"Kapedani" - ose burrëria sipas marksizmit.


“Ti, Xha Sulo, mos u mërzit. Ti e ke kryer detyrën tënde. Shko e rri rehat në shtëpinë tënde se je burrë plak e mund të ftohesh.” – partizanka nga ëndrra e Xha Sulos

 

Sugjerimi im i sotëm për film shqiptar: “Kapedani” (1972)

 

Ndër shumë filma shqiptarë të propagandës marksiste, ky është për mua më i ligu, ndjekur shumë afër prej filmash të tjerë si “Prefekti” për të cilin folëm dje, dhe një tjetër film për të cilin do të flasim nesër.

 

Gjithë fryma dhe synimi i filmit jepet i plotë në skenën hyrëse, kur Xha Sulo po sheh një ëndërr. Në të, kemi në mënyrë thuajse surrealiste përmbledhjen e pothuajse çdo lufte që ka pasur Shqipëria, me të gjithë pushtuesit e çdo flamuri të bërë bashkë në një ushtri të vetme. Nga ana tjetër e kështjellës, kemi Xha Sulon si përfaqësues të burrave shqiptarë që u kanë dalë ballë ndër shekuj pushtuesve, si edhe burra me rroba nga të gjitha trevat tona si simbolikë sërish e burrërisë shqiptare në tërësi.

 

Kjo skenë hapëse është, në njëfarë mënyre, versioni shqiptar e komik i skenës së zbarkimit në Normandi nga “Saving Private Ryan” e propagandistit tjetër, Steven Spielberg. Synimi për një skenë të tillë – në njërën qesharake dhe në tjetrën gjakatare – është i njëjtë: shikuesi të dërrmohet në fillim e t’i merren mendtë me skenën e parë, në mënyrë që gjithçka që vjen më pas të jetë më e lehtë për t’u përtypur. Pasi Spielberg bën kërdinë në skenën e zbarkimit, gjithë vrasjet dhe makabriteti vijues i filmit është hiçgjë për shikuesin. Pasi Fejzo e ka poshtëruar figurën e Kapedanit sa s’ka në skenën e parë, gjithë “aventurat” e tij tallëse më pas nuk kanë krahasim.

 

Xha Sulo, interpretuar shkëlqyeshëm prej Albert Vërrisë, simbolizon malësorin tipik tradicional të Labërisë. Duhet të kuptoni këtu se marksizmi shqiptar nuk ishte veç kundër Gegërisë dhe Kanunit të Lekës, siç mendojnë ndonjëherë ajo pjesë qaramane mes ne gegëve. Jo, marksizmi shqiptar poshtëroi njësoj edhe atë pjesë të jugut që dëshironte të rronte sipas traditës dhe Kanunit të zonës së vet. Filmi “Kapedani” bën pikërisht këtë, por, sipas parimit “dy zogj me një gur”, shkatërron edhe burrërinë e vërtetë si diçka tërësisht të padëshirueshme për sistemet marksiste.


Burri shqiptar siç ishte...

Gjatë gjithë filmit, shohim se si Xha Sulo e vë veten e tij në situata të sikletshme skicuar për ta turpëruar mendësinë e tij dhe për ta bërë atë të padëshirueshme për shikuesin, sidomos për ndonjë djalë a burrë të ri që gënjen mendjen se mund të ekzistojë më në marksizëm rendi natyror patriarkal. Xha Sulo na jepet vazhdimisht si një suvenirë i shëmtuar prej së shkuarës (i shëmtuar për marksizmin) dhe si diçka që e tolerojmë disi sepse ia presim vdekjen nga dita në ditë dhe sepse e dimë se nuk ka më asnjë fuqi për ta kthyer historinë mbrapsht. Po të kishte ndonjë shans që ai ta dëmtonte disi matriarkatin marksist me tutor mbi krye (Hoxha), Xha Sulo do të ishte asgjësuar pa asnjë mëshirë a respekt si plak. Por synimi i tolerimit të tij është që ta bëjmë qesharak dhe të turpërojmë përmes tij prirjen e natyrshme të djemve të rinj për të dëshiruar të jenë burra, si edhe për të yshtur edhe më shumë tërbimin femëror për “barazi” dhe për sundim të matriarkatit, i cili është edhe motori që e mban marksizmin në jetë. Në një botë ku burri është burrë dhe gruaja grua, marksizmi vdes. Ndaj kemi këtu personazhin e vajzës së “emancipuar” të Xha Sulos që nuk flet me atin e saj sepse nuk denjoi ta nderonte atë me vendimin që bëri për martesën. Kemi edhe gruan e Xha Sulos e cila na paraqitet si një engjëll që i ka rënë për pjesë t’i zërë rrota bishtin me këtë burrë “shpellar”. Kemi edhe figurën e birit të tij (Robert Ndrenika) i cili tashmë është një grua nikoqire roli i të cilit në shtëpi nuk ka asnjë ndryshim prej rolit të bashkëshortes së tij.

 

Me një dinakëri dhe zgjuarsi të stërmadhe, filmi e vë vazhdimisht Xha Sulon – burri alfa – në shoqëri të Xha Beqos – burri tipik beta. Detyrohemi të shohim se si Xha Beqo është shumë i aftë e tej mase i lumtur të shohë përparimin e rendit shoqëror dhe rrënimin e botës që kishim para 1945. E gjithë kjo ndërkohë që Xha Sulo ndjen pështirosje për të tashmen dhe ka mall për kohën kur rendi natyror sundonte ende. Jemi, fundja, në një film që është shkruar për të hyjnizuar “Njeriun e Ri” që marksizmi synon të ndërtojë. Ky “njeri i ri” nuk ka dallim mes mashkullit dhe femrës, sepse çfarë synon marksizmi janë krahë pune pa fytyrë e pa ndikim të gjenitaleve në jetën sociale. Gjenitalet, në marksizëm, kanë rëndësi vetëm sa i përket shtimit të kolonisë së milingonave, edhe kjo sipas urdhrave apo ndalesave prej mbretëreshës me tutor (jemi në matriarkat).


...burri shqiptar siç e deshi marksizmi e siç vijon të jetë shpesh ende sot.

Por, që të arrish tek ky “Njeri i Ri” pa fytyrë e pa gjini duhet së pari të fshish burrin prej ekuacionit. Mund të mbetet mashkulli, për mbarështim, por jo burri, dhe ka shumë ndryshim mes këtyre dy fjalëve. Burri alfa, me shtatin e drejtë, kredhur në traditë, Kanun e trimëri, si Xha Sulo, nuk ka vend në shoqërinë matriarkale marksiste. “Njeriu i Ri” i versionit mashkullor që synon marksizmi është Xha Beqo: një masë e patrajtë rrumbullake, me syze, i kërrusur, i bindur, i qeshur gjithë kohës sepse nuk mendon, duartrokitës i “emancipimit” të gruas dhe fitores së matriarkatit, një mashkull beta i cili mundet gjithsesi të mbarështojë shoqërinë me gatishmëri nëse është nevoja shtetërore, por jo qejfi personal.

 

Ky film u bë në Shqipëri në 1972. Në perëndim është në funksion më se haptas sot.


Ideali i "burrit" nën marksizmin/matriarkatin perëndimor sot.

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.