Tribut për brinjët e lumtura

"Krijimi i Evës" - Raphael Coxie (1540 – 1616)


Kohët e fundit kam qenë duke ndjekur përmes internetit një program interesant që titullohet “Botched”. Bëhet fjalë për një program prej shtatë a tetë sezonesh me fokus operacionet plastike të shkuara shumë keq (fjala “botched” në anglisht do të thotë pikërisht një pacient i operacionit plastik që është shpërfytyruar në ndonjë farë mënyre nga një kirurg plastik që ka punuar shumë keq). 
Një ndër operacionet më të shpeshta të kirurgjisë plastike është operacioni i hundës, në konkurrencë me atë të gjoksit. Gjithashtu, operacioni i hundës është më i lehti për t’u katranosur prej kirurgëve, duke qenë se hunda është pjesa më e vështirë e trupit për ndërhyrje estetike. Struktura e saj është shumë e ndërlikuar, çka vështirësohet edhe më shumë nga moria e detajeve të ngjeshura në një organ aq të vogël, që për më tepër është ndoshta pjesa e fytyrës që bie në sy në mënyrë më të drejtpërdrejtë e më të menjëhershme se çdo pjesë tjetër. Aspak trysni, doktor!

Teksa kirurgu operon mbi pacientët në programin e mësipërm, më bëri përshtypje diçka specifike e operacionit në fjalë: kirurgu ka vazhdimisht nevojë të marrë një pjesëz nga brinja e pacientit për të ndrequr hundën. Ndonjëherë mjafton të marrë kërc nga veshi, por, sa më i rëndë shpërfytyrimi, aq më e nevojshme është pjesa nga brinja. Që këtu nisi kureshtja ime për veçantitë e brinjës si pjesë anatomike, duke më shtyrë të pyes veten se çfarë arsye mund të ketë pasur Hyji që zgjodhi pikërisht brinjën e burrit (Adamit) për të krijuar prej saj gruan (Evën). 


“Atëherë Zoti Perëndi e futi në një gjumë të thellë njeriun, të cilin e zuri gjumi; dhe mori një nga brinjët e tij dhe e mbylli mishin në atë vend. Pastaj Zoti Perëndi me brinjën që i kishte hequr njeriut formoi një grua dhe e çoi te njeriu.” – Zanafilla 2:21-22 


Para se të vijoj më tej, dua të adresoj faktin linguistik se, mesa duket, fjala e saktë në hebraisht/aramaisht për pjesën anatomike që Hyji mori prej burrit për të krijuar gruan përkthehet më saktë “anë” se “brinjë”, dhe se e njëjta fjalë hebraike/aramaike e përdorur në pasazhin e krijimit të Evës është përkthyer “brinjë” veç një herë në Bibël. Së pari, dallojmë pra se “brinjë” është një përkthim i mundshëm i fjalës, çka hedh poshtë idenë se nuk mund të mendojmë se bëhej fjalë për brinjë konkrete. Së dyti, pa hyrë në detajet e evoluimit të gjuhës ndër mijëvjeçarë dhe ndryshimeve/interpretimeve kontekstuale të Shkrimeve, fjala “anë” është fjalë abstrakte dhe nuk mund t’i referohet një pjese konkrete të trupit, dhe Hyji nuk është abstrakt. Në rastin më të mirë, “anë” mund t’i referohet ijëve ose belit të njeriut, çka do ta bënte të pamundur marrjen e një pjese të burrit që aty, sepse trupi i tij do të mbetej dukshëm i gjymtuar dhe i paaftësuar për funksionim të përkryer. Adami ishte i përkryer edhe pas krijimit të Evës, ndaj trupi i tij nuk mund të ketë qenë i shpërfytyruar asisoj. Adami nuk ishte “botched”, sepse Hyji nuk është kirurg i paaftë a i pakujdesshëm. 

