Jeta e një dragoi; Tribut për Majkëll Kollins

Majkëll Kollins, 16 tetor 1890 - 22 gusht 1922


Majkëll Kollinsi (Michael Collins) u vra pabesisht më 22 gusht 1922. Më poshtë vijon një biografi e shkurtër përmbledhëse e një prej figurave të mia të preferuara nga shekulli i njëzetë, sidomos duke marrë parasysh simpatinë që kam pasur për Irlandën që prej mësimeve të historisë në shkollë të mesme.

Majkëll Kollins lindi më 16 tetor 1890 Kontenë e Korkut në atë që sot është Republikën e Irlandës, konte kjo të cilën Mbreti Henrik VII i Anglisë (ati i Henrikut VIII) e quante “konteja rebele”. Kollins ishte më i vogli ndër tetë fëmijët e Majkëll Xhon Kollinsit, fermer dhe matematicien amator dhe dikur anëtar i lëvizjes Vëllazëria Irlandeze Republikane, dhe bashkëshortes së tij Ana. Kollins do të ishte gjashtë vjeç kur babai i tij do të vdiste.

Me familjen, në moshën tetë vjeç.

Shpirti i zjarrtë dhe fryma patriotike do t’i vihej re që në moshë të njomë, duke pasur, përveç të atit, edhe dy shembuj madhorë për nacionalizmin dhe krenarinë e të qenët irlandez: një kovaç të zonës dhe drejtorin e shkollës ku u arsimua. Familja e quante me përkëdheli “Çuni i madh” (The big fellah), duke qenë se ai ishte në fakt më i vogli, por edhe shumë kokëkrisur e guximtar.

Ishte epokë tjetër dhe djemtë piqeshin e bëheshin burra shumë më shpejt se tridhjetëvjeçarët adoleshentë të kohëve tona. Nga mosha trembëdhjetë deri më pesëmbëdhjetë vjeç, Kollins ndihmonte si reporter dhe faqosës për gazetën “The West Cork Paper”, ndërkohë që ndiqte studimet në një qytet duke jetuar me familjen e motrës e duke u kthyer në shtëpi çdo fundjavë.

I la studimet e përgjithshme në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, bëri provimin për Shërbimin Civil Britanik dhe nisi të punonte si nëpunës poste në Londër, duke jetuar sërish me familjen e një motre tjetër. Gjatë asaj kohe, ndoqi studimet për drejtësi në King’s College të Londrës dhe, në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare, u lidh për herë të parë me Vëllazërinë Irlandeze Republikane. Më pas, do të shkonte të punonte për një vit në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e do të kthehej në vitin 1916. Prej këtu, jeta e tij nuk do të ishte më e njëjta.

Në rininë e hershme.

Ndërkohë në Irlandë, refuzimi i vazhdueshëm i Britanisë për t’u dhënë autonomi (Home Rule), si edhe revolta të ndryshme punëtorësh (ndikimi marksist në këto vite në Irlandë është i dokumentuar), kishin çuar në krijimin në 1913 të dy grupeve madhore paraushtarake nacionaliste, të cilat më pas do të bënin të mundur atë që njihet si Kryengritja e Pashkës (Easter Rising) në 1916. Këto dy grupe ishin Ushtria Qytetare Irlandeze, e themeluar nga Xhejms Konolli në mbrojte të punëtorëve gjatë një greve të 1913, dhe Vullnetarët Irlandezë, e krijuar nga nacionalistët irlandezë në kundërshtim të lëvizjeve protestante probritanike të kohës.

Në këtë zhvillim madhor për historinë e Irlandës, Majkëll Kollins u përfshi në fillim si këshilltar për një prej organizatorëve të Kryengritjes, e më pas si përgatitës armësh dhe stërvitës i trupave për luftë. Më pas, u përshi edhe vetë në përplasjet me forcat britanike në Dublin, përkrah udhëheqësve. Kryengritja u shtyp pas gjashtë ditës, por qëllimi ishte arritur: qëndresa kishte zgjatur mjaftueshëm që, sipas kritereve ndërkombëtare të kohës, të kishte baza për të pretenduar pavarësi e që kjo çështje të merrej parasysh në mënyrë serioze diplomatike.

