Si i bëhet për Halloween-in?

Ky këtu nuk është Halloween-i i vërtetë.
Shihini më vëmendje këto foto të një varri ilir në shkëmb në fshatin Shtikë të Kolonjës. (Marrë nga faqja Albanian Archaeology në Facebook).






Në shkëmbinj si ky, i pari i fisit varrosej me thesare ndër fiset evropiane ku hyjnë edhe ilirët.

Më 30-31 tetor, që shihej edhe si hyrja për në errësirën e dimrit, fëmija shtatë vjeçar evropian shkonte dhe gërmonte në kësi varresh të të parëve të vet dhe merrte prej atje një armë apo një tjetër mjet të vyer. Duke kaluar këtë frikë (frika nga varrezat) dhe ritual, fëmija (djalë) i vërtetonte botës se e kishte fituar vendin e tij në fillin mes të shkuarës dhe të ardhmes, pra mes të parëve dhe mes pasardhësve.

Prej traditave sociale si këto kemi edhe “mitin” e shpatës në shkëmb të mbretit Artur. Jo kushdo mund ta merrte shpatën nga shkëmbi, por veç ai që ishte i njëjti gjak, fis a racë e të parit që ishte i varrosur në atë shkëmb.

Kur shkonte në këto varreza shkëmb (më parë edhe shpella), fëmija vishej me rroba ceremoniale, të tipit lëkurë kafshësh (“mite” si djali gjarpër, berserkët vikingë, etj. vijnë në mendje) apo maskime të fytyrës e trupit për t'i shtirë frikën “shpirtrave të këqij” që mund t'i dilnin përpara. Sigurisht, këta që sot i quajmë shpirtra të këqij nuk janë tjetër veçse kafshët e egra që mund ta shqyenin fëmijën në udhën e tij drejt varrit e në kthim.

Arturi, pasardhësi i denjë e pa salltanete i të parëve të vet, tërheq lehtësisht shpatën nga shkëmbi.

Prej kësaj tradite vjen edhe ai që sot njihet si Halloween, por që tradita shqiptare e ka zhvendosur në Ditën e Verës, duke iu fshehur kështu çdo ndikimi fetar josqhiptar që ka kaluar në këto toka. Në Ditën e Verës, fëmija shqiptar guxon të dalë kur i ftohti ende nuk është tërhequr e të shkojë të kërkojë sërish plaçkën e vet nga të parët e vet, veçse kësaj here bëhet fjalë për Llazoren, gruan plakë "shtrigë" të fshatit. Kjo "shtrigë" mund ta vriste fëmijë nëse ishte i padenjë apo i dobët, njësoj siç mund të vritej ai nëse dilte i padenjë për të tërhequr armët a thesaret nga varri në shkëmb i të parëve.


Një tjetër "mit" që buron nga kjo traditë e lashtë është edhe përralla e Xhekut me bimën e fasules. Kokrra e fasules që Xheku mbjell në tokë përfaqëson dhëmbin e qumështit, që fëmijëve u bien zakonisht kur mbushin shtatë vjeç. Rënia e dhëmbit ishte shenjë se fëmija ishte gati të hynte në botën e të rriturve. Por kjo nuk bëhej para se ai ta vërtetonte veten të denjë, mbi të gjitha para paraardhësve të vet. Ngjitja e Xhekut në re te gjigandët përfaqëson pikërisht takimin e fëmijës me të parët e tij (në re = të vdekur, në qiell). Nëse ai ishte në gjendje të kthehej pas i gjallë prej atij udhëtimi (bima e fasules = simbol i udhës dhe lidhjes me të parët), ishte bërë vërtet burrë tashmë e mund të trajtohej si i tillë. Nëse jo... epo, nëse jo, do të kishte mbetur tek të vdekurit. Prerja e bimës së fasules prej Xhekut pasi kthehet sërish në botën e të gjallëve simbolizon edhe faktin se e tashmja është në të tashmen, ne jetojmë në të tashmen, por vetëm pasi jemi siguruar se e shkuara është e vulosur në zemrën dhe identitetin tonë dhe ne e vijojmë atë trashëgimi në brezat pasardhës. Jo më kot gjëja që Xheku u rrëmben gjigandëve në kthim është pikërisht harpa, instrumenti që simbolizon të kënduarit e eposeve dhe bëmave të të parëve (të denjëve) teksa mblidheshim rreth vatrës. Por bima duhej prerë, sepse ai udhëtim ishte një herë të vetme e nuk përsëritej më.

Xheku pret bimën e bizeles. Ai është bërë vijuesi i vetëm i të parëve të vet. Nuk ka nevojë për kthimin e tyre në tokë.

Në lidhje me Xhekun, shtojmë edhe se tradita e të kërkuarit bekim teksa flakim diku dhëmbin e qumështit është e ruajtur rreptësisht mes nesh edhe sot e kësaj dite.

