Kërpudha të egra të thata ose turshi, receta shtëpie

Kërpudha plepi (Cyclocybe aegerita)

Në fillim gjërat kryesore: KURRË mos bëni prova me kërpudhat e egra! Nëse nuk i njihni apo nuk jeni të sigurt për kërpudhat që hasni në zonën tuaj, mos i mblidhni! Helmimet nga kërpudhat mund të jenë shumë serioze, dhe në vendin tonë ka lloje të ndryshme kërpudhash helmuese.

Siç ka thënë dikush: “Ka mbledhës të vjetër kërpudhash, ka edhe mbledhës guximtarë kërpudhash. Por nuk ka mbledhës kërpudhash guximtarë në moshë të vjetër.”

Thënë kjo, kalojmë te gjërat e bukura :-)

Si t’i njohësh kërpudhat e egra

Mbledhja e kërpudhave është një pasion i ri i imi (pra, po sfidoj paksa vërtetësinë e citimit që përmenda më lart!). Megjithatë, nuk mbledh kurrë apo të konsumoj kërpudha për të cilat nuk jam 100% (pothuajse) e sigurt. Bëj shumë kërkime në internet apo botime për botanikën që të kuptoj sa më mirë që mundem se cilat janë kërpudhat (apo bimët) e ngrënshme dhe helmuese në zonën time. Edhe helmueset kanë funksionet e tyre, si për shembull armë e ftohtë në raste kaosi social ku dikush vë në rrezik jetën tënde a të familjes a diçka e tillë :-) (Nuk kam ndërmend të kaloj tek ky përdorim ende, kështu që nuk ka merak!)

Një mënyrë tjetër që përpiqem të kem parasysh në përdorimin e çdo bime a kërpudhe në botën e egër janë edhe mitet tona dhe ato evropiane në tërësi. Kjo mund të duket e çuditshme, por në fakt mitet nuk janë asgjë tjetër veçse dituria popullore ndër mijëvjeçarë e treguar në mënyrë të tillë që mbahet mend më mirë nga vendasit, por edhe mbetet kodik i fshehtë për të huajin dhe armikun që nuk është i familjarizuar me tokën tonë. Kështu, duke ditur se shumë kërpudha rriten pranë pemëve të ndryshme apo në to, në përvojën time është me shumë vlerë të njihen cilat janë pemët që përmenden më së shumti në mitet e përrallat tona dhe çfarë vetish u vishen. P.sh., nëse lisi mbahet si pema e Zeusit, kryeatit në mitet tona (por edhe pema ku Zoti u takua me Abrahamin në Bibël, në Mamre), do të ishte pak e vështirë të hasësh kërpudha helmuese pranë apo në këtë pemë. Plepi, nga ana tjetër, është pema e Dhemetrës, perëndeshës së tokës, motër e Zeusit. Në pyllin e shenjtë të Dodonës, gjendej lisi ku adhurohej Zeusi dhe merrej mesazhi i tij prej priftëreshave (Orët), por gjendej edhe plepi i Dhemetrës, të cilën pellazgët e mbulonin me kurora lulesh apo kallëzash gruri për çdo lutje të plotësuar prej saj në lidhje me prodhimin e tokës në terrenet tona të vështira e më së shumti malore e moçalore (asokohe, se tani thuajse s’ka mbetur më asnjë kënetë nëpër Evropë). E kështu me radhë me vidhin (pema e Vidausit, zotit të pyllit), thanën (pema e Zanës), etj.

Kërpudha plepi në të gjitha fazat e rritjes

POR, e theksoj sërish së këto shpjegime nuk duhen vënë në provë nga dikush që nuk ka përvojë me kërpudhat. Kjo sepse kërpudha është, në njëfarë mënyre, binjakja e bletës, me të cilën bëhet i njëjti kujdes po ashtu. Bleta simbolizon jetën, përhapjen dhe shtimin e saj, duke qenë se luan rol vendimtar në pjalmimin e bimësisë. Mjalti që prodhon është dhuratë për njerëzit, sa kohë ne e trajtojmë insektin e bukur me respekt dhe nuk turremi drejt kosheres së saj pa mbrojtje e pa kujdes. (Shtoj këtu se kosheret e sotme katrore janë makabre për bletët dhe faktor kyç në dobësimin e tyre. Aq më tepër makabre janë edhe tymosja e tyre pa mëshirë dhe marrja e pothuajse gjithë sasisë së mjaltit që prodhojnë.). Kërpudha, nga ana tjetër, është simboli i vdekjes, faqes tjetër të jetës. Kërpudha ka si funksion kryesor dekompozimin e drurëve të dobët a të ngordhur, duke bërë që asgjë e vdekur të mbetet më kot mbi tokë. Duke bërë këtë, ajo sërish lë vend për jetë të re që do të vijojë pasi e kalbura të jetë hequr prej dheut. Jo më kot, si bleta, ashtu edhe kërpudha kanë vend kyç në mistikën dhe ritet pagane evropiane (sidomos kërpudhat halucinogjene, por kjo është temë për një artikull tjetër).

