Gjon Kastrioti, pema më e mirë e shqiptarëve.


Lec Shllaku në rolin e Gjon Kastriotit nga filmi "Skënderbeu".

Po mendoja dje, nëse dikush do të më pyeste kush është shqiptari më i madh i të gjitha kohërave, si do të përgjigjesha? Një pyetje si kjo, natyrshëm do të më vinte t’i përgjigjesha menjëherë: “E thjeshtë fare! Gjergj Kastrioti!”. Admirimi që kam për të është i tillë që do të ma bënte përgjigjen të natyrshme thuajse në nivel të pandërgjegjshëm.

Por pastaj po mendohesha edhe një herë. Pse vallë ishte aq i madh Gjegji? A kishte të bënte ekskluzivisht me karakterin dhe vendimet e tij në jetë e asgjë tjetër jashtë personit të tij? A ishte gjithçka e madhërishme e jetës së tij fryt veç i tiji apo edhe i divave mbi të cilët ishte ngritur për t’u lartësuar edhe më? Ngadalë, përgjigja e natyrshme se Gjergji është më i madhi po më bëhej disi mëdyshas. Dua të them, Gjergji mbetet më i madhi, por kush ishte i madhi që përgatiti rrugën para tij?

Në ungjillin e Gjonit, Krishti thotë se dishepulli nuk është kurrë më i madh se mësuesi i vet, as i dërguari më i madh se ai që e dërgoi (Gjoni 13:16). Sërish në të njëjtin ungjill, thotë edhe se shermendi që nuk qëndron në hardhi, nuk jep fryt dhe është i denjë veç për djegie. Me gjithë bukurinë dhe ëmbëlsinë e shermendit, hardhia është më e madhe (Gjoni 15:5). Sigurisht, kur flet për mësuesin, atë që dërgon dhe hardhinë, Krishti po flet për Veten e Tij. Dishepulli, i dërguari dhe shermendi janë pasardhja e Tij në këtë botë: dishepujt që bartin dhe ndajnë emrin e Tij.

Sërish ndër ungjij, Krishti, që është, i referohet Gjon Pagëzorit si profeti më i madh, burri më i madh që ka lindur ndonjëherë prej gruaje. Gjuha e përdorur nga Krishti është e tillë që e ndan Atë Vetë nga sfera njerëzore ku bënte pjesë Gjoni (pasi Krishti nuk është thjesht burrë i lindur prej gruaje, por Vetë Biri i Perëndisë së Ushtrive) dhe njëkohësisht e ndan Gjonin nga kushdo që kish qenë para tij e që do të vinte pas tij (me përjashtim, sigurisht, të Krishtit Vetë). Duke ditur sa dimë për jetën e shkurtër e të vrullshme të Gjon Pagëzorit, edhe pse vulosja, trimëria, burrëria dhe zjarri i tij për Zotin është gjithmonë e qartë, dikur pyesja veten pse vallë qenka Gjoni më i madh se Moisiu, Elija, Davidi, etj. Por më pas kuptova: çfarë gjëje më të madhe mund të bëjë një profet sesa të përgatisë udhën e Zotit, të shpallë ardhjen e shpëtimit e të thërrasë njerëzit në pendim duke ia gatitur zemrën për mrekullinë që po vinte?

Ka diçka, me sa duket, që i veçon prej të tjerësh burrat që quhen Gjon... disa prej tyre të paktën. Ai që do të vinte pas Gjon Kastriotit do të ishte shumë i madh, me lidhëse sandalesh lufte të pazgjidhura deri në fund, nën shenjë kryqi që i qëndroi edhe gjysmëhënës... një Glauk i ri që bëri bashkë të pabashkueshmit e Arbërisë, nën shembullin e Atij që mblodhi delet e humbura e të shpërndara pa bari të Izraelit. Por, me sa kam parë unë, zor se del ndonjëherë një burrë i madh e i plotë nëse nuk e ka marrë shembullin nga ati i tij, herë me fjalë, por mbi të gjitha me paraqitjen e një jete të denjë për t’u ndjekur e për të flijuar për të.

Nuk do të ndalem në shumë detaje historike për Gjonin, sepse do të duhej një artikull më i gjatë e që del nga qëllimi i artikullit tim. Do të paraqes një përmbledhje të shkurtër të jetës së tij e pastaj do të vijoj vetëm me shpjegimin pse mendoj se ai e sfidon të birin për vendin e më të madhit të shqiptarëve.

