Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.

Ramë Habili, vdiq 23 qershor 1951.

Në hierarkinë time kombkujtuese, sot është radha e luftëtarëve për liri. Duke parë paradën e turpshme komuniste në bulevard (qëllimi parësor i së cilës është përçarja popullit, gjë për të cilën do të shkruaj veçmas), m’u duk më me vend të flas për atë që pa harxhuar më shumë se një plumb municion vrau pinjollin komunist Kajo Karafili (Kanan Tafili): do të flasim për trimin dhe bajraktarin e fshatrave kavajas, Ramë Habili.

Ky është një personazh në kufijtë e legjendës në fisin tim (jo anëtar i tij), me gjithë historitë e shumta që tregoheshin për të dhe drojën e qartë që i ruhej emrit të tij edhe shumë kohë pas vdekjes. Ramazan Habili, i biri i Abaz Aga Habilit, lindi në fshatin e thellë kavajas Gjinaj-Habilajt në 1895 në një familje patriote që nderonte mbretin dhe si ligj të vendit njihte lirinë. Familja kishte pozitë shumë të nderuar e të druajtur në krahinën e Kavajës e më gjerë në Shqipërinë e Mesme, duke ruajtur në mënyrë të palëkundur besnikërinë ndaj mbretit e duke iu kundërvënë kështu haptas edhe qeverisë së Nolit. Për këtë arsye, revolucionarët nolianë i vunë zjarrin shtëpisë së familjes pas rebelimit të 1924 ku ata morën pjesë, në kohën kur i parë i shtëpisë ishte ende Abaz Aga.

Më 7 prill 1939, kur Italia fashiste sulmoi Shqipërinë, familja dhe njerëzit nën udhëheqjen e saj i qëndruan besnikë Shqipërisë më shumë se mbreti vetë, kësaj radhe me legjendarin Ramë Habili në krye. Pavarësisht fshirjes nga kujtesa kombëtare pas ardhjes së komunistëve në kujtesë dhe ruajtjes në këngë vetëm të të vdekurve që nuk mund të tregonin anë të tjera të historisë, Ramë Habili dhe njerëzit e tij ishin në krah të Mujo Ulqinakut më shokë për t’iu kundërvënë me çdo mundësi mësymjes italiane në Durrës.

Ishte kjo shkelje e lirisë dhe sovranitetit kombëtar që i shtyu Ramë Habilin dhe njerëzit e tij t’i bashkoheshin për pak kohë atyre që dukeshin si atdhetarë të zjarrtë e luftëtarë për liri: çetës komuniste të Myslym Pezës, pjesë e së cilës do të bëhej shumë shpejt Kajo Karafili. Çeta vepronte gjerësisht në Shqipërinë e Mesme, sidomos në zonat e fshatrave ndërlidhëse të Tiranës dhe Kavajës sipas infrastrukturës dhe rrugëve ndërlidhëse të kohës.

Në çetë, Rama u emërua edhe togë-komandant, edhe pse nuk do të qëndronte më shumë se dy muaj pas zbardhjes së imoralitetit komunist (jo vetëm politik), të papranueshëm për një burrë tradite si ai. Përplasja e parë mes tij dhe Pezës e Karafilit ishte kur këta të fundit po planifikonin të kryenin një atentat me lëndë shpërthyese kundër një postblloku ushtarësh gjermanë. Rama shprehet haptas kundër sulmit jo për mëshirën ndaj atyre që ende i shihte si armiq, por për shkak se shpërthimi supozohej për një zonë shumë të populluar dhe, me siguri, do të shkaktonte më shumë shqiptarë të vdekur se gjermanë. Sulmi anulohet në ndikimin e tij, por ky duhet të ketë qenë çasti kur ai dallon se populli ishte gjëja e fundit për të cilën shqetësoheshin komunistët në luftën e tyre imorale për të grabitur pushtetin mbi shqiptarët.