Pas shtypjes së Kryengritjes dhe dorëzimit të organizatorëve, Kollins e të tjerë u arrestuan dhe u vunë nën mbikëqyrje britanike. Më pas, ai u dërgua në një kamp internimi në Uells, duke i shpëtuar mrekullisht një dënimi më të rëndë ku do të merrej në pyetje nën tortura e ndoshta edhe të ekzekutohej.

Ishte pikërisht boshllëku politik dhe udhëheqësor që shkaktuan ekzekutimet e kryengritësve të 1916-ës që bënë të mundur ngritjen e figurës së Kollinsit në sferën nacionaliste irlandeze, dhe ai i nisi planet për atë që e quante “herën tjetër” që para se ta largonin nga Dublini si të burgosur. Ai ishte i ndërgjegjshëm për gabimet trashanike strategjike që kishin bërë organizatorët e Kryengritjes, të cilët, edhe pse trima e atdhedashës, ishin mposhtur së pari nga mungesa e përvojës, por edhe nga zjarri i pakontrolluar tipik i shpirtit irlandez.

Pas daljes nga internimi, Kollinsi iu bashkua themeluesit të organizatës nacionaliste gjithëpërmbledhëse Sinn Féin (themeluar më 1905), Artur Grifinit (Arthur Griffin). Tashmë Kollinsi mbështeste qasjen e “forcës fizike”, por arriti të kishte mbështetjen edhe të “pacifistëve” e t’i bënte bashkë nën Sinn Féin-in, pavarësisht mosdakordësisë së tyre me modelin e monarkisë së dyfishtë sipas shembullit të Hungarisë në ndarjen nga Austria që Grifini mbështeste. Sinn Féin-it do t’i bashkohej edhe Éamon de Valera, biri i lindur në Nju Jork të SHBA-ve i një gruaje irlandeze dhe një burri bask. De Valera zor se ngjan irlandez në pamje, por fundja historia ka shumë mistere. Ai do të bëhej shumë shpejt president i Sinn Féin-it, me tërheqjen e Grifinit.

Éamon de Valera, 14 tetor 1882 - 29 gusht 1975

Sinn Féin-i do të stërfitonte zgjedhjet e përgjithshme të 1918-ës, me shumicë dërrmuese në parlament (për Irlandën) dhe Kollinsin si një prej deputetëve. Ndryshe nga kundërshtarët e tyre politikë, Sinn Féin shpalli se nuk deputetët e saj nuk do të uleshin në parlamentin e Londrës, por do të bënin një parlament të vetin në Dublin. Ky parlament i ri do të quhej Dáil Éireann, që, në gjuhën e tyre kombëtare do të thotë “Kuvendi i Irlandës”. De Valera ishte arrestuar ndërkohë, pavarësisht paralajmërimeve të Kollinsit për t’iu shmangur, por Kollins arrin t’i sigurojë arratisjen.

Krijimi i parlamentit nënkuptoi edhe shpalljen e Republikës në 1919, por kjo nuk u njoh nga asnjë shtet, pavarësisht përpjekjeve diplomatike të vetë Sinn Féin-it, por edhe diasporës irlandeze. Më tej, në janar 1919, kuvendi ratifikoi edhe njohjen e Ushtrisë Republikane Irlandeze (IRA) si ushtria zyrtare e Republikës.