Një vërejtje tjetër sërish me bazë gjuhësore ishte se nuk mund të bëhej fjalë për brinjë, sepse brinja është kockë dhe, për pasojë, Adami nuk do të mund të thoshte më pas për Evën “kockë prej kockës sime dhe mish prej mishit tim”. Brinja si kockë do të përjashtonte pjesën e mishit. Por kjo nuk qëndron, sepse brinja është kockë vetëm nëse e gërryen prej përmbajtjeve të tjera të saj. “Ana”, nga ana tjetër, do të përjashtonte plotësisht pjesën e kockës në poezinë e Adamit ndaj Evës, sepse nuk ka kockë në “anë” (ije, bel), veç tul e organe të brendshme. Kocka e vetme në “anë” do të ishte shumë thellë në atë pjesë të anatomisë së Adamit, duke iu dashur Hyjit të merrte prej shtyllës kurrizore, çka do ta gjymtonte plotësisht Adamin duke e paralizuar e duke ndikuar tmerrësisht në aftësinë e tij riprodhuese (paraliza shpeshherë sjell edhe shterpësi). Kjo do të binte haptas në kundërshtim me urdhrin vijues të Hyjit për njeriun: të shtohej e të ishte i frytshëm. Hyji nuk kundërshton Vetveten dhe nuk jep urdhra të pamundura për njeriun që Ai Vetë do ta kishte gjymtuar.

Por brinja nuk bart këto lloj problemesh dhe sigurisht nuk përmban veç kockë! Kur hamë brinjë të shijshme të pjekura, kocka është gjëja e fundit që mbetet, e veshur më mish e gjithçka tjetër. Kjo “gjithçka tjetër” është edhe çfarë unë mendoj se përbën arsyen pse Hyji zgjodhi pikërisht këtë pjesë të trupit për krijimin e qenies së dytë njerëzore.

Brinja përmban në sasi të ndryshme të gjitha llojet e indeve që gjenden në trupin e njeriut: ind kockor (sigurisht!), ind muskulor, ind nervor, ind lidhor, ind kërcor, si edhe enë gjaku. Afërsia e madhe me lëkurën që mbulon trupin mundëson edhe praninë e qelizave të lëkurës, nëse Hyji do të donte të merrte edhe një pjesë lëkurë. Brinja ka edhe qeliza staminale, pjesë përbërëse e palcës që gjendet në brendësi të kockës së saj, që janë të të njëjtit lloj me qelizat staminale aq të rëndësishme të palcës së shtyllës kurrizore. Gjithë kjo e bën brinjën një “parajsë” mjekësore prej së cilës mund të arrihen shumë gjëra. Hyji e dinte mirë këtë, duke qenë se ishte Krijuesi i burrit, ndaj edhe zgjedhja e kësaj pjesë për t’i dhuruar Evën Adamit.

Mrekullitë e brinjës nuk përfundojnë këtu ama. Studimet mjekësore tregojnë se brinja është organ i rigjenerueshëm, që do të thotë së – nëse pritet siç duhet prej një kirurgu të aftë – mund të rigjenerohet e të arrijë në nivelin ku ishte më parë. Ky zbulim ishte më mbresëlënësi për mua teksa kërkoja burime për këtë artikull. Aftësia rigjeneruese/vetëshëruese e brinjës lidhet me praninë e një lloj indi lidhor – perikondriumi – i cili vesh indin kërcor përveç atij që gjendet në nyejt e trupit (brinja nuk është nyjë). Perikondriumi ka aftësinë të nxisë prodhimin e kërcit edhe nëse e shkëpusin prej kockës/muskulit; por, nëse ai hiqet, brinja nuk mund të rigjenerohet. Pra, nëse kirurgu nuk merr siç duhet prej brinjës, pa e dëmtuar perikondriumin, rigjenerimi nuk mund të ndodhë. Nëse perikondriumi dëmtohet, kërci që do të zhvillohej prej tij prishet dhe pjesa e jashtme e trupit merr një pamje si të fryrë, të ngjashme me hematomat në veshët e boksierëve për shkak të goditjeve të herëpashershme që marrin në vesh (kërc).

Hyji absolutisht i dinte gjithë këto dhe zgjedhja e brinjës prej Tij vërteton natyrën e Tij të dashur: Adamit nuk do t’i mungonte asgjë në trup pas krijimit të Evës. Sado që të ketë marrë prej brinjës së tij (mjafton fare pak, qoftë edhe vetëm kërc), ajo pjesë do të shërohej shumë shpejt dhe ai nuk do të ndiente dhimbje apo mangësi. (Duke marrë parasysh që krijimi i Evës ishte para rënies së njeriut, Adami nuk mund të ketë ndjerë dhimbje, sepse nuk ka dhimbje në përsosmëri.)