Thyerja përfundimtare mes Habilit dhe Pezës, të cilin ai e nderonte si më plak deri në atë kohë, nis me ardhjen në çetë të pogradecarit Kajo Karafili dhe mbesës partizane të Pezës, Myrvete Peza. Kjo e fundit ishte e fejuar me një tjetër anëtar të çetës, durrsakun Qemal Deliallisi, por me sa duket këtë e harroi shumë shpejt në “emancipimin” që gjeti kur hoqi tumanet dhe veshi pantallona burrash e u turr maleve. Flirtet mes saj dhe Karafilit nuk mund të mos viheshin re në çetë, duke shkaktuar turp dhe pështjellim mes një grupi ku shumica ishin burra të besës e të traditës.

I pari që e përball Myslym Pezën për çështjen është vetë Deliallisi, i fejuari i Myrvetes, por përgjigja “e qetë” e Pezës ishte një fjali e koduar që dihej mirë se do të thoshte ekzekutim. Megjithatë, ai arrin të shpëtojë në kohë dhe të shkëpusë çdo kontakt me këtë grup tashmë të rrënuar së brendshmi.

Por Rama nuk do ta lindte çështjen me kaq. Dashuriçkat moskokëçarëse e “moderne” mes Myrvetes dhe Kajos bënin që edhe vetë nderi i këtyre burrave të tjerë të bëhej i diskutueshëm në sytë e personave jashtë çetës, vendasve të cilët ata supozohej se po i çlironin nga i ligu gjerman. Ai përballet me Pezën dhe, kur sheh se ky nuk ka ndërmend ta lëshojë beniaminin e tij të pashëm (veti që u ka hyrë shpeshherë në punë horrave komunistë në histori), e lë përfundimisht çetën dhe ndërgjegjësohet se komunizmi është një imoralitet i huaj për shpirtin dhe traditën shqiptare.

Nëntori i vitit 1943 e gjen Ramë Habilin në radhët e Ballit Kombëtar, lëvizjes patriotike aq shumë të damkosur e të çnderuar nga komunistët “fitues”. Tashmë ai nuk ka asnjë qëllim të durojë “bëmat” e Karafilit teksa ky vijon të terrorizojë trevat ku familja e tij ka qenë ndër breza bajraktarë. Në bashkëpunim me një ushtar gjerman të rrëmbyer, torturuar e pastaj arratisur prej Kajo Karafilit, ai niset në sulm kundër tij në fshatin kavajas të Lis-Patrosit. Si një qitës me përvojë dhe tejet i saktë, atij nuk i duhet gjithë breshëria e plumbave që banda e Karafilit përdori, por me vetëm një plumb në ballë e ekzekuton komunistin.

Çfarë vijon më tej është sërish burim për legjenda. Për komunistët, vrasja e një komandanti me aq famë sa Karafili ishte një humbje e madhe, sigurisht në planin reklamor më shumë se atë strategjik. Ata e varrosën me të shpejtë në fshatin ku u vra, ndërkohë që mes njerëzve përhapën sajesën mediatike se ai vijonte të luftonte maleve, në “Shtigje lufte”, siç titullohet filmi kushtuar tij ku, sigurisht, Ramë Habili as që figuron si personazh, por është shndërruar në karikaturën e radhës të një prijësi ballist që nuk mban emrin e tij. Njësoj si kujtimi për nderim por me emra të ndërruar për Qiriazët në filmin “Mësonjëtorja”, edhe figura e Habilit u parapëlqye t’i fshihej emri. Kjo, sigurisht, sepse Shqipëria e Mesme ende e mbante mend mirë prijësin e vet dhe gënjeshtra komuniste do të ishte përtej qesharakes.

Për të shuar sajesën mediatike që vijonte të trazonte popullin dhe të mbante të frymëzuar ndonjë dëshirues për jetë partizane, Rama shkon sërish në Lis-Patros, kap ca partizanë atje dhe, me të zhdëpura, i detyron t’i tregojnë ku ishte varrosur Kajo Karafili. Trupi i tij më pas u mor dhe u soll në qendër të Kavajës, që njerëzia ta shihte e të bindej se ai vërtet ishte vrarë.