Gjon Kastrioti lindi në një datë të panjohur diku në mesin a fundin e viteve 1300, i biri i Pal Kastriotit, vëllai i vogël i Kostandinit dhe Aleksit. Mendohet se familja e ka prejardhjen prej prijësish në zonën e Dibrës, prej nga lëvizën edhe më në perëndim të vendit drejt kryeqendrës së famshme të Principatës së tij në Krujë. Në krye të Principatës qe deri në vdekjen e tij në 1437, shtatë vite para se Gjergji të kthehej. (Duke dalë nga tema, shtata është numër me simbolikë të madhe në ndërgjegjen dhe historinë indoevropiane. Deri më shtatë vjeç, fëmija rritej thuajse ekskluzivisht nga e ëma, deri në rënien e dhëmbëve të qumështit dhe daljen e dhëmbëve të përhershëm. Pas shtatë vitesh të tjera, fëmija quhej se hynte mes të rriturish (puberteti), e pas shtatë vitesh të tjera, në moshën 21 vjeç, ishte burrë plotësisht e kishte tagrin të martohej, të ngrinte familje dhe detyrimin për pjesëmarrje në luftë. Shtatë vite iu deshën Gjergjit që të piqej koha për kthimin e tij në vatan. Ka edhe shumë simbolika të tjera pagano-tradicionale në Gjergjin, përveç krishterimit të tij, por do të jenë temë e një artikulli tjetër veç për të.)

Në vitin 1385, Principata e Kastriotëve ra nën vasalitetin otoman, fuqi asokohe në kulmet e saj. Por besnikëria e Gjonit ishte tjetërkund, dhe kryengritja e tij kundër otomanëve ishte e pandalur. Në 1386, ai qe ndër faktorët kryesorë të fitores së forcave serbe kundër otomanëve në Betejën e Ploçnikut, duke qenë i aftë të merrej vesh me forcat boshnjake në dobi të trupave të krishtera (ndoshta gjaku i njëjtë ilir bënte punën e vet?). Besë të tillë me popujt ballkanas (edhe atë të ardhur) ai edhe gjatë viteve të vasalitetit nga Republika e hajdutëve të Venedikut, duke refuzuar vazhdimisht ryshfetet e tyre për t’iu bashkuar sulmeve kundër principatave të tjera në rajon. Kur forcat venedikase u mposhtën nga turqit në trevat shqiptare, Principata kaloi sërish në vasalitetin osman. Por ndërkohë pjesëmarrja ushtarake e Gjonit me trupat venedikase e të tjera të rajonit kundër otomanëve shtrihet deri në territoret e Greqisë së sotme. Ishte edhe ndër aleatët madhorë të Gjergj Arianitit në kryengritjen e tij të viteve 1432-1436. I bënte bashkë parehatia me zgjedhën.

Burrëria dhe urtësia e një burri dallohet më së miri në bashkëshorten që ka zgjedhur të ketë për krah. Vojsava, të cilën shumë e bëjnë sllave sot, na paraqitet në histori si ideali amtar, duke e bërë kështu çiftin e Kastriotëve versionin e përsosur të Filipit dhe Olimpisë: jo në garë e armiqësi me njëri-tjetrin, por në hierarkinë natyrore, duke sjellë secili më të mirën e burrit e të gruas respektivisht. Thuhet për Vojsavën se iu shfaq dikur në ëndërr një dragua që bishtin e kishte nga anët e Adriatikut, ndërsa koka i villte zjarr përmbi tokat e zaptuara prej turkut. Vite më pas, biri saj Gjergji do të ishte anëtar i këtij urdhri. (Sërish këtu, urdhri i dragoit ka dy origjina kryesore: luftën kundër të keqes (si Shën Gjergji që vrau dragoin), por mbi të gjitha është totemi i gjarprit. Herë tjetër edhe kjo.)

Vojsava dhe ëndrra e saj, gravurë gjermane.

Thonë për Gjonin se prej tij buron shprehja “ku është shpata, aty është feja”, në kuptimin se nuk mund të thuash se je i një besimi të caktuar nëse po lufton kundër të tjerëve të atij besimi. E diskutueshme a është vërtet shprehje e tij, apo e pasqyron vërtet marrëdhënien e tij me fenë, por duhet të themi se Gjoni ishte ortodoks bizantin, sepse Arbëria e kohës së tij dhe para tij ishte pjesë e Bizantit. Nën vasalitetin venedikas, mendohet se ai u konvertua së jashtmi në katolik e më pas në mysliman nën vasalitetin otoman. Fakti se ai na paraqitet në histori si kërkues ndjese ndaj të pafeve të Venedikut në emër të krishterë për faktin se i biri luftonte për turqit më bën të mendoj se pak gjasa të jetë konvertuar ndonjëherë vërtet në islam. Pak gjasa ka të ketë qenë vërtet edhe katolik, pasi ka dokumente që e tregojnë si të vdekur ortodoks në manastirin e malit Atos. Por edhe kjo e fundit është e debatueshme. Për mendimin tim, Kastriotët nuk janë shkëputur ndonjëherë vërtet nga besa/feja e vjetër iliro-arbërore; besonin në Krisht, por ruanin besën dhe identitetin e lashtë njëkohësisht. Sërish për këtë do të flasim në artikullin e ardhshëm vetëm për Gjergjin.

