#Balkanpride



"Hidh bukën tënde mbi ujërat, sepse pas shumë kohe do ta gjesh përsëri." - Predikuesit 11:1, Bibla

Shqipëria e "hodhi bukën e vet mbi ujëra" për Kosovën në 1999 dhe e gjeti pas 20 vitesh në Kosovë sërish. Asgjë e mirë nuk shkon duarbosh, aq më tepër mes vëllezërish.

Të donte Ballkani të ecte përpara e të begatonte, i ka të gjitha shanset që kjo të ndodhë. E gjitha qëndron te vullneti i popujve, nëse janë të gatshëm të bashkëfalin (po, të gjithë kemi shumë gjëra për të falur!) e të lenë pas të shkuarën që i mban peng për interesa të tjetërkujt.

Nëse ndodh që vetë Serbia të nisë trupa e ndihma në të mirë të Shqipërisë, nëse grekët shkruajnë shqip ngushëllimet për nesh, nëse nuk ka vend që nuk ka nisur më të mirën ndaj nesh në këtë tragjedi që shënon epokë të re për vendin tonë, ndoshta po shënohet vërtet një epokë e re edhe për gjithë rajonin tonë. Nuk kemi asnjë arsye pse jo, nëse popujt nuk gënjehen në urrejtje pa vlerë ndaj njëri-tjetrit shtyrë nga politikanë e gjarpërinj të brendshëm e të jashtëm. Nuk na mungon asgjë as për mend, as për kapacitet, as për vlera... nëse nuk lejojmë gjarpërinjtë të na helmojnë.

U desh të buçiste Rodoni (hyjnia ilire simbol i deteve tona) nga zemra e Ballkanit - Durrësi - që të shkundej gjithë Ilirikumi i dikurshëm. Për mua nuk ka asgjë të rastësishme, asgjë pa kuptim.

Ne jemi një pjesë unike dhe e patjetërsueshme e kontinentit të lashtë, shpeshherë të shtyrë mënjanë e të padashur nga perëndimi e shpeshherë të përpirë me zor nga lindja. Nuk ka nevojë Ballkani të jetë mjeran e lypsar portash e fuqish të mëdha. Kur jemi tok, jemi toka më e fortë.

(P.s. Gjithë ndihma e vendeve të tjera joballkanike është njësoj e çmuar dhe ka mirënjohjen time e të cilitdo shqiptar. Por ndihma dhe dora e shtrirë e fqinjit dhe supi i ngrohtë i vëllait është bukuri pa krahasim.)

Buka shqiptare në ujëra. 1999 / 2019.


Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.