Tradita kombëtare si ungjilltari i parë për Krishtlindjen.

Dielli lind në dimër, sado i brishtë të na duket.


Gëzuar ardhjen e dimrit!

Sot, në solsticin dimëror, drita e diellit tërhiqet në ditën e saj më të shkurtër dhe i lë vendin errësirës dimërore. Do të rilindë sërish me ardhjen e solsticit pranveror, ku dita nis të bëhet gjithnjë e më e gjatë se nata, duke vijuar fitoren e dritës pikërisht sot në solstic të dimrit: sot është vërtet dita me më pak dritë dielli, por që sot e më tej dita vjen vetëm duke u zgjatur.

Dimri i rëndë e bën verën të mirë, thuhej në një libër dikur.

Ky është sezon tejet i rëndësishëm i historisë sonë të përbashkët kombëtare dhe gjithë psikikës e shpirtit evropian më në gjerësi. Jemi popuj të vjetër, me bollëk traditash. Traditat tona në tokën e dimrit dhe dashurueses së diellit dhe ardhja e Shpëtimtarit tonë si foshnjë 2000 vjet më parë gjejnë një bashkim të mrekullueshëm në këtë kontinentin tonë të kallkantë. Kurrkund në botë nuk u gjetën më së miri këto dy shtylla bazë të identitetit të njeriut dhe kombit; kurrkund në botë nuk kanë vuajtur si njëra shtyllë, ashtu edhe tjetra, sa herë ndonjëra prej tyre ka përbuzur tjetrën apo është harruar.

A e dini pse e kemi traditën e pastrimit të shtëpisë me themel e ndoshta edhe ta lyejmë në këtë kohë, për shembull? Është traditë e vjetër që nga koha kur banesat tona të para në Evropën malore ishin nëpër shpella, që pasardhja e Jafetit të mbrohej nga acari dhe grabitqarët e tmerrshëm jashtë, të tillë si rrëqebulli mitik i përrallave tona. Kur dimri vinte dhe natyra jashtë ishte e egër si ngrica dhe e pamundur t'i mbijetohej, njerëzit tanë bënin gjithë përgatitjet e nevojshme që jeta brenda në shpellë (e më pas në banesat më moderne) të ishte sa më e këndshme. Fundja, do të kalohej aty pothuajse çdo ditë e dimrit dhe nuk duhej rrezikuar as papastërtia që sjell sëmundje, as mërzitja.

Kjo është edhe koha kur të parët tanë përqendroheshin më së shumti në tregimin e përrallave tona të mrekullueshme. Këto të fundit u bënë përralla me kalimin e shekujve, sepse, ashtu siç duket qartë edhe tani, të gjitha përmbajnë në to trashëgiminë e gjërave të përcjella që prej atit Jafet dhe kujtesën e Perëndisë së tij. Të gjitha përshtatur me natyrën tonë që nuk i bëhet dot zot kushdo, veç trimave e zanave tona. Mjafton të përmendim si dëshmi për kujtesën jafetiane dhe natyrën evropiane përralla si “Bukuroshja e fjetur”, “Flokarta dhe tre arinjtë”, “Hirushja”, “Hanseli dhe Greteli”, këngët tona epike, si “E bija e hënës dhe e diellit”, “Muji dhe zanat”, etj.

Me ardhjen e krishterimit, ne sot kemi edhe Krishtlindjen. Si festë, sepse si e vërtetë hyjnore ka qenë me ne që nga rënia në Eden.

Mos i përbuzni traditat e të parëve. Jemi pasardhës gjigantësh, metaforikisht e shpeshherë edhe fjalë për fjalë! Janë këta të parë që e mbajtën gjallë kujtesën e Perëndisë, pavarësisht kalimit në mit siç ndodh kudo, që u kujdesën e kultivuan natyrën tonë të egër, dhe që e bënë gati shpirtin tonë për kuptimin dhe rënien në dashuri me Shpëtimtarin që do të na predikohej 2000 vjet më parë. Në rrjedhën kronologjike të ngjarjeve, i jemi së pari borxhlinj këtyre njerëzve madhështorë, dhe së dyti, në kohë, apostujve që iu bë shtëpi shtëpia jonë.

