjë tjetër veçse kujtesë e atit Jafet, paraardhësit të arianëve/indoevropianëve dhe, më tej, kujtesë e prejardhjes prej Hyjit që na ka krijuar. Gjarpri është simbol i nënës, siç do ta shpjegoj herë tjetër. Por dhia dhe shqiponja janë simbole të vijimësisë nga ati.


Gjergj Kastrioti


Një pikë e fundit në mbyllje është se yjësia e Bricjapit, sipas astronomisë, ka Saturnin si planet dominues. Saturni, në mitet tona, është simbol i tiranit uzurpator të vendit dhe vrasës së mbretit të vërtetë. Vetë fjala Saturn është rrënja prej nga kemi fjalën për “e shtunë”, duke nënkuptuar kështu se Saturni simbolizon popuj të huaj për Evropën, popuj që adhuronin të shtunave, ndërkohë që Evropa ka adhuruare gjithmonë të dielave dhe vetë fjalën Deus/Dio (Hyj, Zot në latinisht) e ka prej fjalës e diel dhe anasjellas. Ndaj edhe në Romën e lashtë, menjëherë para Sol Invictus, festohej Saturnalia, një festë e ndyrë ku njerëzit kalonin në gjithfarë shthurjesh sensuale e grykëse sipas frymëzimit prej Saturnit dhe ideologjisë që të shtunës.

 

Por pastaj vinte Sol Invictus, Buzmi apo Yule, siç e quajnë skandinavët, dhe këtë ditë kafsha që therej ishte pikërisht një (bri)cjap. Dielli kishte fituar mbi errësirën. Popujt vendas kishin fituar mbi uzurpatorin. Rregulli kishte fituar mbi kaosin, shpresa mbi tmerrin. E diela kishte fituar mbi të shtunën dhe do të fitojë gjithmonë, siç na kujton edhe përsëritja besnike e Buzmit Bujar çdo vit.

 

Në njëfarë mënyrë, jo më kot edhe foshnja Krisht lindi në një grazhd me kafshë, ku duhet të ketë pasur patjetër edhe ndonjë dhi. E diela po i zinte vendin të shtunës, me shpëtim të përsosur prej hirit, jo ligjit.

 

Mos i hidhni tej traditat e të parëve, miq. Ato janë filli ynë i Arianës, që na kujton kush jemi dhe si të endemi të sigurt nëpër labirintet e kohëve ku jetojmë. Nuk ka besëtytni, për kë ka veshë për të dëgjuar e sy për të parë. Gëzuar Buzmin!

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.