Prifti në botën e çudirave

At Zef Pllumi (28 gusht 1924 – 25 shtator 2007)


Vitin e parë pas Luftës:

“...komunizmi në Shqipní nuk ishte nji lëvizje kombëtare, nji çashtje e mbrendshme e popullit, porse ishte rrjedhojë e nji diplomacie të paskrupull që flijonte gjysmën e Evropës mjaft t’i siguronte lirinë e mirëqenien gjysmës tjetër.”

“Njerëzit e pafe paskan vetëm bark!”

***

Para gjyqit të kushedisatë:

"U shrtrina me fjetë, po ku vinte gjumi? Gjithë natën e gjatë këtë herë ndeja tue luftue me Zotin. Si asht e mundun që njerzit e mirë, jo vetëm vuejnë tanë jetën, por edhe i mbysin pa faj!? Ndërkaq njerzit e kqij, tiranët gjakatarë, gëzojnë të gjitha të mirat! E jo vetëm sot ndodhë kështu, por gjatë gjithë historisë së njerzimit. Mister i pakuptueshëm! Dukej sikur Zoti t’ia kishte lanë sundimin e kësaj toke djallit e për vete të kishte rezervue vetëm qiellin. N’ato çaste dëshprimi m’u duk se Zoti nuk kishte veprue drejt me njerzit tue i hjedhë cipllak në këtë tokë nën mëshirën e nji bishe mizore!

Në mëngjes i thashë vedit: nata gjithmonë bjen vetëm mendime të zeza. Dashtë Zoti e mos t’u shkojnë këto tundime atyne katër kolegëve të mij të shkretë, të cilët do të bëhen flije e pafaj për t’ardhmen mâ të mirë të popullit shqiptar që, çmos kush tjetër, gjatë historisë së vet, ka flijue vlerat e tij shpirtnore e morale për dobi të të mirave të përkohshme materiale. E gjithë doktrina jonë fetare i ka themelet te “flija e panjollë”, te qingji i Zotit që shlyen mëkatet e botës! Jo vetëm nga pikëpamja fetare, por edhe nga ajo kombëtare, e pashë si kërkesë të domosdoshme historike, që kleri katolik shqiptar, të jetë sot “flije e pafaj (e panjollë)” e nji turpi të kaluem historik, gjithashtu shi ai që “ruejti dhe zgjoi gjuhën e ndjenjën e lirisë së kombit”, sot duhej bâ flije për kombin që mos të shkrihej e të zhdukej ndër valët e “internacionalizmit proletar” që sundonte sot. M’u duk sikur atje në qiellin e pafund pashë Zotin e Madh që me gishtin e Vet, ngadalë e ngadalë po sillte rrotën stërmadhe të historisë dhe këtu poshtë, në tokë xhuxhët, kukullat njerzore luejshin pa pushim lindjen, jetën e vdekjen. Kërkova falje për mëkatin tem: “Mëshirë, o Zot, edhe un jam gadi. Ban Ti si të duesh!”"

***

Prifti në botën e çudirave:

"At Marjani ishte nji burrë i vjetër, por që kishte vizione e ide çuditërisht të reja. Dikush mund të thonte për tê se kishte maninë me kundershtue me thye ligjët e mâ tepër praktikën tradicionale. “I delte punë edhe me shêjten”, siç thotë populli, sepse ai javë për javë u ndrronte vend elterve, statujave e figureve. Ai nuk çante kryet për shka thoshin tjerët. Vepronte pa iu përkulun kritikave e shamatave: “Vetëm dogma nuk mund ndrrohet”, thonte ai, “për tjerat gjithsecili simbas dritës shpirtnore të vet.”... ai organizonte gjithmonë misione shetitse për të pajtue mënitë e gjaqet e me i avitë njerzit e ftoftë."

***

Çifutët e fshehtë të Gjirokastrës:

"Ec, e ec, e ec, e na duel kundruall Gjinokastra e Enver Hoxhës. Me të vërtetë, ka pas hak Shën Kozmai që nuk u ndal me fjetë n’atê qytet, edhe se nata ishte afër, kur po kthehej nga Korfuzi. Jo, - tha ai, - nuk mund ndaloj në këtë qytet, sepse mbas njëqind vjetësh këtu do të lindë dreqi mâ i madh i shekujve. Me të vërtetë ashtu ndodhi. Asht e çuditshme se si Gjinokastra, nji qytet malor, ku banorët e saj merren sa me blegtori dhe aq me “kadillëk”, por me shka kam vrejtë në jetën teme personale, janë njerëzit “ma qytetarë” në Shqipní. Shumë herë jam përpjekë të zbërthej këtë të panjoftun. Më bjen ndërmend se njiherë, kur ia shtrova këtë problem nji mikut tem, m’u përgjegj: “Pse nuk e din?! Gjinokastritët ishin të gjithë çifutë t’ardhun nga Spanja. Vetëm Ali Pashë Tepelena i detyroi ata përdhuni t’islamizoheshin, ashtu si bani me Sulin. Shtëpia e “Zekatëve” don të thotë se dikur, atje në Spanjë, “ata prenin pare” ose kishin “Zeken”, ndërsa këtu në Shqipní ata do merreshin me dele, si Abrami, i pari i tyne, ose si gjygjtarë të të tjerëve. Por origjina e tyne, me siguri, asht çifute. Nuk ka dyshim, ata e sundojnë Shqipninë. Veprojnë si në gjithë botën."

