Zot mbi furtunë e bunacë



Kurrë s’e kam kuptuar,
kujt i druhem më shumë:
tallazit të furtunës
a qulltësisë së bunacës.


Kur deti, si leviathan në sulm,
tallej me varkën time të brishtë,
mendoja se Ti shijoje gjumin
pa brengë se unë po fundosesha.


Sa e përbuza veten kur, në zgjim,
Ti më quajte besimpakë... me hak
...më mirë të isha përpirë në valë
se të të shihjaTy në sy kur deti zuri vend.


Të kujtohet si ndenjëm të dy në heshtje,
në cepat e kundërt të varkës?
Ti i lënduar... a në pritje, s’e di,
e unë pa guxim të të flisja sërish.


E prapë, përngjasje nuk ka kjo
me kohën kur, në bunacë,
s’ta mbajta mend fytyrën e soditur përditë.
U lemerita si të ishe fantazmë... se ecje mbi ujë.


A të kam fyer ndonjëherë më shumë?
A thua se s’të shihja prej një jete!
Ma plotësove dëshirën të vija tek Ti,
e mahnitur dhe...mburravece... se ecja mbi ujë.


Po, më duhej të zbrisja në gji të humnerës
që ta shihja se jo më kot më quajte besimpakë.
M’u duk se vdiqa në ato tik-take shekuj
që i duheshin dorës Tënde të më ngrinte lart.


Njeri i vockël mjeran që jam!
Sa shpesh m’u dashka të kujtohem
se furtuna dhe bunaca mbytkërkan njëlloj
sa kohë nuk shoh se, në varkë a mbi ujë, Ti aty je.


Trazoji ujërat sërish...sa herë të duash,
e, në duhet, lërmë nën ujë... dy-tri çaste.
Në do, varkën shkunde me valë të tërbuara,
derisa të të shpall zëlartë për Atë që je...

Zot mbi furtunë e bunacë, njëlloj.



Comments

Popular posts from this blog

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.