Zagari ham, e çiftja bam, e gjuha jonë me nam


Skenë gjuetie në lashtësinë pellazgo-ilire
Në pellazgjishten e lashtë (që sot, të përshtatur, e quajnë “greqishte” e lashtë), fjala “zagreus” i referohej gjahtari që i zinte kafshët të gjalla pa i vrarë. Në pellazgjishten e brigjeve të Jonit, fjala “zagre” do të thoshte “gropë për të zënë kafshë të gjalla”.

Zagreusi është, më tej, një prej zotave më të hershëm të mitologjisë pellazge, i bashkëngjitur herë Gjeas, perëndeshës së lashtë të tokës, e herë Hadesit, perëndisë së botës së përtejme. Pra, Zagreusi ishte si në kryqëzim të dy botëve: asaj të të gjallëve dhe asaj të të vdekurve. Një mendim tjetër është se, ashtu si Gjea ishte pararendëse e Dhemetrës, ashtu edhe Zagreusi ishte pararendës i Hadesit.

Të vjen të mendosh në shqip se emri Zagreus – përtej prapashtesës së qartë alla-greke “-us” – ngjan shumë me fjalët “zë në grep”, edhe këto të fundit të përshtatura në shqipen e sotme. Dikur, të parët mund të kenë thënë në shqipe më të pastër “za n’grep” ose “za n’gropë”. Kafsha e zënë kështu është ende e gjallë, ende në mbretërinë e Gjeas. Vrasja dhe konsumimi i saj , pra kalimi i saj në mbretërinë e Hadesit, vijon më pas. Puna e Zagreusit është ta zërë të gjallë, me sa duket në shërbim të një pale të tretë. Ndërkohë, vendi në krye të sofrës i fjalës “za” në mitikën dhe përshpirtjen shqiptare vetëm sa shtohet.
Tymnaja e mijëvjeçarëve të kaluar lejon të kemi një hipotezë tjetër për këtë personazh interesant. Zagreusi mund të ketë qenë edhe një gjahtar me nam i lashtësisë (si Herkuli a të tjerë) që ndoshta i shërbente dikujt përveç vetes. Siç ka ndodhur kahera, me kalimin e koës, një gojëdhënë pas një gojëdhëne, ky gjahtar dhe bëmat e tij nuk u treguan më si thjesht njerëzore, por iu vesh elementi hyjnor. Për këtë të fundit, duhet sqaruar se dallon pak me trajtimin që i bëhen ende sot shenjtorëve në shumë kisha: të krishterët e kanë të qartë që shenjti nuk është hyjni a hyjnor, por kalimi tashmë i tij/saj në mbretërinë e amshuar, si edhe veprat dhe dëshmia që dha për Hyjin dhe veten sa ishte mbi tokë, i veshin figurës së tij një imazh më të lartë se njerëzorja që është ende mbi tokë. Ai shenjt është, fundja, në prani të Hyjit tashmë. Heronjtë e lashtësisë shiheshin, në mënyrë të ngjashme, si një hap më lart se njerëzit ende mbi tokë, edhe pse, sigurisht, askush prej tyre nuk krahasohej me Zeusin në natyrë, status e nderim.
Zagari, qeni që përdorin shumë gjahtarë të pasionuar edhe sot e kësaj dite në Shqipëri e më gjerë, nuk e vret kafshën. Atë ose e ka vrarë gjahtari më parë me “çiftja bam”, ose kafsha është zënë në grep, lak a gropë dhe është ende gjallë derisa ta marrë e t’ia çojë të zotit. Për një popull si i yni, që ka prirjen t’i mbajë sa më të shkurtër si emrat vetjakë, ashtu edhe fjalët në tërësi, “Zagar” tingëllon si përfundimi më i arsyeshëm i sido ta kenë quajtur këtë personazh mitik të parët pellazgë, qoftë Zagreus a diçka tjetër e ngjashme.
Pellazgët dhe ilirët, veçanërisht fisi i molosëve të Pirros (që rrjedhin nga mirmidonët e Akilit) dhe itakasit e Uliksit, shquheshin për rritjen e qenve tej mase të fortë, besnikë dhe shokë lufte, dhe gjahu, të zotërve të tyre. Me siguri, një pjesë e madhe e veprimtarisë së këtyre qenve ka qenë i përfshirë edhe me gjuetinë, si mbrojtës e bashkëluftues kundër ndonjë egërsire, por edhe si ndihmë për njeriun që të sigurohej se gjahu do t’i vinte atij në dorë para se ta shqyente ndonjë kafshë tjetër. Njeriu, më pas, do të vendoste nëse ajo kafshë ishte për t’u vrarë për ushqim dhe përdorim të lëkurës a gëzofit, apo për t’u zbutur e shtuar. Qartësisht, rasti i parë ishte më i përhapuri. Edhe lidhja mish e shpirt e njeriut me qenin e tij të zgjedhur e besnik është e qartë në sa e sa histori, ku e para që vjen ndërmend është ajo e qenit të të Uliksit që e njohu menjëherë të zotin pas kthimit të tij nga Troja dhe vdiq në vend nga gëzimi.



Qeni Argos njeh të zotin Uliks, nga Robert Brown
Shtoj këtu edhe se kënga e mrekullueshme “Do marr çiften, do dal për gjah” (lidhja këtu), e kënduar mjeshtërisht nga Laver Bariu e që i bën jehonë kohëve të arta kur shqiptari bënte jetë baritore e barbare – herë me kullota, herë me ushtri – flet edhe për ngjitje në mal ku shihen edhe “tri, more, të bukura”. Ç’mal është ky? Ç’janë këto tri të bukura? Dodona dhe tri Orët e malit? Por nuk do të zgjatem më tej për këtë pikë, sepse nuk e di me siguri sa e vjetër është kënga dhe që prej kur i ka rrënjët e saj.


Sa për interpretimin e mitit të Zagreusit si gjahtar, mendoj se, përtej historisë, vetë ruajtja e kësaj veprimtarie me pasion nga shumë burra (kryesisht) ende në ditët tona është provë se gjahtarë të tillë trima e të zotë nuk kanë munguar kurrë në trojet pellazgo-ilire. Pastaj, sa për dyshimet e ndonjë ciniku që dëshiron të na hiqet si realist, apo të ndonjë vetëbesimpaku që nuk mendon se kemi lidhje ne me kësi gjërash kaq antike e me vlerë, do thosha vetëm kaq: ngrije pak më lart kokën. Sheh më qartë ashtu.

Qeni i Lisimakut, mbretit të Maqedonisë me prejardhje thesale e të vrarë në betejë, ruan trupin e të zotit që të mos e hanë shkabat derisa të vijnë ta marrin njerëzit për varrim siç duhej.








Comments

Popular posts from this blog

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.