Mihal Grameno, krahu i djathtë i kapedanit.

Mihal Grameno, 13 janar 1871 - 5 shkurt 1931

Hallka e hierarkisë kombëtare ka gjithmonë në përbërjen e saj ideale intelektualin, atë prej vërteti, që ka një marrëdhënie të mirëvendosur midis mendjes, zemrës dhe krahut, e që s’ë.

Mihal Grameno lindi më 13 janar 1871 në Korçë (bre lalkë), ku qëndroi deri në 1885 e më pas u zhvendos në Rumani, si shumë shqiptarë intelektualë të kohës. Atje u njoh me koloninë shqiptare të Bukureshtit dhe u lidh me lëvizjen kombëtare, duke u caktuar në 1889 sekretar i shoqatës “Drita”.

Si çdo intelektual që mendon drejt e që fuqitë trupore nuk i mungojnë as i përçmon, ai i shtoi figurës së tij edhe anën luftëtare duke iu bashkuar çetës së Kapedan Çerçiz Topullit që prej fillimeve të saj në 1907. Së bashku, ata përbënin një njësi drejtuese afër ideales, me Çerçizin si udhëheqës e strateg i lindur (edhe pse pjesa e tij intelektuale është ca e lënë në hije sot) dhe Mihalin si skribi, dokumentuesi e frymëzuesi në fjalë e këngë jo vetëm për çetën, por edhe për shumë shqiptarë që u duhej rindezur dashuria për liri dhe besimi se ishin në gjendje ta rifitonin pavarësinë e atdheut të tyre. Veprimtaria e tij bëri që të burgosej disa herë prej xhonturqve, këtyre mashtruesve e gjakatarëve që as Turqi-zeza nuk i meritonte.

Ndër bëmat më të mëdha të çetës spikat vrasja e një palo-prifti, misioni “hyjnor” i të cilit ishte mbytja me çdo kusht e identiteti kombëtar shqiptar dhe greqizimi i rajoneve ku ishte vendosur të shërbente. Kjo ngjarje është ca e diskutueshme, me historianë të ndryshëm që ofrojnë teza të ndryshme që sugjerojnë se ai mund të jetë vrarë ose nga çeta, ose nga Spiro Kosturi. Megjithatë, më bën përshtypje se duket sikur kemi këtu një thyerje të dokeve dhe kanunit tradicional shqiptar që thotë se mbi priftin nuk vihet dorë, nuk qëllohet. Por sa prift është dikush që ndihet i patrazuar, madje nxit, shuarjen e identiteti autentik të një kombi, që shkon kundër shpalljes biblike se Zoti Vetë i krijoi kombet dhe i mban mend të gjitha një nga një? A nuk është blasfemi të veshësh kryqin e veladonin e prapë të “bekosh” mohimin e një kombi? Edhe kjo është e diskutueshme, ndoshta, por Çerçizi ka shkruar diçka për këtë, që do të jetë për një episod tjetër kushtuar Kapedanit.

Vetë Grameno themeloi në 1909 në Korçë “Lidhjen orthodokse” shqiptare dhe redaktoi për dy vjet revistën dyjavore të këtij organi. Në 1910, ai shpalli edhe themelimin e një kishe shqiptare, gjë që sigurisht nuk u njoh nga Porta e Lartë, së cilës i leverdiste shumë më tepër kisha greke dhe bashkëpunimi antishqiptar me të. Ishte gjithashtu përfaqësues i Klubit të Korçës (një tjetër grup atdhetar themeluar prej tij) në Kongresin e Manastirit, ku do të vendosej alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe.

Më 25 shkurt 1908, ndodh edhe ngjarja për të cilën çeta mbahet mend në mënyrë më mitike: te rrapi në Mashkullorë, foli Çerçizi me gojë, dhe Bimbashi u skuq, u bë me bojë. Kjo këngë është për mua ndër më të gëzueshmet që ka thurur ndonjëherë populli shqiptar. Duket si e thurur prej njerëzish që nuk kishin menduar ndonjëherë se Bimbashi është i vdekshëm, apo se do t’u hiqej ndonjëherë thundra e tij nga shpina. Duket sikur të ishte ushtria e hutuar e Izraelit që këndon pasi kampioni i tyre David vret gjigandin Goliath. Nuk e bënte fjalën dysh Kapedani.

Kryengritjet e çetës vijojnë masivisht deri në shpalljen e pavarësisë së vendit në 1912, deri në vrasje tinëzare të Çerçizit në 1915. Rizgjimi dhe grumbullimi i forcave liridashëse që bëri Grameno gjatë kësaj kohe është e nevojshme të mbahet mend më mirë. Sa njerëz duhen të ketë zgjuar nga kllapia vargjet e tij: “Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë, vraponi burra, se s’ka me pritë”. Me siguri, aftësia e tij me fjalën dhe këngën duhet të ketë qenë element thelbësor në afrimin me çetën jo vetëm të atdhetarëve labë e toskë, por edhe atyre gegë deri në Kosovën e largët (për kohën).

