Iku vapa me gushtin: Gëzuar Djegagurin!



Besimtarët e traditave katolike dhe ortodokse të besimit të krishterë festojnë sot atë që quhet si dita e fjetjes ose ngritjes në qiell të Shën Mërisë, nënës së Krishtit. Kjo është një festë tipike e zonave evropiane të krishterimit, e përhapur më pas edhe në zona të tjera të botës ndërkohë që kisha zgjerohej në të njëjtin hap me kolonitë evropiane kudo në botë. Por çfarë festonin evropianët para kësaj dite,  para se kjo datë të “rrëmbehej” nga kisha?
Muaji gusht e merr emrin e tij në nderim të perandorit të parë të Romës antike, Oktavian Augusti. August është titull i dhënë atij për nderim, dhe fjala do të thotë “i ndritur”, tipar që populli mendonte se Oktaviani e kishte, bazuar në zhvillimet e mëdha dhe kohën e pashoqe të paqes që karakterizoi sundimin e tij. Gjuha shqipe, siç dihet, ka prirjen t’i shkurtojë fjalët në rrokjen e vetme të domosdoshme, ndaj edhe “August” është për “gusht”.
Muaji pararendës, korriku, ka ruajtur në shqip të njëjtin funksion apo veprimtari që i vishnin këtij muaji të parët tanë, që para njohjes me Romën. Ky ishte dh është muaji kur nisin të korrat, nga frutat e ndryshme e deri te disa drithëra. Ky është edhe muaji kulmor i verës. Në latinisht dhe gjuhë të tjera neo-latine, (apo edhe vende të tjera dikur të pushtuara nga Roma e që prej saj kanë marrë edhe shumë fjalë) emri i këtij muaji është një variacion i emrit të Jul Qesarit, diktatorit romak pas vrasjes së të cilit nga tradhtarët Brut , Kras e të tjerë erdhi në pushtet Oktavian Augusti dhe u vendos sistemi perandorak.
Dita e pesëmbëdhjetë gushtit (“ferragosto” për italianët) në shqip quhet “Djegagur”, fjalë tejet domethënëse, duke qenë se nënkupton kulmimin e vapës së verës, aq sa “djeg edhe gurin”. Kjo datë është e kundërta e Buzmit që festohet në kalimin nga 24 në 25 dhjetor (Krishtlindja sot për botën e krishterë). Në Buzm është kulmi i errësirës dhe varrosja simbolike e dritës, një ditë që, në kontekstin e klimës dimërore evropiane, ishte vërtet për t’iu druajtur. Por, në të vërtet, Buzmi është në fakt ditë shprese, sepse, ashtu si fara e bimës varroset në dhé e më pas shpërthen në jetë, ashtu edhe drita vetëm sa vjen e shtohet pas varrosjes së saj në atë natë më të gjatën e vitit. Jo çdo errësirë vjen për të nxirë. Jo më kot emri “Sol Invictus” (dielli i pamposhtur) është për 24-25 dhjetorin, jo për Djegagurin.
Në Djegagur, duket sikur dielli nuk do të pushojë kurrë së ndrituri e së dhëni jetë për tokën dhe të vegjlit e saj, por në fakt shkëlqimi i diellit vetëm sa do të ftohet në ditët pas saj. Njerëzia punonte e festonte gjatë ditëve pararendëse, festime që kulmonin me ditën e Djegagurit, kur muaji i të korrave (sipas datimeve arkaike) arrinte fundin. Kjo ishte për ta dita për t’u kujtuar se drita, kur arrin kulmin e saj mbi tokë, vetëm do të bjerë më pas. Ishte dita kur, më shumë sesa të harboheshin (siç ndodhte në Romën e lashtë më të vonshme me Buzmin, apo Saturnalia-n), duhej të kujtoheshin se acari ishte pas dere dhe se vdekja e kalbja nuk do ta kursente të papërgatiturin.
Nuk e di a ishin të ndërgjegjshëm për këtë të lashtët, por është mençuri e madhe vënia e pikërisht këtyre emrave këtyre dy muajve të verës: korrik për Jul Qesarin dhe gusht për Oktavian Augustin. Jul Qesari ishte gjithçka që Roma përfaqësonte: shpirtin luftarak dhe ngritjen e njeriut në pozita pushteti vetëm pasi e ka vërtetuar veten në fushë të mejdanit. Edhe korriku, muaji i emëruar pas tij në gjuhë joshqipe, është gjithçka që përfaqëson vera: ngrohtësi e sigurt, fruta që piqen njëri pas tjetrit, dhe fundi i verës është ende larg.
Njësoj, Oktavian Augusti përfaqëson fillimin e asaj që do të ishte Roma perandorake: një shpërthim i madh zhvillimi ekonomik e (gjoja) kulturor, zgjerim i pamasë i kufijve të asaj që dikur ishte një qytet-shtet fisnor, dhe një kohë paqeje e stërzgjatur që duket se i qullosi përfundimisht shpirtrat dhe trupat e romakëve, edhe pse asokohe zor se e vinte re kush, nën verbimin e dritës së Augustit. Edhe gushti, muaji i emëruar sipas Augustit, ngjan i shndritshëm (përvëlues këtë vit), shumica e njerëzve shkojnë me pushime në këtë muaj, punët bujqësore janë mbaruar dhe hangarët presin të mbushen, që të mund të përballohet dimri. (Domethënë, kështu ka qenë kur njerëzit jetonin natyrshëm dhe i hanin gjërat vetëm kur e kishin kohën e tyre të vërtetë.)
Të parët e dinin mirë se, ashtu si nuk ka errësirë që nuk e çan dot drita, ashtu edhe drita mund të jetë gënjeshtare kur duket sikur nuk do të zbehet kurrë. Roma pas Augustit ishte si Izraeli pas Solomonit: rënie e lirë në dekadencë, udhëheqës çiliminj, të rinj të arsimuar me dokrra e pa përvojë jete, popull pa identitet nën joshjen e çfarëdo mistike lindore që i binte rruga nëpër Roma. Fundja, të gjitha rrugët të çonin në Romë, dhuratë e perandorisë që nisi me gushtin Augustian.
Gushti i Romës ka ikur. Ikën edhe vapa me gushtin, siç na kujton Djegaguri, çfarëdo që të jetë “gushti” në jetën tënde për fazën ku je. Shijoje dritën sa është në kulmin e saj, pa ia prishur gëzimin nga dija se mbaron shpejt, por pa i hyrë në hak duke u shfajësuar me bollëkun e saj për të mos i paraprirë acarit kur të trokasë në derë. Gëzuar Djegagurin!

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.