Feralia, dita e nderimit të paraardhësve të ndjerë


Në Romën e lashtë, data 21 shkurt shënonte një ritual që quhej Feralia. Kjo ishte ditë kushtuar nderimit të paraardhësve dhe kujtimit të tyre, duke mbajtur kështu gjallë rrethin dhe vijimësinë e pandërprerë të jetës nga një brez në tjetrin. Para kësaj dite, ishte edhe festivali nëntëditor i Parentalias, i cili, nga vetë emri, ishte në përkushtim të të parëve që kishin ndërruar jetë.
Në ditën e Feralias, romakët çonin oferta në varrezat e njerëzve të tyre të dashur. Në këto, kryesoret ishin një kurorë (lulesh, degësh a kallëzash), një grusht grurë, pak kripë, bukë të ngjyer në verë dhe manushaqe. Pa hyrë në shumë detaje për simbolikën e secilës ofertë, është e qartë se të gjitha janë prodhime toke që të kujtojnë bollëkun që merret prej të njëjtës tokë ku edhe të parët janë varrosur. (Jo më kot, Hadesi në lashtësi ishte edhe hyji i botës së përtejme, edhe i bollëkut.)
Mendohet nga historianët se kjo festë e ka zanafillën nga heroi trojan/ilir Enea, që emigroi në Itali pas djegies së Trojës në fund të luftës. Kur ati i Eneas, Ankisi, vdiq, Enea mendohet të ketë hedhur verë e manushaqe përmbi varrin e tij pas ceremonisë.
Gjëra të tjera në lidhje me këtë ditë ishin se nuk lejoheshin martesat në këtë ditë dhe, nëse festimet për dasma binin në ato ditë (siç kanë qenë dasmat tradicionale disajavore), nuk bëhej muzikë, hare a të ndizeshin pishtarët e dasmës. Magjistratët nuk duhej të vishnin uniformat e tyre. Nuk kishte adhurim në tempuj, nuk hidhej temjan në altar, dhe nuk ndizej zjarr në vatër (e vetmja ditë e vitit).
Feralia dhe Parentalia para saj është edhe nga e kemi zanafillën e karnavaleve të shkurtit, pra karnavalet para kreshmës që mbahet para Pashkës. Në formën e karnavaleve, kjo festë ruan dy aspekte kryesore: 1) pothuajse asnjë praktikë e besimeve autoktone pagane nuk është shuar në Evropë, por ka evoluar dhe është maskuar me fanatizëm prej njerëzve që refuzojnë të harrojnë rrënjët e tyre; 2) kur njerëzit kanë harruar kuptimin e vërtetë të një feste, ajo që mbetet është thjesht një maskaradë pa asnjë kuptim, përveç të bërit qejf e dëfrim pa kuptuar asgjë. Pak a shumë, njësoj si puna e tregjeve të Krishtlindjes apo pazareve për dhurata para festës, ku vërshojnë mijëra njerëz që për Krishtin nuk u shkon kurrë mendja gjithë vitin.
Ndërkohë, unë nesër (se sot punë e në Tiranë) po shkoj për një vizitë, siç bëj herë pas here, te varrezat e të parëve të mi. Pa maska, me vetëm një pjesë të ofertave më lart, dhe me shumë dashuri e nderim për kush ishin e me mirënjohje që unë jam këtu edhe për shkak të tyre.
P.s. ajo flutura e natës që, në besëtytninë shqiptare, thuhet se vjen kur dikush në shtëpi po jep shpirt e që nuk duhet ta prekë a ta vrasë kush, quhet Feralia.


Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.