Foshnja që thërrmoi qytetërimet

"Adhurimi i foshnjës", nga Francesco di Giorgio


Kjo pikturë e Francesco di Giorgio (1439-1501) është frymëzimi im për të menduar për Krishtlindjen këtë vit. E titulluar “Adhurimi i fëmijës”, vepra paraqet foshnjën Krisht shtrirë në dhé, me kokën mbështetur në një bllok mermeri që duket si i shkëputur nga harku në sfond. Rreth Tij janë të mbledhur personazhet e mirënjohura të Krishtlindjes: Maria, Jozefi, engjëjt, barinjtë, kafshët e grazhdit. Mahnitja me këtë foshnjë është e qartë në fytyrat e personazheve qiellorë e atyre tokësorë njësoj.

Në pikturat e epokës së Rilindjes si kjo, sfondi shpeshherë ka të paktën të njëjtën peshë sa vetë personazhet e paraqitur. Pikërisht sfondi është edhe elementi që duket se është protagonist bashkë me foshnjën Krisht në këtë pikturë. Nga pas pjesëmarrësve në Krishtlindjen e parë duket një hark mermeri që lë të kuptohet se dikur ka qenë madhështor e tashmë i çarë më dysh e gati në rrënim. Sikur thotë se guri nga qielli që profetizoi Danieli shekuj më parë kundër statujës së lavdishme të perandorive njerëzore kishte rënë tashmë mbi tokë.

Harku, mendoj, simbolizon qytetërimet tona, përpjekjet njerëzore për t’i lehtësuar jetën vetes në tokën pas Rënies, pas syrgjynosjes sonë prej Kopshtit. Në kohë të ndryshme, qytetërimet tona arritën kulme të tilla saqë njeriu u vetëshpall zot, si dikur në Babel, si në sa e sa raste të tjera të udhëtimit tonë mbi këtë tokë të egërsuar. Në çdo vetëshpallje zot të njeriut, Zoti i vërtetë nuk vonoi gjithsesi gurin e tij qiellor që rrënon përpjekjet tona të pamjaftueshme, në arrati e vetëshkatërrim, për të jetuar ashtu siç nuk jemi krijuar: sikur të mos kishim Zot. Sot kemi një listë të gjatë historike me qytetërime të lavdishme. Të gjitha ndajnë të njëjtin fat. Të gjitha kanë rënë... si me gur prej qielli... kur mendonin se ishin në kulm.

Foshnja Krisht erdhi mes njerëzimit të lodhur, aq shumë të larguar nga Krijuesi, aq fort të dërrmuar e të zhgënjyer nën plasaritjen dhe rrënimin e një qytetërimi Zot-mohues pas tjetrit. Në Të na bëhet aq dhimbshëm e qartë se sa të kota janë gjithë përpjekjet, veprat dhe madhështia jonë e stisur, e mbi të gjitha arratia jonë prej Perëndisë që na do, teksa e gënjejmë veten me artificialitete që veç lëndojnë qenien tonë të vërtetë.

Harku qëndron në pikturë edhe si simbol i tempullit të Jerusalemit e, bashkë me të, i çdo tempulli të mëhershëm e të mëvonshëm me të cilët kemi kujtuar se do të mahnitnim Perëndinë. Me gjithë madhështinë e atyre tempujve, mëkati ynë i bëri të denjë për rrënim të merituar. Sërish foshnja Krishti mbështetur në tokën djerrë dhe copëzën e harkut na kujton se nuk jemi ne që mahnitim Perëndinë me veprat e duarve tona. Ai na mahnit ne me veprën e hirit të Tij, sjellë mbi tokë si dhuratë për ne në trajtën e foshnjës së shenjtë.

Kjo mahnitje është edhe personazhi i tretë madhor i pikturës. Engjëjt, me gjithë praninë e tyre të pandërprerë në oborrin qiellor, s’kanë si të mos mahniten kur shohin Birin e të Lartit të zbritur mbi tokë si Biri i brishtë i Njeriut. Jozefi e Maria, me gjithë njoftimet qiellore dhe konfirmimet profetike që patën, sërish duken të mbërthyer në një mahnitje së cilës Maria i përgjigjet me të vetmen gjë që mund të bëjë: të adhurojë Birin e saj.

Mahnitja e barinjve është mahnitja e secilit prej nesh ende sot. Të thirrur prej qiellit t’i shkëputeshin asaj jete që kushedi sa e përulur dhe pa vlerë u dukej (në kontekstin e kohës për statusin social të bariut), ata simbolizojnë njerëzit “e thjeshtë” që u është shtrirë ftesa për të adhuruar Krishtin e Zotit njësoj si “të lartët”. Zoti i ka parë edhe ata, të munduarit e të rënduarit nga pesha e kësaj toke kaq të rëndë dhe i thërret të gjejnë çlodhje. Ata që ruanin tufat sodisin këtu Bariun e tyre që do t’i prijë në shpëtim.

Në mbyllje, harku simbolizon edhe gjithë veprat tona si individë, gjithçka që shtiremi se po e bëjmë për të qenë të pranuar prej Perëndisë, por që në fakt janë veçse maskim i rënies sonë dhe frikës nga të dalët para Tij në ndotjen tonë. Harku mund të themi se është versioni i rafinuar i mbulesave me gjethe fiku që Adami dhe Eva u bënë trupave të tyre pas kafshimit të mëkatit, përpjekja e tyre e trishtë, lënduese dhe e pavlerë për të veshur turpin bashkë me trupin.

Pas harkut na paraqiten çfarë duken si skena të ndryshme nga jeta dhe shërbesa e Krishtit: tempulli, liqeni i Galilesë dhe anijet, ndoshta i demonizuari Legjion në të djathtë, etj. Të gjitha paraqesin punën pastruese e shpëtuese që Krishti do të bënte pasi të hynte në jetën tonë përmes harkun të rrënuar.

Krishti erdhi në këtë njerëzimin tonë të trembur, të përhumbur e të maskuar me veshje të lodhshme dhe, si guri nga qielli i Danielit, i thërrmoi gjithë qytetërimet tona – njerëzore e personale – për të na dhënë veshjen që s’prishet të shpëtimit në Të. Erdhi të thërrasë në liri dhe jetë të vërtetë këdo që është gati të mblidhet për të adhuruar, për të lënë pas jetën e shkuar – qoftë ajo e maskuar me “lavdi” a me “përulje”. Erdhi të përgatiste altarin në grazhd, ku engjëlli qiellor dhe bariu i vuajtur lavdërojnë njëlloj Perëndinë për hirin e Tij mahnitës. A je gati të të thërrmohet qytetërimi për një vend në qytetin e Tij? A do ta takosh edhe ti aq zhveshur sa Ai Vetë kur ishte foshnjë e brishtë? A je gati të të veshë një rrobë të re?

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.