Kur otomanët i zaptuan tokat e Principatës së tij, Gjonit iu desh të dorëzonte me forcë bijtë e tij në duart e sulltanit si garanci që ati i tyre të hiqte dorë nga kryengritjet e tij të pareshtura. Për këdo që sheh brutalitet në këtë lëvizje të sulltanit, duhet të kuptoni se kjo dhe thuajse çdo strategji tjetër otomane në pushtimet dhe politikat e tyre është një kopjim thuajse germë për germë i praktikave të Perandorisë Romake dhe asaj Bizantine. Mbani mend se edhe mbreti Gent u mor peng nga romakët në fund të kryengritjes, duke u siguruar kështu që ardianët nuk do të rebeloheshin më.

Nuk e di çfarë mund t’i ketë thënë bijve në ndarje Gjoni, por me gjasa nuk është dashur të thotë më shumë se: “Mbaj mend!”. Gjithçka tjetër ishte thënë e dhënë shembull tash sa kohë. Mos të të zëntë kurrë e liga në gjendje të tillë që ende duhet t’u japësh të tuve porosi tjetër veçse: “Kujto!”.

Në kujtesën e pandërprerë të Gjergjit, qëndron, për mua, madhështia e figurës së atit të tij Gjon. Edhe e nënës së tij Vojsavës. Nëse pasardhësit e mi do të kishin të përcjellë prej meje kujtesë si e Gjergjit, unë do të vdisja krenare. Për këtë edhe po punoj.

Gjergji mbajti aq mend sa u kthye në mbushullim të kohëve, si një Uliks në trojet që po i përpiheshin prej lindjes e perëndimit njëlloj. Nën totemin e gjarprit/dragoit ilir dhe nën shenjën e kryqit të Krishtit, zjarr u voll vërtet mbi turqit (ndër pjesët e mia të preferuar nga filmi është pikërisht ziftit/zjarri bizantin që arbrit hedhin nga kështjella!).

Gjergji mbajti aq mend sa ta dinte në gjak se nuk ishte sjellës lirie, por veç ndezës i shkëndijës së saj në ata që liria u rrjedh në gjak. E dinte mirë se, në këtë botë, më e mira që jemi është pishtarmbajtës, jo drita vetë. Drita vetë është Dikush tjetër përmbi ne.

Mbante mend aq shumë, sa kuvendin ta mbante në qytetin që zanafillën e emrit e ka te lisi dhe furka tjerrëse. Mbante mend aq sa ta dinte se askush nuk ndan të njëjtin zjarr për dheun tënd sa një bijë e dheut tënd, si e mira Donikë që mori nuse. Mbante mend se nderohej deti mes të parëve, ndaj edhe iu shfaq Rodonit në kepin e tij, aty ku ishte tashmë edhe një kishë e Hyjit të Ushtrive, ushtar i të Cilit ishte. Mbante mend aq sa edhe ta quante birin e vet Gjon.

Thotë Krishti sërish në ungjijtë se pema e mirë njihet nga frytet (Mateu 7:15-20). Numërohen me gishtat e duarve burrat e mëdhenj që kanë lënë pas bij po aq të mëdhenj, në mos më shumë. Shumë herë, fryti kalbet nën hijen e stërmadhe të lavdisë së pemës. Por nuk ishte kështu për Gjonin.

Nëse biri i tij është fryti më i mirë që ka dhënë toka shqiptare, Gjoni është pa dyshim pema më e mirë e mbjellë ndonjëherë mes nesh. Gjergji është dëshmitar.

Stema e Kastriotëve. Ylli me gjashtë cepa nuk është ylli i Davidit, por ylli ilir që simbolizon me secilin cep gjashtë bijtë e Ilirit: Enkeli, Autari, Dardani, Maedi, Taulasi dhe Perrabeu. Prej këtyre më pas erdhën fiset që bartin emrat e tyre.


Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.