Pas vrasjes së Kapedanit dhe shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, ai zhvendoset në Amerikë, prej nga botoi të përjavshmen “Koha”. U kthye sërish në Evropë si përfaqësues i partisë të shqiptaro-amerikanëve në Konferencën e Paqes në Paris në 1919. Pas një viti, kthehet përfundimisht në Shqipëri. Vdes në Korçë më 5 shkurt 1931.

Veprimtari e tij letrare është shumë e pasur dhe e shumëllojshme, duke lëvruar zhanret e publicistikës përmes revistave që redaktonte, romane si “Oxhaku”, “E puthura”, “Varr’ i pagëzimit”, etj., dramën si “Mallkimi i gjuhës shqipe”, “Vdekja e Pirros”, etj., rrëfime historike si “Kryengritja shqiptare” (të cilën ia kushton Ahmet Zogut me fjalët “Shenjë merite, atdhesie e kalorësie. Këtë libër ja dedikonj shpëtimtarit edhe burrit math të Shqipërisë, Ahmet Zogut, Presidentit të Parë të Republikës Shqiptare.”), “Antikat kombëtare”, etj., dhe vëllime poetike si “Këngëtore shqipe”, etj.

Frymëzimi personal: Së pari, sepse “intelektualët” ndonjëherë harrohen e hutohen në jehonën e fjalëve të shumta e shumëgermëshe me të cilat garojnë njëri-tjetrin, apo në faqet e panumërta për t’u lexuar e që duket sikur më shumë ua nxjerrin mendtë sesa ua ndërtojnë (ndoshta ngaqë baza e tyre personale është shumë e dobët dhe dëshira e vetme është që të duken të ditur e të fitojnë nam?). At Zef Pllumi flet për një episod shumë interesant në librin e tij madhor “Rrno vetëm për me tregue”, kur priftërinjtë dhe intelektualët në disa zona të veriut po mendonin të ndalonin komunizmin. Trimi më i madh i fshatit paraqitet me përpikëri në mbledhje, ku i thuhet se “revolucioni” do të ishte me të mira, me fjalë e penë, dhe se askush nuk do të kapte armë. Aty trimi i thotë At Zef Pllumit e të tjerëve se kishin rrjedhur nga mendtë dhe se u kishin humbur kohën të gjithëve me lajle-lule pa vlerë dhe u kthye në shtëpi. At Zef Pllumi vijon të raportojë se e kuptoi vonë sa i pamend ishte treguar vetë në atë kohë.

Së dyti, sepse është burrëri e madhe të dallosh një Kapedan, t’i bashkohesh çështjes dhe udhëheqjes së tij, t’i qëndrosh besnik dhe krah edhe kur zjarri djeg. Shumë lëvizje kanë vdekur së brendshmi, për shkak se burra të vegjël donin vetëm e vetëm të ishin shefa, jo poetë, skribë, historianë e të dytë në komandë.

Së treti, sepse ai nuk kishte asnjë arsye përveç atdhedashurisë për t’iu bashkuar lëvizjes kombëtare dhe rreziqeve të saj. Ai vinte prej një familjeje tregtare me pozitë të mirë dhe, po të ishte më pak burrë seç qe, mund të kishte vijuar jetën pa asnjë trazirë, të bëhej ç’të bëhej me Shqipërinë.

Së katërti, dhe më e rëndësishmja për mua, sepse duket qartë nga jeta dhe veprimtaria e tij se ai besonte në Zot dhe se kisha ishte me shumë rëndësi për të. Megjithatë, kjo nuk e bënte shurdh ndaj fjalëve blasfeme të ndonjë palo-prifti që mallkonte dheun e tij, ndërkohë që të tjerë priftërinj të nderuar e besimtarë të tjerë rrezikonin jetën për çështjen kombëtare. Veladoni që dikush vishte nuk e bënte atë të verbër ndaj abuzimit të kryqit, as të trembur nga trajtimi i personave të tillë si gënjeshtarë e armiq, siç ishin. Me të drejtë, kjo çështje duhet të ketë qenë mundim i madh për të e të tjerët dhe vendimet të vështira, por jo aq sa ta bindnin se të bërët sikur i bindesh Zotit duke rënë dakord me drejtimin dhe fjalën e gabuar të priftit/pastorit është ndonjë gjë më shumë se burracakëri dhe fshehje e mungesës së guximit (dhe dëshirës) për gjëra të mëdha.

Çeta e Çerçiz Topullit (një pjesë e saj).

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.