Jambeja, Dhemetra dhe Bauboja: tradita e humorit në mes të zisë

"Dhemetra vajton për Persefonën", nga Evelyn de Morgan, 1906

Dhemetra ishte perëndesha e tokës dhe, për pasojë, e jetës në përshpirtjen e lashtë pellazgo-ilire, që sot quhet “mitologjia greke”. Emri i saj është më shumë titull se emër, edhe pse, në trajtën e sotme, është përshtatur me fonetikën dhe diksionin grek. “Dhemotra” duhet të ketë qenë emri dhe titulli i saj i natyrshëm: “motra e dheut”, si një pararendëse e figurës së “Të bukurës së dheut” në përrallat e mëvonshme shqiptare, të shndërruara më shumë në gjëegjëza për t’iu fshehur së pari krishterimit e pastaj islamit.

“Motër”, sepse kjo është fjala ilire (nordike/gjermanike) për “nënë”. Fjala e sotme “nënë” është përshtatje e perëndeshës sumere (pellazge) Inana, kryezonja e përshpirtjes matriarkale sumere. Duke qenë se roli i Inanës sumere/pellazge mbi sferën qiellore ishte më i lartë se i Dhemetrës ilire, emri i matriarkes së shtëpisë u bë “nëna” (“nana”, në gegnisht), ndërsa emri “motër” iu dha asaj që lindte nga nëna, matriarkja e dytë e shtëpisë. (Për ndonjë feminist të rastit, përshpirtja e përbashkët iliro-pellazge është patriarkale, siç edhe duhet, sepse është gjithmonë një Kryezot që mbikëqyr dhe vendos rregull mbi gjithçka. Sumerët jetuan shumë kohë në lindje, ndaj edhe matriarkati i tyre.)


Tregon miti pellazg se Hadesi (“ai që ha, pra përpin si dheu dhe ruan në amshim të vdekurit) rrëmbeu Koren, bijën e Dhemetrës, dhe e mori në botën e tij. Vajza quhet ndryshe edhe Persefonë. Ky është sigurisht një mit me dy presa: nga një anë simbolizon rrëmbimin e parakohshëm të jetës rinore nga vdekja dhe vajtimin e kuptueshëm për të, e nga ana tjetër simbolizon edhe “vdekjen” e gjatë në vitin evropian, rrëmbimin e pranverës jetëndjellëse nga acari dimëror.

Kur Koreja u rrëmbye dhunshëm nga nëna e saj, Dhemetra ishte e pangushëllueshme, si një grua e zakonshme e këtyre trevave që zinë dhe vajtimin e mban si kurrkush në botë. E gjetën ashtu të përvuajtur e në lot Dhemetrën dy personazhe që sikur i kishte çuar Zeusi vetë derisa ta zgjidhte çështjen me Hadesin e t’i jepte paqe më të plot motrës/gruas së tij.

Dhemetrës shpirtkëputur iu afrua Jambeja, e përshkruar si thrake, sakate, dhe bijë e Panit dhe Jehonës (ose Eko, siç i thonë grekët, sërish nga onomatopeja shqipe “ehej!” kur thërrasim, jehojmë a vajtojmë). (Jambeja është ajo prej së cilës merr emrin vargu/metri jambik në poezi.) Vajza iu afrua hyjneshës dhe u përpoq t’ia lehtësonte dhimbjen përmes vargjesh qesharake, shakash plot humor e kërcimesh nën ritmin e metrit jambik.

Por hyjnesha mbetej e hidhëruar. Miti vijon duke thënë se atëherë iu qas asaj në mes të dhimbjes një grua plakë zëlartë e hokatare shumë: Bauboja, hyjnesha e haresë. Ajo erdhi te Dhemetra me mendje të ndarë se e përvuajtura do të qeshte sërish patjetër.

Përshkrimi artistik më "i pranueshëm" i mundshëm që mund të gjeja për Baubonë

Thuhet për Baubonë se, duke përfituar nga mosha e vjetër dhe fakti që i kishte mbyllur, si të thuash, të gjitha punët e jetës ku i duhej të ndrojtja, eleganca e të tjera gjëra vajzërore, ishte e lirshme tërësisht në fjalët e pastra e të pista që i lejonte vetes të thoshte. Por të gjitha ishin për qëllimin e sjelljes së haresë mes njerëzve, edhe përmes ndonjë “pisllëku” kur bën punë. Kështu, Baubo i dha Dhemetrës ujë elbi (jodehëse, por qetësuese) dhe nisi nga rrengjet e saj babaxhane. Aq “rëndë” ishin shakatë (detajet mund t’i kërkoni vetë në internet), sa Dhemetra nuk mund të mos qeshte para mirëdashjes së kësaj nëne që ishte e gatshme të tallej aq shumë me veten, vetëm që Dhemetra të fshinte lotët për pak çaste.

Së bashku Jambe, Dhemetra dhe Baubo përbëjnë atë që quhet triada femërore: vashë, shtojzovalle, dhe plakë.

Kur lexova për herë të parë për Jambenë dhe Baubonë, m’u kujtua menjëherë se një traditë si kjo e kemi pasur deri shumë vonë (e në disa raste e kemi ende) në fshatrat e Kavajës (dhe tjetërkund, besoj). E ndjera tezja ime, më e madhja mes vëllezërve dhe motrave të saj, ishte një Baubo e tillë, duke sjellë qëllimtaz sa edhe natyrshëm ca shkëputje humori në mes zije të madhe. Në zonat tona, ky rol i takonte gjithmonë më të vjetrës së grupit, asaj që i kishte mbyllur detyrimet me ndrojtjen dhe elegancën, dhe që i përshtatej edhe karakteri. Sot, të njëjtin rol e bën një tjetër teze e nderuar, prania e së cilës ka qenë melhem për mua personalisht në zi të madhe dhe këputje shpirti.

Uroj që unë, dhe të tjera, do ta mbajmë gjallë traditën që ia doli të qëndronte mes nesh nëpër turbullirat e kohës. Kur të jemi bërë edhe ne plaka hokatare, jo tani që jemi ende vasha a zonja të reja. E gjitha kjo teksa Hyji atje lart lidh Hadesin dhe bën gati bashkimin sërish me të dashurit tanë në amshim, në kohën e Vet.



Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.