Gëzuar dimrin!

Babadimri me totemet evropiane.

***

Gëzuar Buzmin Bujar, festë që nga etërit tanë pellazgë e ilirë! Kjo është dita e parë pas më të errëtës së dimrit, dita kur dielli nis të shtojë ndriçim çdo ditë më shumë, derisa të arrijë kulmin në verë.

“Sepse ju keni dëgjuar për sjelljen time të atëhershme në judaizëm, si e përndiqja me egërsi të madhe kishën e Perëndisë dhe e shkatërroja. Dhe si përparoja në judaizëm më tepër se shumë bashkëkohës të kombit tim, duke qenë jashtëzakonisht i zellshëm për traditat e etërve të mi.” – Galatasve 1:13-14

Qëllimi parësor i traditave të vërteta e të lashta të etërve ka qenë kujtesa e hyjnores dhe marrëdhënies së njeriut me Hyjin dhe përgatitja e zemrës së brezit të ri për të dalluar Dritën, Shpëtimtarin që do të vinte e t'i bënte në gjendje t'i dilnin përpara Atij krahëhapur. Qëllimi i dytë ishte përkujtesa dhe përshtatja me natyrën që na rrethon dhe, për pasojë, lehtësimi i jetës sonë.

Ashtu si ligji i Perëndisë, edhe tradita vë në dukje se ka diçka që mungon në jetën tonë, ndaj duhen "salltanetet" e saj, ashtu si dhe "rëndesa" e ligjit. Por, si ligji i Perëndisë, ashtu edhe tradita ka si qëllim lehtësimin e jetës së njeriut në marrëdhënie me Hyjin, natyrën, veten dhe të tjerët. As ligji, as tradita e vërtetë nuk e rëndon apo verbon jetën e njeriut.

Tradita së cilës i referohet Pali këtu dhe "traditat e pleqve" që përmend Krishti në Ungjill janë "tradita" që jo vetëm i janë mbivënë ligjit të Perëndisë – atij të shkruar në letër, por më parë në ndërgjegjen njerëzore – por edhe i kanë harruar detyrat e tyre. Këto janë ato tradita qe nuk na i kthejnë më sytë nga Zoti, as na e përgatisin zemrën për Dritën, as na bëjnë të ndjeshëm ndaj natyrës pjesë e së cilës jemi, as na bëjnë mirë në njohjen e vetes, as na i përmirësojnë lidhjet me të tjerët.

Në këto lloj traditash përparonte me zell Pali, ndaj qe i paaftë ta kuptonte kush ishte Ai Dritë verbuese që iu shfaq rrugës për në Damask. Kishte përparuar aq shumë në "traditat e pleqve" dhe në ligj (judaizëm), sa Drita për të Cilin ishin krijuar fillimisht ligji e tradita e hodhi nga kali me të cilin përparonte dhe e verboi. Zemra e tij nuk kishte qenë përgatitur për dritën, sepse pleqtë e tij para tij kishin shthurur ligjin dhe traditën dhe kishin dështuar në detyrën e tyre.

Kjo shthurje e traditës u vu re në Jerusalem mes tregtarëve në tempullin e Zotit, në Samari kur gruaja te pusi interesohej më shumë se cili mal ishte i duhuri për adhurim, por nuk interesohej sa duhej për numrin e burrave në jetën e saj, u vu re edhe ne Efes (si simbol i kombeve) ku "ithtarët" e Dianës – perëndeshë e natyrës së egër – e kufizonin atë në një tempull dhe shfrytëzonin mjeranet e demonizuara për t'u sjellë atyre fitime, ndërkohë që thirrnin "E madhe është Diana e efesianëve!". E shohim sot mes nesh kur askush prej nesh nuk është më "i fortë si Zana".

