"Natë çame" - poezi nga Bilal Xhaferri


Ndali çapin kopeja e ulqve
Në errësirën e thinjur me flokë bore.
Ndali çapin pranë staneve të heshtura
Kopeja e egër e pyjeve çame.
S’dëgjohen të lehura, s’dëgjohen blegërima,
Nuk duken më zjarret ku dremitin çobenët.
Vetëm deti rreh bregdetin me dallgë pa pushuar,
Vetëm hëna porsi dele e ndarë nga kopeja
Nëpër shtigjet e reve baret e vetmuar.
Ndali çapin kopeja e ulqve
Dhe përgjon e uritur në errësirën thinjoshe.
Ku ini ju çobenë me gunat e bardha?
Ku i kini delet që blegërinin kullotave?
Ku i kini qiprat, ku këmborët si këmbana?
Ku i kini qent e staneve, që ulurinin si luanë?
Murrot, balot, gudot – armiqtë tanë të vjetër?
Ku janë që t’u tregojmë me çatallet e hekurt
Sesi në shesh të luftës luftohet për jetën?
Hesht në errësirë Çamëria shkretëtirë,
vetëm dallga rreh parreshtur shkëmbenjtë kryeulur
Dhe jehona e saj e gjerë nëpër natën joniane
Përzihet me ulurimën e ulqve të uritur.

Bilal Xhaferri, 2 nëntor 1935 - 14 tetor 1986.


Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.