Pra, kur themi Halloween-i është gjë e huaj apo demonike, duhet së pari të kemi parasysh se Halloween-i, njësoj si Krishtlindja në pjesën dërrmuese të perëndimit, është harruar me kohë se çfarë do të thotë vërtet dhe sot festohet si diçka e shthurur komerciale. E njëjta gjë mund të thuhet, fatkeqësisht, edhe për festimet e Krishtlindjes kudo në botë. Sot njerëzit këndojnë “All I want for Christmas is you”, “White Christmas”, “Jingle bells” e të tjera këngë komerciale e aspak të përshpirtshme që buçasin nëpër qendrat tona tregtare për gati dy muaj me radhë. Por, nëse u flet për Atë që festohet në Krishtlindje, kanë për të të quajtur fanatik, dogmatik, qejfprishës, radikal, e kushedi çfarë tjetër. E kështu ky festim kaq i bukur po vdes gjithnjë e më shumë në perëndim, siç po vdes edhe krishterimi i vërtetë.

Njësoj, Halloween-i vdiq pak e nga pak në Evropë, së pari për shkak të kishës, e cila i rrëmbeu këto dy ditë nga paganizmi vendas dhe i shpalli festa kishtare: Dita dhe Vigjilja e Gjithë Shenjtorëve. Ngjan shumë përhumbja e kësaj feste me atë që po ndodh edhe me Krishtlindjen sot, dhe ju garantoj se asnjëra prej të dyjave nuk e meriton këtë fund tragjik. Halloween-i quhej me emra të ndryshëm më parë (Samhein mes keltëve, për shembull), por ky emër iu dha pikërisht kur u përvetësua nga kisha (“Halloween” është shkurtim i “hallows’ evening”, që do të thotë “mbrëmja e shenjtorëve”). Gjatë këtyre ditëve, besimtarët mund të ndiznin qirinj, të luteshin e madje të jepnin edhe indulgjenca për të dashurit e tyre të vdekur (shumë e ngjashme me natën e Kadrit që i ka rënë për short shqiptarëve myslimanë). Pra, një festë fisnore tejet e vjetër e me kuptime tërësisht fisnike u shndërrua në një kujtim të largët të vetvetes, si edhe në një rast për të prishur para e për të ngrënë mirë. Askush nuk mund të thotë se nuk po ndodh njësoj edhe me Krishtlindjen sot: njerëz që rendin të tërbuar pas blerjes së dhuratave ndërkohë që Ai që erdhi si dhuratë për ne zor se përmendet, darka të bollshme që lënë mbetje për javë në vazhdim, dhe urimi nuk është më aq shpesh “Gëzuar Krishtlindjen!”, por “Gëzuar Festat!”.

A është e njëllojtë në rëndësi Krishtlindja me Halloween-in është pyetje që as duhet bërë fare. Në mënyrë të padiskutueshme, ardhja e Shpëtimtarit mes nesh është ngjarja themelore e historisë njerëzore, aq më tepër për atë që beson. Ai është Shpëtimtari që nuk kishte nevojë t’i shkoje te varri në shkëmb për të marrë bekime e dhurata. Ai doli Vetë i ringjallur nga varri në shkëmb dhe na bekoi e na dhuroi jetën e përjetshme.

E prapë, mendoj se çdo gjë që hidhet në kosh për shkak keqkuptimesh apo, edhe më keq, harrese, është mëkat i madh dhe prerje edhe më shumë e gjymtyrëve të identitetit tonë. Jo më kot ecën kaq sakate Shqipëria dhe gjithë Evropa sot. Ne e festojmë në intimitetin e besimit dhe të familjeve tona ardhjen e Shpëtimtarit mes nesh, pavarësisht buçitjes blasfeme të botës në këtë ditë. Sa kohë e keni të qartë kuptimin e tij të vërtetë dhe refuzoni ta lini botën t’ju vjedhë traditat, as Halloween-i nuk duhet humbur, për mendimin tim.

Rrota e diellit, simbol indoevropian. Festat në këto treva ishin pikë së pari matje e kohës dhe e stinëve në varësi të diellit. Samhain, ose sot Halloween, ishte në hyrje të errësirës dimërore, koha më e rrezikshme për jetën në Evropë, për shkak të të ftohtit të madh.

Uluni me fëmijët tuaj dhe flituni për të parët e tyre. Flituni për ju dhe jetën tuaj, arritjet dhe sukseset, të mirat që keni bërë, sfidat që keni kaluar. Flituni për gjyshërit e tyre, vështirësitë që kanë duruar e kaluar, pasurinë që i shtuan botës me jetën e tyre. Flituni për Skënderbeun, për Isa Boletinin, për Lekë Dukagjinin e për Lekën e Madh, për Agroni e Teutën, për Pirron dhe Glaukun, për Mujin, Halilin, Omerin dhe Ajkunën. Flituni për njerëz të mëdhenj që njihni sot, e për këdo që i sfidon të bëhen njerëz të mëdhenj, jo domosdoshmërisht në famë, por në shpirt e karakter. Edhe më mirë, bëni një udhëtim bashkë në fshatin a qytetin nga vini, në shtëpinë e gjyshërve a të prindërve, apo në ndonjë vend të Shqipërisë që ju frymëzon e që e keni të shtrenjtë në zemër. Kujtoni atje të parët tuaj personalë dhe të parët tanë kombëtarë, dhe jepuni fëmijëve një sfidë që e dini se do t’i bëjë njerëz edhe më të denjë.

Ky është Halloween-i, kur festohej siç duhej. S’ka nevojë hiç për karamele. Ato janë për të ëmbëltuar harraqët.

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.