Kollinsi më pas u bë Ministër i Financave, megjithëse ministritë në këtë kohë ishin ose fiktive, ose të përbëra prej vetëm një a dy njerëzish gjithsej që punonin nga shtëpitë e veta për t’iu shmangur arrestimeve apo vrasjeve nga forcat besnike Britanisë. Pavarësisht atyre kushteve, Kollinsi ngriti “Kredinë Kombëtare” (National Loan) për financimin e Republikës Irlandeze dhe ngriti për këtë qëllim gati 400 mijë paund britanikë, shumë prej së cilës 25 mijë ishin në ar. Paratë, të dhuruara nga irlandezët dhe mbështetës të çështjes së tyre, ruheshin në llogaritë personale të personave të besuar (ishte kohë tranzicioni total), ndërsa ari ruhej në dyshemenë e një deputeti deri në vdekjen e Kollinsit në 1922. Ndër ata që morën kredi nga Irlanda për ta “mbështetur”, me qëllim infiltrimin kështu në një ishull aq strategjik për Evropën, ishte edhe Byroja Sovjetike. Ajo dërgoi disa bizhuteri (të familjes perandorake ruse ose aristokratëve të tjerë prej nga i kishin vjedhur) si kolateral. Bizhuteritë më pas u harruan fare dhe u gjetën rastësisht në vitet 1930. Bizhuteritë i çoi në Irlandë Ludvig Martens, kryetari i Byrosë Sovjetike, hebre gjerman që shërbente në Rusinë e ëndërruar nga bashkëhebreu i tij Karl Marks.

Shpallja e Republikës ishte de facto edhe shpallja e luftës irlandeze për pavarësi, e vijuar më pas edhe nga përplasjet e armatosura të vazhdueshme me forcat britanike të stacionuara në vend. Gjatë kësaj kohe, Kollinsi pati detyra të ndryshme: president i Vëllazërisë Irlandeze Republikane, Shef i Inteligjencës për IRA-n e cila tashmë kishte mandatin për fushatë të armatosur, si dhe Drejtor i Vullnetarëve Irlandezë dhe Gjeneral Ndihmues i tyre. Ai ishte i vendosur të mos i printe ata djem në kasaphana të panevojshme që do të korrnin vetëm fitore simbolike pa asnjë peshë për fitoren e përgjithshme të Irlandës. Përkundrazi, ai i drejtoi ata në sulme guerile tejet efikase, duke sulmuar shpejt e duke u tërhequr po aq shpejt, të vështira për t’u kapur. Urdhrat e dhëna prej tij për ekzekutim spiunësh dhe agjentësh që ndihmonin britanikët nuk munguan gjatë kësaj kohe. Ai formoi dhe drejtoi “Skuadrën” e cila i kryente këto sulme, me kundërshtim të pashmangshëm nga pjesët më pacifiste të grupeve të përfshira në të njëjtin synim për vendin e tyre.

Duke inspektuar një ushtar.

Shpalljet britanik për shpërblim të majmë për informacion që do t’i ndihmonte ta kapnin ose vrisnin Kollinsin nuk munguan po ashtu. Në 1920, qeveria britanike ofroi dhjetë mijë paund (ose treqind mijë paund, më kursin e sotëm) për këtë qëllim. Pasi e mori vesh këtë, Kollinsi dhe Skuadra e tij vranë disa oficerë britanikë në atentate të ndryshme. Si hakmarrje, më 21 nëntor 1920, ushtarakët britanikë hapën zjarr kundër një turme të paarmatosur që po ndiqnin një ndeshje futbolli. Ngjarja mbahet mend sot si “E Diela e Përgjakshme” (Bloody Sunday), ngjarje që ia shtoi edhe më shumë zjarrin qëndresës irlandeze duke përfshirë çdo nivel të popullit, jo vetëm militantët.

