Isa Boletini në kujtimet e një anglezi, barbari natyror kundrejt rafinimit shtirak

Isa Boletini me do trima.

Se si nuk është film historia e mëposhtme, vetëm perëndim-mjeri e di! Diplomati anglez Obri Herbert (Aubrey Herbert) përshkruan më poshtë takimin e tij ndërmjetësues me të madhin Isa Boletini.

Ca njerëzve ndonjëherë u vihet shumë lehtë epiteti i madh, ca të tjerëve nuk u njihet sa duhet madhështia. Isa është i këtij sojit të dytë. Nuk e kam aspak të vështirë ta kuptoj mahnitjen e Herbertit nga të qenët në prani të një burri si Isa, nga ata me të cilët Evropa mburrej dikur, edhe pse mysliman: barbar, i besës jo hiles, me mençuri natyrore jo shkollore, me vlerësim aq të drejtë të situatës së Shqipërisë (sidomos Kosovës) para pavarësisë, me fqinj aq jo-fqinj që e rrethonin dhe e shtynin gjithnjë e më shumë drejt qëndrimit me skllavëruesin (fatkeqësisht, vendim shumë i drejtë për aq sa ishte), me parashikim aq të saktë të së ardhmes së Shqipërisë së bashkuar veri-jug: jugu, me shkollim më të mirë dhe dinakëri do të bënte që mesi dhe veriu i Shqipërisë, aty ku barbarët (njerëzit natyrorë) jetonin e vepronin sipas ligjeve natyrore e fisnore, të trajtohej si trevë e dorës së dytë. A nuk ndodhi kështu në komunizëm?

Më poshtë, rrëfimi i Herbertit për këtë takim të mrekullueshëm me një burrë të madh. Lexim i gjatë, por ia vlen çdo fjalë. Nuk gjen më njerëz të tillë, jo me shumicë të paktën. Përkthimi është i imi.

*********

Mitrovicë, 27 gusht 1912

Ja gjashtë prej kërkesave kryesore të shqiptarëve:

1. Shqiptarët të kenë shkolla ku të duan, dhe në to të mësohet gjuha shqipe.
2. Zyrtarët që punonin në Shqipëri të flisnin shqip.
3. T’i kushtohej më shumë vëmendje fesë.
4. Armë për të gjithë, të krishterë e muhamedanë njësoj.
5. Shkolla bujqësore me kushte të pranueshme.
6. Shkarkimin nga detyra të Haki Pashës.