Nuk mund të mos mendoj, a e dinte Rama se këto gjëra do të kishte qenë me shumë më tepër vlerë t’ia kishte bërë atij që vinte vetëm nëpër mbledhje, konferenca e seksione fotografike? E kam fjalën për Enver Hoxhën, sigurisht. Më duket si thjesht një provë më shumë se Hoxha nuk ka qenë kurrë maleve, nuk ka qenë kurrë i njohur mes atyre që luftonin vërtet, edhe pse gabim, por ishte vetëm një uzurpator që diti të kapte çastin, të bënte ca të fortë si Peza për vete më vonë e të rrinte sa më larg të fortëve prej vërteti si Habili.

Djegia e shtëpisë me sa duket ka qenë tipar shoqërues i familjes Habili, pasi në korrik 1944 shtëpisë së tij dhe atyre të njerëzve të tij iu vu zjarri nga çeta e Sali Verdhës. Si përgjigje, ai i vë zjarrin po aq shtëpive komunistësh në Harizaj të Kavajës.

Nga “çlirimi” i Shqipërisë në nëntor 1944 e deri sa vdiq më 23 qershor të 1951, ai jetoi në paligjshmëri, me titullin e “kaçakut”. Kjo është një periudhë nga e cila çdo fshat i Kavajës ka histori dhe episode lidhur me të, përfshirë sigurisht familjet e babait dhe mamasë sime. Populli vijonte t’i ruante respektin dhe drojën (zor se mund të ekzistojnë ndonjëherë të veçuara këto të dyja) dhe të rrezikonte tërbimin e pushtetit komunist duke e strehuar dhe mirëmbajtur atë dhe “bandën” e tij të rebelëve teksa qëndronin të armatosur deri në vdekje, si një kujtesë e asaj kohës së bukur të aq pak viteve më parë, tashmë të humbur përfundimisht nën përdhunën komuniste.

Ndër familjet që e kanë strehuar herë pas here, përveç familjeve të Qazim Rustanit dhe Ismail Mukës (gjyshërit e mi, sigurisht), janë edhe familje të ndryshme vendase fshatit tim, i cili është edhe vendrënia e Margarita Tutulanit, malmarrëses nën mashtrimin komunist. “Banda” e Ramë Habilit ishte e fundit e armatosur që mbeti në zonën e Kavajës dhe nga të paktat në Shqipëri. Afër fundit, ajo përbëhej prej tij si udhëheqës, Xhemal Callushit, Kolë Veshit, Rexhep Gosës dhe Skënder Gosës. Dëshiroj të mos lë pa përmendur edhe emrat ca të dyshuar e ca të akuzuar se e kanë bujtur Ramën dhe rebelë e tij, sepse emrat kanë rëndësi, siç na mësojnë edh gjenealogjitë biblike: Skënder Kërçuku (mbiemër Gose), Dervish Cila, Shefik Bardhori (mbiemër i fshatit të mamit tim), Ali Gipsi, Avdyl Zyba, Kristo Nuk Suli, Ismail Sali Elezi, Musa Gipsi, Sen Leshteni, Xhemal Patrozi, Sabri Varshani, Qamil Zymbilija, Nezir Byliku, Rust Gjyshija, Shir Meta, Abdyl Ndorjaku (Nerjaku), Qazim Gosa, etj.

Ramë Habili vdiq në 23 qershor 1951, kurrë i plagosur, aq sa për të dolën legjenda se ishte i papërshkueshëm prej plumbave. Mendohet se është helmuar nga njerëz të porositur e të paguar nga Myslym Peza. Pas vdekjes së tij, thuhet se kufoma iu la e pavarrosur në mes të Kavajës, që njerëzit e këtij qyteti që ka qenë gjithmonë i pari i ngritur në çdo lëvizje liriprurëse të tmerrohej e të ndërgjegjësohej për errësirën që po binte mbi ta. Gruaja, fëmijët, nipat e të tjerë të afërm vdiqën më së shumti nëpër kampe internimi.

