Ullinj të përgatitur në shtëpi


 

Receta që përdor unë për përgatitjen e ullinjve në shtëpi

👇👇🍸

- Nëse keni ullinj kokërrvegjël, shtypen me gur ose çekiç kuzhine që të çahen. Nëse bërthama shkëputet, hidheni tej.

- Nëse keni ullinj kokërrmëdhenj e të fortë si këto që kam përdorur unë, bëjuni tri prerje me thikë, por pa e dëmtuar ullirin që t'i shkëputen pjesë nga tuli.

- Nëse keni ullinj kokërrmëdhenj por të butë (ullinj të zinj, të pjekur shumë), veç shpojini në dy-tri vende me pirun.

Pas kësaj, hapi i radhës është njësoj për të tri llojet e ullirit. Ullinjtë i vendosim në një enë të bollshme dhe i mbulojmë me ujë në temperaturë mjedisi. Çdo 24 orë, ua ndërrojmë ujin, gjë kjo që do të vijojë për diku te 7-10 ditë, në varësi të hidhësisë së ullirit. Kjo është faza prej nga kemi edhe shprehjen "hoqi të zinjtë e ullirit" 🙂

Pas diku te 5 ditë, provojmë një kokërr për të parë a është ende e hidhur. Nëse po, vijojmë me lënien në ujë që ndërrohet çdo 24 orë. Ullinjtë i provojmë çdo ditë paskëtaj. Nuk do të humbni më shumë se 5 kokrra 😅

Pasi ta kenë humbur gjithë hidhësinë, ua derdhim ujin dhe nisim përgatitjen e shëllirës në cilën i vëmë. Për shëllirën, një masë e mirë është 1 lugë gjelle kripë për 1 gotë ujë. Kripa sigurisht duhet të jetë kripë e ashpër deti, jo e jodizuar, ndryshe ullinjtë prishen (njësoj si çdo turshi). Përgatisni aq shëllirë sa ju duhet për të mbuluar sasinë e ullinjve që keni.

Ujin dhe kripën i ziejmë bashkë derisa kripa të tretet plotësisht dhe uji të vlojë. Më pas, këtë shëllirë e lëmë të ftohet deri në temperaturë mjedisi.

Pastaj, ullinjtë i vendosim në kavanozë qelqi, sepse ruhen më mirë ashtu. Vendosim me to thelpinj hudhrash, gjethe dafine, fara finoku, speca djegës, a çfarëdo bimësh aromatike që na pëlqejnë. Por këto të trija janë shumë të mira, për mendimin tim.

U shtojmë sipër shëllirë derisa të mbulohen prej saj. I mbyllim mirë kavanozët dhe i vendosim në një vend të errët e të freskët (raft buke që kemi në shtëpi). Duhet të jenë gati për rreth 10 ditë.

(Për ata që kanë mundësi dhe parapëlqejnë një mënyrë tjetër, shëllirën mund ta zëvendësojmë me vaj ulliri për shije ekstravagante 🙂 .)

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.