Ditën shitës peshkaqeni, darkën mjeshtër fyelli

Vendim Kapaj, mjeshtër fyelltar

Personi në foto dhe në videon më poshtë është Z. Vendim Kapaj, një njeri që më bëri shumë përshtypje kur e pashë në këtë reportazh ca kohë më parë. E ruajta historinë për ta pasur pjesë të kësaj serie: “Flasim burrash”. Nuk do të them shumë gjëra për të personalisht, sepse nuk e njoh vetë, por do të flas për çfarë më kujton rasti i tij.

** Reportazhin nga Top-Channel e gjeni këtu.

Në kohët e lashta, “ekspertët” thuajse nuk ekzistonin. Njerëzia bënte më të mirën që mundej për të qenë në gjendje të dinte sa më shumë e sa më mirë nga një mori aspektesh të jetës, natyrës dhe marrëdhënieve me botën, për të siguruar kështu më shumë gjasa për mbijetesë e tepri. Kështu, rrallë vinte mjeku në fshat, por gjyshja dinte 101 bimë mjekësore e praktika për të shëruar shumicën e sëmundjeve të zakonshme që mund të kalonte familja. Nuk kishte mami e gjinekolog, por gratë mbyllnin gjedhët në stallë, lanin duart dhe ndihmonin njëra-tjetrën të lindnin mesatarisht dhjetë fëmijë në shtëpi. Nuk ekzistonte fjala arkitekt, por babai dhe djemtë me një krah mbanin çiften, në brez koburen dhe me një dorë përdornin mistrinë e me tjetrën hidhnin llaçin a qerpiçin për shtëpi ku rriteshin breza të të tërë njëri pas tjetrit.

Z. Kapaj më kujton shumë ata lloj njerëzish, që sot janë fort të rrallë, teksa shtohen “ekspertët” që dinë të bëjnë (më së shumti në cilësi mediokre) vetëm atë gjë për të cilën kanë harxhuar vite e kanë paguar qimet e kokës nëpër universitete për lëndë pa vlerë. Z. Kapaj është mjeshtër i fyellit, këtij instrumenti parahistorik të fiseve tona. Jo mjeshtër dosido, por i një teknike të rrallë si ajo që shihni në video. Por jetesën e tij dhe të familjes nuk e mban me paratë që fiton prej fyellit, sepse ato praktikisht nuk ekzistojnë. Jetesën e fiton duke peshkuar e duke e shitur atë peshk.

Mjeshtri duke shitur peshkaqenë rrugëve të Vlorës.

Mënyra se si gazetarja e paraqet historinë është e tillë që të shtyn të thuash: “I shkreti! Ku i dilet në Shqipëri me art? Ne jemi vend i egër.”. Deri diku, arrin ta bëjë edhe vetë zotërinë ta shohë veten si dikush për të cilin u dashka ardhur keq. Por unë do t’ju propozoja një këndvështrim ndryshe.

Edhe pse sigurisht secili prej nesh ka një dhunti e cila është më e qartë dhe, me shpresë, më e zhvilluar, historia njerëzore i ka të numëruara me gishtërinjtë e njërës dorë funksionet shoqërore që kërkojnë ekspertizë ekskluzive. Në lashtësi, këta ishin “njerëzit e mirë” ose shamanët/orakujt e përkushtuar njohjes së mistereve të të mbinatyrshmes, metalurgët në epokat e hershme të zbulimit të metaleve (këta përbënin sekte/mistere të mirëfillta asokohe dhe ne sot i keqkuptojmë si paganizëm matriarkati, ngaqë “nëna”, toka ishte qendra e veprimtarisë së tyre, për shkak të minierave), dhe ndonjë kastë tej mase profesioniste ushtarësh (në epokën e perandorive si Roma kjo, por jo për fisnorët e Spartës). Edhe brenda këtyre kastave, ekskluziviteti në një fushë të vetme ekspertize ishte gjë e rrallë, sepse njerëzit prapë se prapë bënin gjithçka që mundeshin.