***

Njeriu i lirë është njeriu barbar:

“Kur u kthye At Gjoni prej Kodër-Shëngjergjit, mbas tri ditësh, erdh me nji tufë formularësh zyrtarë që ia kishin dhënë për me bâ regjistrimin e popullsisë në pregatitje të zgjedhjeve të ardshme. Simbas listave ishin ë mobilizuem të gjithë njerzit e shkollës për me regjistrue, bashkë jepeshin edhe udhzimet përkatëse. Mue më kishin caktue në Vranë, lagja mâ e eper e Nikajve, ndërsa At Gjonin aty afër Kishës.

Kah mbarimi i Shtatorit klima filloi me u egërsue. Në fillim të Tetorit na u nisem për me kthye në Shkodër. At Gjoni tasheparë e ndalonte mushkun për me kundrue lugun e Nikaj-Merturit. Sikur të donte me u çmallë me jetën.

-       -  A e sheh? – më thonte. – A e sheh? Kjo zonë asht perla mâ e çmueshme e Evropës! Po t’ishte kjo zonë në Prendim, do ta thurshin me tel e mos me lan kurrkënd me hî pa kontroll.
-       - Po pse Pater? Me na bâ si parqet e kafshve n’Afrikë!
-       - Si pse? Po a ke pá se çë jetë bâjnë? A e ke pá ti atê çobanin që del e u prin dhive me i çue në kullotë? Ai ecë drejt, me kryet perpjet. I duket, vetja mbret. Po, ai në të vërtetë asht aq mbret sa çdo mbret tjetër. Ai mundet me bâ shka të dojë me tufën e vet shtasore: e falë, e shet, e vret. Ndersa kur takohet me nji çoban tjetër, e sheh si nji tjetër mbret: i madh o i vogël, simbas tufës që ka. Këtu të gjithë njerëzit janë mbretën, dhe në mes vedit kanë marrdhanje të baravarta si mbretën. Vetëm këtu asht i saktë koncepti i njeriut të lirë. Këtu janë njerzit mâ të lirë që ka bota! Këtu ende nuk ka ardhë feudalizmi! Këtu secili nier asht mbret më vete.
-       - Pater, primitivizmi asht nji fazë mâ e ultë se feudalizmi. Së paku kështu e kemi mësue në historí.
-       - E kush ua ka mësue ju këtë? – Ai që ua ka mësue nuk ka dijtë kurrgjâ. Ai nuk ishte nier i lirë: ai ishte rob i koncepteve të shkencëtarëve tjerë rob. Njeriu nuk duhet të jetë rob i kurrkuj. Kjo asht madhshtia e këtyne: që janë të gjithë të barabartë si njerz të lirë. Feudalizmi në historí, nuk asht kurrgjâ tjeter, por nji vazhdim ose revansh i skllavnisë.
-       - Pse, thue ti që n’atê gjendje të jetohet edhe tash: pa shkollë, pa kulturë, analfabetë?
-     - Ky asht eksperimenti i madh shkencor. Morgani ka shkue me studjue fiset primitive të botës, por nuk ka gjetë me studjue ndonji të racës së bardhë. Kështu konkluzionet e tija mbeten të njianshme, ose të gabueme.

Shumë vitë mâ vonë, kur un ia mbrrijta me e pá të gjithë Shqipninë të rrethueme në tela me gjemba, izolue si çmos kush prej gjithë botës, më binte ndër mend kjo fjalë e mësuesit tim filozof At Gjon Shllakut e thanun vetëm për malsorët e Lekbibajve të dikurshëm, e i bâjshem pvetje vetëm mendjes sime: Kush do të jet ken ai kodosh shkencëtarit që ia ka mbushë mendjen nji të çmenduni për me izolue popullin e krejt nji shteti? Apo ndoshta, ish projekt i asaj diplomacie botnore që i shet e i vret popujt njilloj si tufat e bagtive?”

***

Axha barbar dhe poezia e patriarkatit të humbur:

“Në muzgun e datës 11 Dhetor 1946 mbrrijta në Melgushë. Nuk ishem kenë kurr në shpi të axhës, por aty në shpijat e para të katundit pveta. Robët e shtëpisë filluen me më pvetë: në cilën rrugë erdhe: këndej o andej? A të pá kush? Shka të tha, etj. Mbasi u err mirë erdhi axha. Kur më pá nuk u ligshtue hiç, por u mundue me më largue të keq me buzqeshje edhe mue: Nuk ka gajle, - tha ai, - shka ka mendjen me ardhë mâ mirë të vijë herët se vonë; i rí je, shkollë ke: Zoti e ban mirë, ti kujt keq nuk i ke bâ. Mos u ban marak: gjithshka rregullohet vetem mjekrra e qoses, ajo jo!

... Ishte nji malsuer analfabet por kishte nji përvojë të madhe, e cila e kishte miqësue si me njerzët e shkolluem e të ditun, ashtu edhe me doket e kanunet e maleve, e me tregtarët e matrapazët e qyteteve.

...Një jetë krejtësisht primitive. Axha më dukej tamam si nji prej patriarkve të Biblës, nuk po thom si Abrami, por së paku si Jakobi: tamam si Jakobi me ato dishire e ndjenja, me atê dashuni për familjen, fëminë, pasuninë, bagëtinë e tokën e begatë me të gjitha frytet. Natyra të çon te Krijuesi, te Zoti i gjithpushtetshëm. Vetem atij i kjoftë lavdi! Por që ta shijosh atê jetë patriarkale duhet të jesh poet!

Un n’ato çaste ishem larg çdo poezie.”

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.