Frymëzimi personal: Së pari, sepse ky është një personazh thuajse mitologjik në Kavajë e fshatrat përreth, aq sa shpeshherë kur isha e vogël mendoja se e kishin shpikur. Zor se ka njerëz që, me gjithë vendosmërinë komuniste për t’ia fshirë emrin e kujtesën, prapë të mbahet mend aq gjallë mes njerëzve. Së dyti, sepse është simbol i Shqipërisë së vjetër, asaj që vritej për virtyt, liri të vendit e traditë të babës, jo për politikë, droga e sherre pa mend. Së treti, sepse më lë mbresa gatishmëria e tij, vetë zogist, për të bashkëpunuar me një ish kaçak të kohës së Zogut si Myslym Peza vetëm e vetëm që pushtuesit e huaj të luftoheshin e të përziheshin nga Shqipëria. Është një mësim i mirë se ka disa ideologji, të tilla si mëkati dhe komunizmi, që e bëjnë të pamundur çfarëdo bashkëpunimi, sidomos pasi vihet re se as vlerat e as interesat përfundimtare nuk janë as të ngjashme, lëre më të njëjta. Duhet guxim që të mos bëhesh servil dhe të kthesh rrugë në mënyrë që s’do ta kishe menduar në ndjekje të një të mire më të mirë se ajo që ofrohet. Duhet edhe më shumë guxim të vdesësh burrë. Së katërti, sepse lapidarët e komunistëve të rënë nga duart e njerëzve si Rama gjenden shumëkund në vendlindjen time. Në plan të parë, duket sikur ata kanë fituar, përderisa emrat e tyre janë gdhendur në gur, ndërsa emri i Ramë Habilit është dashur të fshihet nga historia. E vërteta është se ato lapidarë janë aty nga duart e shqiptarëve që i panë retë e zeza që po turreshin mbi vend dhe bënë ç’mundën ta ndalonin. Edhe pse asaj here Davidi s’e mundi Goliathin, ato lapidarë janë aty jo për të na kujtuar Kajot e Margaritat, por se ne nuk i deshëm ato 50 vite dhe se e lamë gjurmën tonë kundër tyre. Ramë Habili dhe të tjerët nën udhëheqjen e tij janë emra që duhen sjellë në librat tanë të historisë, t’u mësohen fëmijëve shumë më shumë se faqet kushtuar “heronjve” partizanë apo politikanëve modernë, t’u paraqiten sidomos djemve si shabllonë me të cilët të maten për ku qëndrojnë në shkallaren e burrërisë.

Ramë Habili është ndër ata shqiptarë që fotografia nuk do t’i valëvitet kurrë bulevardeve (jo pa ardhur më parë zjarri, të paktën), por që nuk do të mundojë kurrë në faqe që i qeveris unë. Kavaja, si edhe gjithë Shqipëria pa asnjë përjashtim, e ka humbur me kohë burrërinë tipike shqiptare, atë që nuk ka nevojë për salltanete librash për të dalluar të mirën nga e keqja e për t’i ndarë të dyja më pushkë, në është nevoja. Kujtimi i Ramës mbetet sot si ato shpirtrat e të parëve që përrallave enden mes të gjallëve për t’u imponuar kthim në identitet teksa kuptojnë sa shumë kanë humbur e sa pak ngjajnë me etërit e vet. Pikërisht këtu qëndron ndoshta edhe gjithë frika nga shpirtrat: humbja personale e modelit të tyre dhe lemeria nga përballja me to teksa nuk duam të jemi më të mëdhenj se kaq. Unë jam shumë larg ende, por po përpiqem të paktën të mos rend larg gjurmës së të parëve, as ta trullos thirrjen e tyre duke u bërë poezi pa veprim. Më duket se Rama do të ishte dakord.

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.