Mbledhja

Kërpudhat që kam paraqitur në foto janë të llojit Cyclocybe aegerita, ose kërpudha plepi. Nëpër dyqane, i kam parë të quajtura pioppini, nga emri e plepit në italisht (piopo), dhe shiten kur janë ende të vockla, me kokën e rrumbullakët ngjyrë kafe, sepse janë më rezistente. Pra, i mbledh pranë plepave, dhe janë shumë të shijshme, me shije mishi dhe aromë toke e druri. Dalin kryesisht pas shiut (normal) dhe rriten përgjithësisht në grumbuj mesatarisht të mëdhenj. Në varësi të sa i vjetër është plepi, rriten ose vetëm në rrënjë (sidomos nëse rrethohet nga bar i njomë), por edhe në trup a zgavra të tij, deri shumë lart në pemë. Për dikë si unë, që nuk e ka qejf shiun, këto janë ngushëllim i mirë :-)

Në mbledhje, është mirë të përdoret një thikë, duke u përpjekur të mos i shkulni me rrënjë, për të ruajtur kështu më shumë prodhim për shiun tjetër. Më e rëndësishme se kjo, duke marrë parasysh që kërpudhat nuk kanë rrënjë të mirëfillta dhe shtohen me anë të sporeve, KURRË mos merrni më shumë se gjysmat e tyre. Gjithmonë lërini natyrës të paktën gjysmën, sepse çdo gjallesë ka një funksion për të kryer, aq më shumë kërpudha. Do të jeni mirënjohës herën tjetër, sepse do të jetë e sigurt se do të gjeni përsëri në të njëjtin vend.

Pasi i mblidhni, lajini mirë me ujë të rrjedhshëm por të ngadaltë, që të mos i dëmtojë, sidomos nëse janë të mëdha. Unë i laj derisa nuk u del më ngjyrë kafe (spore) nga poshtë kapelës, ndërsa bishtat i qëroj imtësisht.

Tharja

Tharja e tyre është shumë e lehtë dhe mund të bëhet në tri mënyra kryesore. Nëse janë kërpudha të vogla, pra me trup të fortë në prekje, mund t’i kaloni në pe të trashë me gjilpërë, pak a shumë si specat djegës. Pastaj, siç janë, varini në mënyrë të sigurt në mjedis të jashtëm (oborr a ballkon).

Mënyra e dytë do të ishte t’i vendosni horizontalisht mbi një sipërfaqe të pastër e të thatë jashtë. Në këtë rast, këshilloj të mos i vini mbi copa apo trikotazhe, sepse mbajnë lagështirë dhe krimben. Gjithashtu, kërpudhat e mëdha është mirë t’i ndani në dy a katër pjesë për tharje më të shpejtë. Të dyja këto metoda marrin diku te një javë (në mot më të freskët).

Mënyra e tretë është t’i vini në furrë në temperaturë të ulët (ndoshta 100 gradë a më pak) dhe t’i lini për disa orë derisa të mos kenë më butësi. Për ata që kanë dehidrator, pajisje enkas për tharje frutash e perimesh, edhe më mirë. Por jo njësoj argëtuese :-)

I njëjti lloj, të thata e turshi (ato anash janë gështenja, jo iriqë :-))
Turshi

Turshitë me kërpudha nuk kanë shumë ndryshim nga turshi të tjera në proces. Mënyra si i bëra unë kësaj here ishte si vijon: ujë dhe uthull në raportin 3 me 1 (p.sh. 3 gota ujë, 1 gotë uthull), kripë të trashë e të zezë, dhe erëza të ndryshme (unë përdora dafinë, farë finoku dhe disa kërcinj rigon). Uji, uthulla dhe kripa zihen bashkë derisa të tretet kripa e të vlojë masa. Shtohen aty kërpudhat të grira apo të plota, sipas dëshirës, pa e hequr masën nga zjarri. Lihen rreth pesë minuta, ose pak më shumë në varësi të sa e fortë është kërpudha. Pastaj përgjysmohet nxehtësia dhe lihen edhe dhjetë minuta. Më pas, kërpudhat kalohen në kavanoza të pastër e me kapakë që mbyllen mirë dhe u shtohen sipër masa e lëngshme (shëllira) dhe erëzat. Pastaj kavanozat mbyllen mirë.

Pas kësaj, në një enë të madhe vëmë një peshqir kuzhine dhe e mbushim me ujë. Vihet të vlojë dhe, me shumë kujdes, vihen në enë (para apo gjatë vlimit, si të ndiheni më të sigurt) kavanozat me kokë poshtë. Lihen të ziejnë për ca kohë, duke u siguruar kështu që të mbyllen hermetikisht. Më pas (ndoshta 15-20 minuta), hiqen me shumë kujdes nga zjarri dhe lihen të ftohen ca. Ruhen në mjedise të errëta e pa lagështirë dhe zgjasin si çdo turshi tjetër. Mund t’i përdorni më pas në supë, gjellë të ndryshme, gatime me makarona, a në çdo mënyrë tjetër si përdorni kërpudhat e marinuara që blini në dyqan.

Ju bëfshin mirë :-)

Jufka Dibre me kërpudha plepi, ajkë dhe majdanoz.


Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.