Pjetër Bogdani, bariu shqiptar siç ka hije.


Imzot Pjetër Bogdani lindi në Gur, afër Prizrenit, diku rreth vitit 1630, në një familje me anëtarë kleri dhe intelektualë. Ungji i tij, Andrea Bogdani, ishte Kryepeshkop i Shkupit dhe autor i një gramatike latinisht-shqip, e cila nuk i ka mbijetuar kohës. Vetë Pjetri arsimin fillestar e mori pranë françeskanëve në Bullgarinë e sotme e më pas në atë që quhej Kolegji Ilir në Ankona të Italisë, njësoj si Pjetër Budi dhe Frang Bardhi para tij. Me sa duket, bashkësia shqiptare në Italinë e kohës ishte aq e madhe sa duhej një kolegj emëruar enkas sipas etnisë së tyre.

Shërbesën e tij si prift e nisi në Pult të Shkodrës, iu rikthye studimeve dhe u doktorua në filozofi e teologji në Romë, e më pas u bë Peshkop i Shkodrës për 21 vjet, Administrues i Arqipeshkvisë së Tivarit dhe, pas zëvendësues i të ungjit në Shkup pas vdekjes së këtij të fundit, duke administruar që atje edhe famullitë katolike të Serbisë.

Gjatë luftës otomano-austriake, si kundërshtar i madh i errësirës otomane, iu desh të fshihej edhe nëpër shpella; në Rrjoll të Shkodrës ende është një shpellë e emëruar pas tij. Megjithatë, forcat otomane arritën ta arrestonin dhe ta burgosnin në kalanë e Shkodrës (sa e tmerrshme duhet t’i jetë ndjerë në zemër që pushtuesi të përdorte atë simbol lirie për të përforcuar thundrën e tij përmbi shpirtin shqiptar!). Nga atje thuhet se e çliruan dy priftërinj të tjerë, etërit Pepë dhe Nikollë Kastori, episod të cilin dua ta përfytyroj si një bastisje burgu.

Imzot Pjetër Bogdani nuk është prifti apo pastori tipik. Në fakt, e tërheq pas këtë: ai është prifti apo pastori ashtu siç duhet, para se qullosja të bëhej njëfarësoj mode mes burrave apo model shenjtërie e shtirur mes njerëzve të besimit. Katolik “më katolik se Papa” dhe patriot “më patriot se dheu vetë”, ai ishte halë në sy për anadollakët otomanë, gjë që detyronte arratisje të tij të herëpashershme drejt Italisë së sigurt, duke mbartur me vete dorëshkrime të çmuara më shumë se jeta. Karakteri dhe besnikëria që kishte nuk ia kishin kursyer miqtë dhe mbështetësit në atë vend, edhe në rangjet më të larta të Kishës Katolike Romake. Një mik i tillë ishte Kardinal Gregorio Barbarigo, Peshkop i Padovës, me ndihmën e të cilit u botua vepra madhore e Bogdanit, “Çeta e Profetëve”.

Pas kësaj, Imzot Bogdani u kthye në trojet e veta, ku u angazhua fuqishëm në nxitjen e qëndresës dhe luftës kundër pushtuesit otoman, provë kjo e liridashjes dhe rilindjes tashmë të pranishme mes shqiptarëve shekuj para asaj më të mirënjohur të viteve 1800-1900. Bashkë me zëvendësin e tij At Tomë Raspasani, ai u bë një prej figurave udhëheqëse të lëvizjes pro-austriake gjatë Luftës së Madhe Turke midis këtyre vendeve, me shpresën dhe synimin e shporrjes nga Shqipëria të anadollakëve dhe rikthimin e vendit në tryezën fisnore të Evropës, aty ku i takonte, para se të bëheshin dëme të pashlyeshme. Mbështetja për Austrinë ishte me dobi e pritshmëri të madhe edhe për trojet dhe popullsinë shqiptare të Kosovës e më gjerë, të rrezikuara dyanësh nga turq e serb njëkohësisht.

Në këtë lëvizje, në mënyrë që e di ai vetë, Imzot Bogdani i siguroi rreth 6000 ushtarë për austriakëve, në një kohë kur Arbëria ishte e pushtuar. Mbajeni mend këtë si një fakt shtesë kur dikush t’ju pyesë apo t’jua vërë në dyshim prurjet shqiptaret në tryezën e Evropës. Kjo forcë, me të në krye, u vendos në Prizren, ku do të haste një armik edhe më të fortë se turku vetë: përhapjen e re të murtajës. Lirisë së Shqipërisë, medet!, si kishte ardhur ende koha. Ai vetë vdiq prej sëmundjes në Prishtinë në dhjetor 1689. Sipas nipit të tij Gjergjit, ushtarët turq e tatarë e nxorën kufomën e Imzot Pjetër Bogdanit nga vendi i tij i prehjes dhe ia hodhën qenve ta hanin në shesh të Prishtinës. Nëse kjo mynxyrë është e vërtetë, këta ushtarë turq e tatarë i ngrënshin qentë e ferrit çdo ditë atje ku janë! E them këtë pa turp a mëshirë, sepse në atë vend janë tashmë, nëse nuk u penduan në Krishtin para vdekjes, gjë që nuk besoj ta kenë bërë.

Frymëzimi personal për mua nga figura e Imzot Pjetër Bogdanit: Përtej çdo intelektualizmi, njohje gjuhësh e dhuntish të tjera të mendjes, Imzot Pjetër Bogdani qëndron si shembulli më i mirë i të krishterit të plotë, i mençur, i zgjuar, i përshpirtshëm, i përulur para Zotit, por kurrë para armikut dhe kurrë harraq i dheut të tij. Prifti shpatar duhet të jetë një togfjalësh gjithkund e kaherë i dëshirueshëm për të krishterin, kur kjo shpatë është për të ruajtur lirinë, nderin dhe ballin lart të dheut të vet. Një i krishterë që tutet të jetë shpatar i drejtësisë në shpirt, i urtësisë në mendje, i Zotit në Frymën, dhe i atdheut këtu mbi tokë, është një i krishterë i paplotë, shumë më i paplotë nga ç’mendon. Mendoni për Imzot Bogdanin si Gandalfi i vërtetë, shqiptar? Kush nuk do të jetë si Gandalfi, por i vërtetë dhe shqiptar? Humbësit, sigurisht!

P.s., trajtojini më me respekt ato dhjetëmijë lekëshit!


“Shelbues yt Rëshit kur plot memeni,

Ka me dalë ende Kryqa ndrykë nalxuem,
Lum, o Dru, e bukura, pa ndonji leqe,
Ku mplaki u çrish, e s’mbet as nonji e keqe.” – 1685

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.