Jashtë ishte natë e përsosur, dhe hëna e stërmadhe shkëlqente në qiellin pa re. Haxhi Salihu po priste me llambë, edhe pse kjo ishte e panevojshme, dhe bashkë ecëm nëpër rrugët jashtë qytetit në drejtim të një hani ku Isa kishte ardhur të më takonte. Isën e rrethonte një numër i madh malësorësh të egër si ai, të armatosur deri në dhëmbë. Ç’pamje ishte kjo nën dritën e hënës! Unë prita në oborr. Një a dy prej tyre erdhën të flisnin me mua; ata zakonisht ishin të largët, por kësaj here dukeshin të rrëqethur me ngazëllim. Pastaj më çuan lart, nga ku pashë se në oborr ishte edhe një turmë tjetër shqiptarësh të armatosur. Muret ishin të veshura krejt me armë po ashtu. Hyra në një odë të bollshme, ku gjeta Isa Boletinin, një shqiptar shumë i gjatë, shtatlidhur, hundëshqiponjë, me sy të mprehtë dhe fytyrë të pashme e të egër, veshur me rroba gege. Një prej bijve të tij, më i madhi nga nëntë që kishte, djalë shumë i pashëm, ndenji në odë që të përkthente për mua në italisht, edhe pse nuk qe nevoja. Të tjerët i nxori jashtë, përveç një burri, e pastaj u ulëm në një divan të ulët ngjitur dritares. Së pari e falënderova që më kishte çuar telegram dhe i thashë se ishte fatkeqësi që Kajmekamin e shkretë e kishin vrarë. Ai ra plotësisht dakord me këtë dhe tha se i vinte keq që më ishte prishur terezia. Populli kishte kaluar kohë tmerrësisht të këqija dhe nuk mund të pritej prej tij të ishte gjithmonë i mirëinformuar apo të vepronte me urtësi. Ai më tha se shqiptarët e donin shumë Anglinë dhe shpresonin që anglezët t’i pëlqenin shqiptarët. E pyeta, “A duan autonomi shqiptarët?”. “Jo”, tha ai, “nuk dun; ajo shka dum ne asht mos me na nërhy njeri n’pun’t tona.” “A doni bashkim?” e pyeta. “Qe besa”, tha ai, “ne nji popull jena.”. Por më tej më sqaroi se bashkimi nuk do të ishte me dobi për veriun, sepse toskët, jugorët, ishin më të arsimuar e më dinakë se veriorët. Shqipëria dëshironte të qëndronte nën sulltanin, por shqiptarët duhej të kishin armë për ta mbrojtur vendin e tyre, armë që turqit e pamend ua kishim marrë. Pasojat e shkeljes së besës ditën e bajramit Isa nuk mund t’i parashikonte. Ishin të pallogaritshme. Shqiptarët do të kishin dashur të luftonin kundër italianëve. (Në këtë luftë, ata iu bashkuan turqve.) Por këtë nuk mund ta bënin pa një flotë. Unë i thashë se kishte shumë vështirësi mënyra e mbylljes së luftës, por stërzgjatja e saj do të thoshte shkërmoqje të Turqisë e, për pasojë, rrezik të madh për Shqipërinë. Me siguri, politika më e mirë për Shqipërinë ishte të arrinin paqe me nder sa më shpejt që të mundeshin me Turqinë? Ai më pyeti se ç’interes kishim ne britanikët në luftën Italo-Turke. I thashë se interesi ynë ishte për shkak se ishim fuqia më e madhe myslimane dhe se donim përfundimin e kësaj situate kaq të dhimbshme për shumë prej nënshtetasve tanë myslimanë (kolonitë). Gjithashtu, shkërmoqja e Turqisë do të thoshte për ne se do të na merreshin brigje detare dhe do të ndërtoheshin në to fortesa e porte nga vende të tjera jo aq miqësore ndaj nesh sa Turqia. Në këtë pikë, disa të shtëna u ndjenë nën dritare. Unë isha i interesuar në bisedën dhe nuk u kushtova vëmendje. Isa hapi pak perden dhe pa jashtë në dritën e hënës. Pas kësaj, një duzinë të shtënash u dëgjuan jashtë. Njerëzit e fisit të tij hynë furishëm në odë dhe morën armët nga muri. Ata ecën, por dukeshin sikur vallëzonin, dhe sytë u shndrisnin. Isa u ngrit vrik me pushkë në dorë dhe më tha, “Shpinë e ka rrethu turku. Unë po dal e po luftoj.”. Unë i thashë, “Ky sherr nuk është i imi, por do të vij me ty dhe, po të zunë turqit, nuk kanë për të të qëlluar sa të jem unë me ty.”. Por ai tha, “Jo, besa, ti je mik n’shpi teme. S’ma le nera ket gja. Ti rri qetu e mro djalën tem.”. Isa dhe burrat e tij vrapuan jashtë. Disa ndenjën të më mbanin mua brenda.

Ata u kthyen brenda thuajse menjëherë. Me sa dukej, kishte qenë veçse një sherr i vogël atje jashtë, me turq thanë, dhe askush nuk ishte lënduar. Jam shumë i lumtur që e pashë këtë skenë. Ishte e mrekullueshme, mënyra si iu vunë krah burrat e fisit Isa Boletinit. Ngjanin si me susta në këmbë, aktivë e të zhdërvjellët si pantera. Nuk çuditem që u rrëzëllejnë aq shumë sytë shqiponjë këtyre njerëzve, sepse po ta kishin shikimin e qetë me shumë gjasa do t’u kushtonte jetën.

Ky interlud na e prishi ca bisedën tonë formale; edhe pse turqit nuk e rrethuan shtëpinë, burrat dukej qartë se ishin acaruar pas kësaj ndodhie. Isa foli prapë për marrëdhëniet e shqiptarëve me turqit. Ata (fliste për sojin e vet këtu) e admironin sulltanin dhe nuk donin të dilnin nga regjimi i tij. Çfarë tjetër i priste nëse dilnin, përveçse dominimi nga serbët dhe malazezët? Më pyeti a do të bëja ç’të mundja për t’i ndihmuar njerëzit e tij kur të kthehesha në Angli. I thashë se do të lumturohesha pa masë të bëja gjithçka në fuqinë time, sepse e admiroja popullin shqiptar dhe se e pëlqeja dhe e admiroja atë vetë jashtë mase. Pastaj u përshëndetëm dhe unë u largova, me shqiptarët që më shoqëruan deri aty ku më prisnin ushtarët turq.

** Origjinali në anglisht mund të gjendet këtu: http://www.albanianhistory.net/1912_Herbert/index.html



Audrey Herbrert, 3 pril 1880 - 23 shtator 1923

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.