Në korrikun e vitit vijues, qeveria britanike ofron armëpushim. Pas kësaj, kuvendi i Irlandës dërgoi delegatë në Londër me ftesën e qeverisë britanike për të diskutuar për një traktat paqeje. Sigurisht, Kollins ishte udhëheqësi i irlandezëve, ndërsa nga ana e britanikëve ishin kryeministri Lloid Xhorxh, F.E. Smith, dhe bulldogu i vjetër që e bëri Evropën çorap për dhjetëvjeçarët që do të vijonin, Uinston Çërçill. Traktati u nënshkrua më 6 dhjetor 1921 dhe parashikonte për statusin e dominionit për “Shtetin e Lirë të Irlandës”, e cila do të mbetej në Komonuelthin anglez sipas modelit të Kanadasë së asaj kohe. Pas nënshkrimit të traktatit, F.E. Smith tha: “Sot mund të kem firmosur mandatin për vdekjen time politike.”. Kollinsi iu përgjigj: “Unë mund të kem firmosur mandatin e vdekjes sime të vërtetë.”.

Si delegat në bisedimet për Traktatin me Anglinë.

Ishte pikërisht ky traktat që vërtet do t’i firmoste dënimin me vdekje Kollinsit. Ashtu siç me siguri Çërçilli kishte synuar, irlandezët u përçanë pa masë nga ky Traktat për të cilin Kollinsi kishte menduar se ishte gjëja më e mirë për kohën për Irlandën dhe se vazhdimi i konflikteve ishte i tëri në avantazh të Britanisë e cila, me trupat dhe mundësitë që kishte, përbënte një leviathan kundërshtar për Irlandën që, asokohe, ishte pak a shumë si Shqipëria e 1912-es. Por njerëzit ishin të pakënaqur, dhe kjo ishte me dobi për politikanët e tjerë në vend, përfshirë De Valerën. U bënë debate, protestantët e veriut kapën çastin dhe u turrën kundër katolikëve vendas, Kollinsi arriti të nënshkruante paqe me ta, qeveria e përkohshme vijoi, e pastaj Lufta Civile në Irlandë. Ngjan shumë me gjithë trazirat e brendshme me fonde turke e të tjera që ndodhën në Shqipëri në vitet e rrëmujshme pas Pavarësisë.

Çfarë Anglia kishte dashur, e sidomos “puna e pisët e Çërçillit” siç dyshonte Kollinsi, po ndodhte. Por Kollinsi ende kishte ndikim të madh në popull e politikën vendase dhe skilja Angli nuk kishte arritur ta zhbënte figurën e tij apo ta bënte De Valerën më të dashur për popullin sesa ai. Në gusht të 1922, me përpjekjet dhe ndërhyrjet e Kollinsit, Lufta Civile dukej se po shkonte drejt fundit dhe Shteti Irlandez po rifitonte kontrollin, gjë që nuk u voliste shumë palëve me interesa në Irlandë.

Më 22 gusht 1922, Kollinsi u nis për një udhëtim në Kontenë e Korkut, vendlindjen e tij, pavarësisht këshilltarëve që e paralajmëruan të mos e rrezikonte atë udhëtim bazuar në situatën ende të nderë të kohës. Por Kollinsi ishte i sigurt se të paktën “nuk do të më gjuajnë në vendlindjen time”. Ndaluan në një kryqëzim për t’i kërkuar drejtim një personi që u gjend aty, i cili doli që ishte nga pjesa kundër-Traktat. Ky i fundit njoftoi të tjerë që e mendonin njësoj kundër Kollinsit, dhe, së bashku me ta, vunë një postbllok nga ku më pas do të bënin atentatin kundër Kollinsit kur ai dhe ata që e shoqëronin të ktheheshin sërish me makinë aty.

Ndodhi siç e kishin parashikuar. Sipas versionit zyrtar, shoqëruesi i Kollinsit i tha shoferit t’i jepte gaz në maksimum makinës, me shpresën që do të arrinin ta çanin rrethimin, por Kollinsi nuk kishte ndërmend të rrezikonte të vdiste si frikacak. Ai tha të ndalonin dhe nisi të kthente zjarr mbi atentatorët, derisa pushka e tij u bllokua dhe Denis O’Neill e vrau me plumb në kokë.

