Dy këngë nizamësh për të mbajtur mend


Dy pjesët e mëposhtme janë prej këngësh të folklorit tonë dhe tregojnë vuajtjen e shpirtit të stërgjyshërve tanë teksa rrëmbeheshin prej turqve për t’u dërguar nizam nëpër tokat e pushtuara prej osmanëve. Nuk bëhet fjalë për 500 vjet më parë, por për mesin e viteve 1800. Kjo ishte koha kur nizami nisi rëndë si praktikë, koha kur etërit tanë u detyruan të ndërronin fenë e paraardhësve të vet për të shpëtuar ndonjë djalë dhe ato toka që mundeshin. Dekreti i Portës së Lartë për shërbimin e detyrueshëm ushtarak u nxor nga sulltani më 3 nëntor 1839. Islamizimi masiv i Shqipërisë ndodhi kësaj kohe, si masë për t’i shpëtuar djemtë nga nizami. Askush nuk ia kishte parashikuar jetëgjatësinë pasojave të atij dekreti.

***********
“Dit’e gushtit trembëdhjetë,
seç i ndanë të shkretë.
Përmbi mëma, përmbi pleqtë,
të bienë poshtë djemtë,
edhe djemtë i mbluadhë,
shoku shoqitë i thanë:
“Ktheva kokënë nga mali,
o shokë, m’u tha kufari (fyti),
shokë, do xhvishet fustani (fustanella),
do na vishetë shallvari.””
“O dovlet, more dovlet,
vit për vit po na thërret,
shkronj’e djallit na u qep (e ka fjalën për shkronjat arabe),
na u qep shkronj’e djallit,
na mbaroi farën e djalit,
mben kopetë shkretë malit,
po qajnë zonjatë stanit,
me lot e me djersë ballit.”
- nga “Folklori shqiptar”, Gjergj Zheji

Comments

Popular posts from this blog

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ullinj të përgatitur në shtëpi

Buzmi, festa autoktone evropiane dhe totemi i dhisë mes shqiptarëve