Jo ide reaksionare, por dëshirë lotësh


Shpeshherë, parafjalët në libra janë ca të lodhshme e herë-herë të stërzgjatura më kot. Por ka edhe si kjo e përkthyesit Islam Spahiu për “Net të bardha” të Dostojevskit, të thjeshta e mbresëlënëse për shkak të njerëzve në të. Një ekspozim i absurditetit komunist që përpiu shekullin e njëzet të Rusisë dhe Shqipërisë, një konteshë ruse përfunduar në Laprakë, dhe një përkthyes letërsi-dashës shqiptar përfunduar në Spaç ngaqë personazhi i librit të përkthyer prej tij është një... qaraman.

******************

“Në shkollën ku jepja mësim (Laprakë), kisha një nxënës me emrin Aleksandër; bir i një zonje të moshuar, ruse “e bardhë” [aristokrate], siç quheshin ata që ishin larguar nga Rusia pas revolucionit bolshevik. Kjo zonjë e nderuar – Ollga Eftimofskaja – me origjinë konteshë, punonte në bibliotekën e Ministrisë së Arsimit në kohën së cilës i referohemi (vitet 1960). Kështu unë para mundësinë për t’i kërkuar ndihmën e nevojshme për të zbërthyer tekstin origjinal i cili natyrisht ishte në gjuhën e saj amtare. Duke qenë ajo vetë admiruese e Dostojevskit, pranoi me kënaqësi. Meqenëse romani përbëhej nga katër kapituj dhe një epilog (katër net dhe një mëngjes) edhe puna shqyrtuese u krye në “katër seanca” në bibliotekën ku ajo punonte. Mirënjohja ime qe e pakufishme.

Ca kohë më vonë, unë u arrestova nën akuzën “agjitacion e propagandë...”. Si zakonisht të arrestuarit i sekuestroheshin “materiale provë” e kështu, në mes të tjerëve, të gjendej edhe përkthimi në dorëshkrim, “Net të bardha”. Në “ekspertizën” e marrë nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, në mes të tjerash thuhej: “Në tekst (për “netët”) nuk ka ide reaksionare, por ka dëshirë lotësh. Protagonisti është një qaraman, shembulli i të cilit nuk edukon etj...”. Natyrisht m’u desh të mbrohesha e, me sa mbaj mend, thashë që ky roman është bërë film në Bashkimin Sovjetik e pastaj ky film është shfaqur edhe në kinematë tona. Madje, pak më parë, po këtu në Shqipëri, është botuar i përkthyer romani i parë i Dostojevskit “Njerëz të varfër”, prandaj veprimi im nuk ka pse të quhet veprimtari armiqësore. Megjithatë, unë do të dënohesha me burg të cilin e vuajta në kampin e Spaçit (Mirditë).”

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.