Përgjatë shktretëtirës...






Tek endem shkretëtirës djegëse,
ndërto tabernakullin Tënd tek unë, Atë,
me ofertat që Ti ke siguruar të të jap.


E regjur është toka nën shputat e mia,
por Ti do të më bësh të ndjej përsëri
freskinë e barit të gjelbër plot vesë mëngjesi.


Sa gjatë agimi bezdisës më është bërë
e prapë pëshpërima e ëmbël e zërit Tënd
më thotë “Zgjohu dhe sot. Jam ende me Ty!”


Dita përcëllon dhe dielli nuk njeh perëndim
nuk ngroh më, veç djeg e zhurit,
a do ecësh krah meje edhe sot, Ngushëlluesi im?


Ku mund të gjej pak hije në këtë hiç pa fund,
a fryn më era me freski, pa furtunë,
a do të shëtisësh sërish pranë meje në flladin e ditës?


Të gjata ishin vitet e vetmisë kohë më parë
kur Ti, Çliruesi im, më nxorre një herë nga kjo humbëtirë,
ndaj shfaqmu sërish në shkurren që digjet.


Këtu nata nuk ka shlodhje, veç përpëlitje mundimi,
por besnikëria Jote më vë të fle në paqe,
rrugën e gjatë që nesër më pret, si mund ta bëj pa Ty?


Sa shpesh e përçmoj këtë shkretëtirë ku më ke sjellë,
se rëra që pushton ajrin sytë m’i përlot për të mos parë
dorën Tënde që timen shtrëngon, më i shtrenjti Mik.


Mësomë ta bekoj thatësirën që për Ty më jep etje,
kur premtimi Yt shpirtin ma gjallëron
se do të ngopem në tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë.


Me këngë do ta mbush shkretëtirën që Ti ke bërë,
me lavde do të të thërras në çdo skutë të saj,
veç të shëtisë tabernakulli Yt me mua, dhe çdo paqe kam.


(Eksodi 25-26)




Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.