Ky është versioni zyrtar, por dyshimet mbi vdekjen e tij mbeten të pazbardhura ende sot. Trupit të tij nuk iu bë autopsi, dhe ai ishte i vetmi që u vra në gjithë atë shkëmbim zjarri që na përshkruhet. Vite më pas, vrasësi i tij, që dikur kishte shërbyer më forcat britanike si snajper gjatë Luftës së Parë Botërore e më pas i ishte bashkuar IRA-S, u shpërblye nga shteti irlandez me pension pleqërie siç i takonte dikujt me gradën Kapiten. De Valera, nga ana e tij, mendohet të ketë thënë në 1966 se historia do të kujtonte madhështinë e Kollinsit, ndërsa ai vetë nuk do të merrte nderim. Megjithatë, De Valera ka një pyll me emrin e tij në Izrael për ndihmën ndaj atij populli.

Denis O'Neill.

Trupi i tij priti vizitat dhe nderimet e popullit për tri ditë me radhë, dhe populli erdhi me dhjetëra mijëra secilën prej tri ditëve. Varrimi i tij më pas u krye në praninë e rreth 500 mijë njerëzve, që asokohe përbënte një të pestën e popullsisë së gjithë Irlandës. Hetime për vrasjen e tij nuk u kryen kurrë, as pas varrimit.

Majkëll Kollinsi ishte një irlandez në gjithë virtytet dhe veset e këtij kombi kaq të ngjashëm me ne shqiptarët, prej nga buron edhe dashuria ime e veçantë për këtë vend magjik të Evropës. Dashuronte vendin e tij, dashuronte familjen, nderonte prindërit dhe të moshuarit, çmonte shumë mikpritjen dhe sakrificën, sipas modelit të nënës së vet, sa edhe i pëlqenin sherret dhe sportet fizike. Kishte fituar edhe një kampionat mundjeje që kur ishte fëmijë dhe e kishte pasion të sfidonte djemtë më trupmëdhenj që njihte dhe shpesh i mundte. Me mundje u mor gjithë jetën, sidomos si çlodhje në kohë të rënduara. Nuk mund të jesh më irlandez se kaq!

Trimi i mirë me shokë shumë, thotë shqiptari. Kollinsi ishte sigurisht i tillë, ndryshe nga pjesa dërrmuese e politikanëve të asaj kohe dhe të së tashmes që jetonin e jetojnë në paranojë. Nëse për pjesën dërrmuese patriotizmi dhe nacionalizmi niste nga “ideja e Irlandës”, për të lindnin nga ngrohtësia dhe respekti për njerëzit që përbënin Irlandën, me të mirat e të metat e tyre. Ndër fjalët e fundit që shkroi në ditarin që mbante gjithmonë në xhep, shkruar gjatë udhëtimit ku gjeti edhe vdekjen, janë: “Njerëzit janë të shkëlqyer.”.

Ishte tmerrësisht besnik me financat e vendit dhe, në disa raste gjatë shërbimit qeveritar, praktikisht e vetmja pasuri që kishte ishte çatia mbi kokë. Shpeshherë ofrohej edhe të paguante qiranë e makinave që përdorte, nëse ndodhte që të bënte me to ndonjë udhëtim personal. Saç jepte urdhra sipas natyrës së tij të zjarrte e prej udhëheqësi të lindur, aq ishte edhe i etur të dëgjonte këshillat e njerëzve më të mençur se ai. Nuk pranoi kurrë të jetonte në fshehtësi e siguri, pavarësisht rrezikut që i kanoste çdo çast jeta që kishte zgjedhur.

Ishte i fejuar vitin e fundit të jetës me Kiti Kiernanin (Kitty Kiernan) dhe pritej të martoheshin. Historia tregon shpesh se, mjerisht, njerëzit vërtet të mëdhenj lënë pak ose aspak trashëgimtarë pas. Kollinsi ishte 31 vjeç, më shumë vite të mira se shumë prej nesh.

Kjo mendohet të jetë fotografia e fundit e Kollinsit, pak kohë paravrasjes.


Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.