Do të sillja këtu dy raste të veçanta: proverbin anglez “a jack of all trades is a master of none” [kush është zhivë në çdo zanat nuk është mjeshtër në asnjërin prej tyre] dhe Shën Palin e Biblës. Si shumë fjalë të urta që na kanë ardhur nga lashtësia, edhe kjo këtu është përdhosur për t’iu përshtatur mendësisë sonë të sotme. Kuptimi zanafillor i kësaj fjale të urtë nuk është ky i sotmi, pra nuk ka qenë qëllimi të “turpëronte” dikë se merrej me shumë gjëra e kështu nuk ia dilte të mjeshtëronte asnjë fushë. Përkundrazi, fjala e urtë ka qenë “a jack of all trades and a master of none” [zhivë në çdo zanat, mjeshtë i asnjërit], për t’i nxitur njerëzit që të mos ngecin në kurthin e një mjeshtërie të vetme, por të jenë në gjendje të bëjnë ç’t’u jepet e ç’t’u dalë përpara (ç’i sheh syri, ia bën dora). Mund të kontrolloni vetë në internet burime për këtë shpjegim. Pra, si të thuash, fjalë të urta si kjo kanë për qëllim të nxisin zhvillimin e “Renaissance man”, “njeriut të Rilindjes”, në referencë të shembullit që na dhanë artistët dhe zejtarët e periudhës historike të Rilindjes, që ishin në gjendje të bënin kryevepra të pikturës ndërkohë që merreshin edhe me anatomi e botanikë. (Sigurisht, ky shembull ndiqej edhe më shumë në Mesjetë e më parë.)

Shën Pali, nga ana tjetër, nuk përtonte apo përçmonte të merrej me thurjen e çadrave për të siguruar jetesën e vet gjatë udhëtimeve të tij misionare për përhapjen e besimit të krishterë. Si filozof e “teolog” (e vë në thonjëza, sepse “teologjia” është fushë e shtirur, për mendimin tim, sepse Perëndia nuk mund të jetë kurrë fushë studimi, por është Ai që na zbulon prej Vetes), Shën Pali mund të bisedonte pa kurrfarë sikleti a përulësie me gjigandë të kalibrit të Aristoteli, Platonit e Sokratit, po të kish qenë bashkëkohës i tyre. Por ishte bashkëkohës i “ekspertëve” përtacë të Athinës, ndaj edhe biseda e tij në Aeropag shkoi ashtu si shkoi. Para se Zoti t’iu shfaqte rrugës për në Damask (sërish, është Zoti që i shfaqet Palit, jo Pali që “studion” Zotin), mund të themi se Pali ishte mjaftueshëm i përgatitur edhe nga ana ushtarake. Jo më kot ishte aq efektiv në ndjekjen dhe dënimin e besimtarëve të hershëm. Me zellin që kishte, mund të konkurronte edhe Jul Qesarin. Por ishte bashkëkohës i romakëve që tashmë ishin bërë burokratë e të degjeneruar... pak a shumë si Evropa sot.

"Shën Pali në shtëpinë e Akuilës dhe Prishilës", gravurë nga J. Sadeler 

Tani do të shton edhe “kartën fituese”: Akilin. Në moshën shtatë vjeçare, siç ishte zakoni indoevropian, Tetisi e dërgoi birin e saj Akil te centauri (kalorësi) Kiron që ky t’i mësonte burrërinë e plotë. Kjo burrëri nuk do të thoshte vetëm aftësinë e tmerrshme për luftë të Akilit, por një tërësi gjërash: recitimin e traditës, luajtjen në harpë, oratorinë, kujdesin për trupin dhe pamjen, besën vëllazërore, marrëdhënien me gratë, etj. Sigurisht Akili shkëlqente kryesisht në talentin e tij madhor si luftëtar, por nuk i mungonte zhdërvjelltësia në gjithë fushat e përmendura më lart e të tjera.

"Edukimi i Akilit", nga James Barry

Z. Kapaj nuk ka asnjë arsye t’i vijë keq për veten, siç nuk kemi as ne të drejtë të na vijë për të apo për veten në raste të ngjashme. Bota dhe jeta në të ka qenë gjithmonë e ashpër dhe e vështirë. Fyelli dhe instrumente të tjera janë ndër gjërat e para që Bibla përmend si shpikje të njeriut për të ëmbëltuar pak këtë jetë të vështirë këtu. Por nuk ishin mjete pune ekskluzive apo arsye për t’u shkëputur në një kullë të fildishtë e të mos i bëjë më duart pis me baltë... apo me erë peshku në këtë rast. Rapsodi vërtet kishte lahutën/harpën dhe rrëfimin e historive si talent kryesor, por punonte edhe tokën, dilte për gjah dhe shkonte në luftë si gjithë të tjerët. Ndryshe nuk ishte burrë.

Ekspertiza ekskluzive është punë të qullurish dhe e pranueshme për raste tejet të rralla. Jeta e vërtetë është shumë herë më e plotë dhe e ndërlikuar se aq. Të falënderoj, Z. Kapaj, që ma kujtove. Uroj që, kur të jem ndonjëherë në Vlorë, t’ju takoj e t’ju dëgjoj nga afër të luani në fyell. Do ta blej me të njëjtën kënaqësi edhe një peshkaqen prej jush.

Fyelltari luftëtar, nga filmi "300".




Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.