"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit
Ilustrim nga Gazmend Leka për "Tregime të moçme shqiptare"
Ishin dy vasha, sa të bukura aq të mira. Duheshin si motra; s’ndaheshin kurrë: bashkë në valle, bashkë për ujë, bashkë për thana, kudo, Njëra kish një vëlla të hijshëm si veten, po më të gjatë, trim. Ky kish shkuar të luftonte në ushtrinë e Skënderbeut, ndiqte e dëbonte turqit që kishin shkelur truallin e Arbrit.
Ajo që kish vëllanë në ushtrinë e Skënderbeut i thosh shoqes: “Ti je e mirë si buka e ngrohtë. Unë s’të lë pa të marrë për tim vëlla; dua të të kem kunatë.”.
Vasha tjetër skuqej, ulte
kryet. Shoqja bënte buzën më gaz dhe i vinte të dy duart mbi sup, i thosh
prapë: “Kur shkoi për luftë më porositi të të them…” Dhe shu-shu-shu, diç i
thosh në vesh.
Ajo tjetra skuqej dhe më shumë, i vakeshin sytë e shkruar, po shoqja e sillte si e sillte fjalën dhe e bënte të qeshte. Dhe kur qeshte vasha, dukej sikur ishte gjithnjë pranverë, sikur vezullonte vesa nëpër lule.
Një ditë i thirri shoqja shoqes: “Vemi motërze, ne krua?”.
“Pritmë, motërze, se po vij: sa të marr bulirën, sa të lidh tërkuzën e ta bëj kurorë.”
Dolën të dyja me bulirat në dorë e shkuan në krua. Kroi i ftohtë ishte në pyll dushku të njomë. Brenda në atë pyll me dushk kish një lajthizë. Ishte vjeshtë. Pylli i tërë ish përskuqur.
I tha shoqja shoqes: “Gjersa të mbushen bulirat, a nuk ngjitesh pak në atë lajthizë të na mbledhësh ca? Se ti je e lehtë si ketri.”.
Vasha u ngjit në lajthizë e zuri të mbledhë. Mblidhte e i hidhte në përparëse.
“U mbushën bulirat moj motërze?”
“Jo, motërze, s’janë mbushur. Mblidh edhe cazë.”
Përnjëherësh, papritur, gjëmuan gjithë lugajat: ranë brirë e trumbeta, kumbuan këngë të forta burrërishte.
Ç’janë këto? A mos janë dalë gjahtorë maleve?
Jo, s’ishin gjahtorë malesh, po ishin ushtria e Kryezotit të Arbrit, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, që kthehej nga lufta. Ai me trimat e tij e kish mundur turqërinë, e kish vrarë e shuar dhe tani kthehej në bujë, fitimtar. Gjithë vendi kish dalë ta priste, t’i falej.
Vasha që kish hipur në lajthi vuri pëllëmbën mbi ballë dhe shikoi andej nga binin brirët e trumbetat, andej nga buçitnin këngët. Tërë vendi zbardhte nga veshjet e bardha të Arbërve e te Arbëresheve. Zemra i rrahu si një zog që përpjek krahët brenda në kuvli kur sheh shoqet që fluturojnë lirshëm në qiell. “A ka ardhur edhe ai?”, pyeti vasha veten.
Po ku është shoqëza-motërza!
“Ku je, moj motërze? U mbushen bulirat?” As një zë. Po lugajat kumbojnë atje poshtë. “Moj motërze…” Asnjë përgjigje, po s’di seç shushurin nëpër shkurre: ndofta era, ndofta ndonjë gjarpërushe, ndofta…
Vasha trembet. Zgjat këmbën e bardhëzë në një bilgë, pastaj në një tjetër, poshtë e më poshtë. Kur e zgjat në të fundit, gjendet në krahët e fortë të një trimi që e zë, e ngre lart, e shtrëngon në kraharor, e puth me mall. Vasha lëshon një zë të madh sa ushton tërë vendi. Vikamën e dëgjon i ati, që ndodhet në kuvendin e burrave, e dëgjon e ëma, që ndodhet në vallen e grave, e dëgjon vëllai, që ndodhet në lodrën e trimave për gazin e fitores së Skënderbeut. Të gjithë e dëgjojnë, por s‘lëkundin se andejmi.
Thonë: “Këtej s’ka turq, se turqit i shoi Skënderbeu ynë me ushtrinë e tij. Në e zuri gjarpri u shëroftë; në e zuri trimi, u trashëgoftë, sepse trimi e do për veten e tij.”
Djali e lëshon për dhe e shikon pranë saj atë trimin e ushtrisë së Skënderbeut, vëllanë e shoqes së zemrës. Është i gjatë si një lis kulmi, petkat i ka të nxira nga luftërat, fytyrën të përcëlluar nga dielli dhe era, po të gëzuar, të qeshur.
Dhe padashur, vashës i derdhën të gjitha lajthitë që kish mbledhur në përparëse… Shoqja e zemrës qesh e i thërret nga kroi i dushkut: “Eja Kunatëzë, se na u mbushen bulirat me ujë të ftohtë…” Dhe zbriten të tre: ato të dyja anës, me bulirat me ujë dhe linjëzat e bardha; ai në mes, me armët në krah.
Pastaj vashëza u martua me trimin e ushtrisë së Skënderbeut. U bë dasmë e madhe se u tund tërë jeta... Krushku i parë ishte vetë Zoti i Arbrit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që e donte shumë atë trimin e tij, sepse e kish luftëtar të fortë dhe e kish parë tek kish korrur përkrah tij trumbat e tërbuara të armikut.
Dhe trimi me vashën jetuan e trashëguan të rit e tyre dhe lindën shumë djem të fortë e vasha të bukura.
Comments
Post a Comment