Margarita Haslak, skocezja që u dashurua me Elbasanin

Margarita Haslak, 18 qershor 1885 - 18 tetor 1948

Margarita Haslak (Margaret Hasluck) lindi në Skoci më 18 qershor 1885. Në vitin 1911 përfundon studimet në Kembrixh dhe, në ndjekje të pasionit të saj për historinë dhe kulturat e lashtësisë, zhvendoset në Athinë ku edhe njihet me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Frederik Haslakun (Frederick Hasluck), arkeolog. Pas vdekjes së tij më 1920, ajo kthehet përkohësisht në Angli, ku edhe boton punimet kërkimore të të shoqit.

Edhe pse pikënisja e çdo historiani duket sikur duhet të jetë gjithmonë Athina, Margarita e kupton në kohë se asnjë histori evropiane nuk është e plotë pa marrë në shqyrtim serioz Shqipërinë. Që nga mesi i vitit 1920, ajo shpërngulet për në Elbasan, një zgjedhje mjaft interesante ndër mundësitë e pafundme të zgjedhjes për vatra historike në Shqipëri. Ndoshta edhe ajo e ka kuptuar se ngjyrimet shqiptare kanë një veçanti të papërsëritshme në zonat qendrore të vendit tonë.

Gjatë kohës në Elbasan, ajo jo vetëm u dashurua pas vendit tonë, por u bë edhe ajo shumë e dashur ndër shqiptarët. Margarita qëndroi këtu 13 vjet dhe botoi një varg veprash në lidhje me historinë, folklorin, gjeografinë dhe etnografinë shqiptare. Botoi gjithashtu edhe të parën gramatikë shqip-anglisht.

Me nisjen e Luftës së Dytë Botërore dhe aneksimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, Margarita u detyrua të largohej nga vendi, pasi në rast të kundërt do të përndiqej nga forcat italiane për shkak të përfshirjes së saj me inteligjencën britanike gjatë Luftë së Parë Botërore. Kudo që do të shkonte, Athinë, Stamboll, Kajro, Qipro e përfundimisht në Dublin, ajo do të merrte me vete çështjen shqiptare dhe dashurinë për vendin ku kishte jetuar aq gjatë.

Në largim, ajo i lë pas bibliotekën e saj të pasur mikut të saj të ngushtë, patriotit dhe shkollarit Lef Nosi, i cili do të arrestohej pas Luftës nga regjimi komunist. Margarita i shkroi vetë Enver Hoxhës që t’ia kursente jetën Nosit, qoftë edhe vetëm për njohuritë e tij të papërsëritshme për çështjen kombëtare, kërkesë kjo që do të merrte si përgjigje pushkatimin e Nosit.

Lef Nosi, 9 pril 1877 - 15 shkurt 1946

Margarita vdiq nga leucemia në Dublin, më 18 tetor 1948. Në vitin 2010, në një ceremoni me pjesëmarrjen e nipit të saj Xhon Donald Morison Hardi (John Donald Morrison Hardie), Elbasani i jep asaj titullin e Qytetares së Nderit me motivacionin e kontributit të jashtëzakonshëm për qytetin e Elbasanit në sferën publike.

Skocia është ndër vendet me gjenetikë kelte më të lartë në Evropë. Sipas legjendës, keltët, galët dhe ilirët kanë prejardhje nga të njëjtët figura mitologjike (Polifemi dhe Galatea). Me sa duket, thirrja e gjakut është e fortë edhe mijëra vite më pas në ata që duan të dëgjojnë.

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.