Kjo, gjithashtu, përforcon edhe më shumë faktin se gruaja u krijua si dhuratë për burrin, jo si domosdoshmëri. Adami ishte i plotë para krijimit të Evës, por Eva nuk mund të jetë e plotë pa të, sepse është krijuar ekskluzivisht në funksion të burrit. Ashtu si kisha është dhuratë/nuse e Krishtit prej Atit, ashtu është edhe gruaja për burrin. Ashtu si Krishti është i plotë pa kishën, ashtu është edhe burri pa gruan. Ashtu si kisha nuk mund të ekzistojë pa Krishtin, ashtu edhe gruaja nuk mund të ekzistojë pa burrin. Ashtu si një “kishë” mund të vijojë me praktikat e saj “kishtare” kur Krishti nuk gjendet në të, ashtu edhe gruaja moderne mund të vijojë të jetojë si e pavarur pa ombrellën e burrit mbi të. Ashti si “kisha” që nuk begenis autoritetin e Krishtit çon veten në rrënim, ashtu edhe gruaja që refuzon autoritetin e burrit do të zgjohet një ditë 50 vjeç për të kuptuar se i ka vjedhur vetes qëllimin e vërtetë pse u krijua: të jetë ndihmë që i leverdis burrit dhe të shumëfishohet me të sipas urdhrit të pandryshueshëm të Hyjit.

Do ta mbyll këtë artikull me një pikë të fundit, edhe pse ka kaq shumë detaje sa ndoshta do t’i kthehem sërish në të ardhmen për shtesa. Burri u krijua sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Gruaja është krijuar sipas shëmbëlltyrës së burrit. Kur krijoi burrin, Hyji pa nga Vetja. Kur krijoi gruan, pa nga burri. Burri u krijua nga dheu. Gruaja u krijua nga burri dhe i përket atij. Gruaja që mendon se krijimi i saj është i njëjtë në formë e qëllim si krijimi i burrit gënjen vetveten dhe i vjedh vetes jetën e vërtetë si grua. Burri bart imazhin e Hyjit. Gruaja bart imazhin e burrit. Burri i shërben Hyjit. Gruaja i shërben burrit dhe kështu e lehtëson dhe lartëson shërbesën e tij ndaj Hyjit. Nëse ende pyet “kush është e para: pula apo veza?”, këtu ke edhe përgjigjen se as pula, as veza nuk ekzistojnë pa gjelin!


“Dhe Perëndia krijoi njeriun në shëmbëllimin e Tij, në shëmbëllimin e Perëndisë e krijoi atë; mashkull dhe femër i krijoi ata.” – Zanafilla 1:27


Ky varg është shumë i qartë: njeriu (i referohet burrit) u krijua në shëmbëlltyrë të Perëndisë, çka vargu e përsërit dy herë njëra pas tjetrës. Me të krijuar burrin në shëmbëlltyrë të Tij, e bëri më pas njerëzimin (ata, pra tashmë kalojmë në shumës) mashkull e femër, por nuk thotë “mashkullin dhe femrën i krijoi në shëmbëlltyrën e Tij”. Perëndia krijoi burrin, dhe prej burrit femrën e kështu nisi njerëzimi. Gruaja e perëndishme ka gëzim në krijimin prej burrit, për burrin, që, përmes tij dhe e pashkëputur prej tij, t’i shërbejë Hyjit. Çdo gjë tjetër shtesë ndaj kësaj nuk është gjë tjetër veç përshtatje dhe ndryshim si pasojë e një bote të rënë.

Kirurgu në “Botched” vëren shpeshherë se brinja e pacientit është e kalcifikuar/gëlqerëzuar për shkak të moshës dhe traumave. Për pasojë, bëhet e papërdorshme për hundën e gjorë ose duhet të pritet shumë më tepër brinjë sesa prej një pacienti normal. Grua e dashur, ti mos e lejo këtë për veten! Mos u “gëlqerëzo” jashtë përdorimi, sepse t’u deshën shumë vite të zgjoheshe e të nisje jetën pranë burrit tënd që në rini, kur barku yt ishte i frytshëm dhe të lejonte të përmbushje urdhrin e Hyjit për shumim dhe sundim të tokës krah burrit tënd. Mos u “gëlqerëzo” përmes goditjeve pa fund që bota e rënë të shkakton, sidomos kur duhet të endesh në të e vetme. Hyji të ktheftë sërish në kafazin e burrit tënd, që të përkasësh pranë zemrës së tij ashtu si nëna jonë Eva përkiste kur ishte “veçse” brinjë!

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.