Verbimin nga humbja e ligjit, traditës dhe besës ka detyrë e fuqi kisha ta shërojë, si Anania shëroi Palin, me pushtet e fuqi dhënë së larti. Dhe, ne që jemi të shëruar, mund dhe duhet të nderojmë Perëndinë, të nderojmë etërit tanë dhe traditat e vërteta që na kanë lënë, të ruajmë e duam natyrën që na rrethon, të kujdesemi për veten e të tjerët. Këto tradita, të ndriçuara e të plotësuara në Dritën që është Krishti, janë ndër për ne e nuk duhen hedhur poshtë. As Pali nuk i hodhi poshtë traditat e etërve te vet pasi u ndriçua, as kishte pse, as ne s'kemi pse të hedhim tonat apo të nderojmë veç të huajat, siç edhe ai ngulmon tjetërkund në përballjen me etërit e kishës.

Me fat Buzmin dhe, së shpejti, Gëzuar Krishtlindjen!

Pema e lisit është themelore në festimet e Buzmit, si simbol i Kryeatit.

***

Për tri net me radhë në dhjetor (21-23), dielli është ne me te dobëtin shkëlqim të tij dhe terri duket se fiton. Kisha e lashtë i vendosi kësaj periudhe të vitit festën e lindjes së Shpëtimtarit, edhe pse, deri diku, të kujton më së shumti ringjalljen e Tij.

Kulmi i diellit është në solsticin e verës, atëherë kur duket sikur mezi perëndon. E megjithatë, prej asaj dite, dielli vjen vetëm në rënie. Në ditën e parë e deri të tretën kur dimri hyn, dielli "vdes", por ky është në fakt edhe triumfi i tij. Edhe pse terri i dimrit e bën të vështirë per t'u dalluar, që këtu dielli vetëm e shton fuqinë e tij, për të kulmuar sërish në verë. Pikërisht nata e 24 dhe hyrja e 25 dhjetorit quheshin nga te paret nata e ngadhënjimit te Diellit (Sol Invictus). Ata e dinin se terri është veçse gënjeshtar dhe se Dielli do të triumfonte sërish, sado që tani ishte veçse një foshnje e porsalindur.

Atë natë në Bethlehem (një datë pranverore, jo pikërisht 25 dhjetori i Evropës), në një grazhd, jo mes rehative të qytetërimit, shumë pak njerëz qenë në gjendje të dallonin se Dielli i botës po lindte. Lindi si një foshnje e vockël, me një yll që ndriçonte qiellin për t'i prirë të thjeshtët nga zemra drejt vendit ku mund ta adhuronin. Dijetarët, pleq që i kishin ruajtur me fanatizëm traditat dhe njohuritë e tyre dhe i kishin vënë vetëm në funksion të gjetjes së rrugës për të foshnja Diell. Barinjtë, më të thjeshtët e njerëzve, të pakorruptuar nga përçudnimet e qytetërimit. Zdrukthëtari zemërartë e fjalëpakë. E virgjëra që bëhej nënë.

Terri përqark nuk ishte i pakët: i ligu me forcat e tij të vendosur për shkatërrimin e foshnjës, përmes hanxhinjsh që nuk kishin vend për Diellin e tyre, një mbreti blasfemues, ushtarësh që nuk u dridheshin duart nga gjaku i foshnjave, një komb i hutuar që mendonte se çlirimi i tyre gjendej veç te rrëzimi i Romës, etj.

Duket tani plot kuptim mbivendosja e Krishtlindjes ndaj festës së Ngadhënjimit të Diellit. Foshnja diell i natyrës dhe foshnja Diell, Shpëtimtar i kombeve, Zot i tyre. Mezi te dallueshëm të dy, mes të ftohtit e rrëmujës. I pari simbol dhe shenjë e të dytit. Mahnitje që dielli lind e rritet në fuqi mu ne mes të territ të dimrit e perdes se kallkanit. Mrekulli që Dielli lindi mes territ të mëkatit tonë dhe u rrit "në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve".

Ngroh, o diell, në kallkanin tonë! Qoftë lëvduar Jezus Krishti!

Dielli i vërtetë gjithashtu festohet në dhjetor. Foshnja në dukje e brishtë erdhi të shpëtojë kombe.


Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.