Teuta: ajo që lind e lirë vdes e lirë.

Ylli.

E para grua në listën e Nëntorit Kombëtar nuk ka si të mos jetë mbretëresha Teutë. Të tjera do të vijojnë në ditët në vijim.

Teuta mbretëroi përmbi fisin e ardianëve nga viti 231 deri në 227 para Krishtit, duke zëvendësuar në këtë rol bashkëshortin e saj Agronin pas vdekjes e duke vepruar si regjente për djalin e tij nga martesa e parë, Pinin. Asokohe, mbretëria ardiane përfshinte një pjesë të mirë të Ilirisë në bregdetin Adriatik, nga Mali i Zi i sotëm deri në Shqipërinë e Mesme.

Një historian grek i kohës, Polibi, ofron kur flet për të një përshkrim që na paraqet me idetë tërësisht të kundërta që grekët e qytetëruar dhe ilirët barbarë kanë pasur për figurën e femrës në shoqëri. Së pari, ka qenë gjë e rrallë a thuajse e padëgjuar që një qytet-shtet grek të mbretërohej ndonjëherë nga një grua. Siç është e natyrshme, ky nuk ishte zakon as mes ilirëve barbarë, por ardhja e Teutës në fron u bë e domosdoshme me vdekjen e parakohshme të mbretit të madh Agron nga të festuarit më shumë seç duhet me verë mjalti pas një fitoreje të madhe ushtarake mbi një fis kundërshtar. Mosha e mitur e Pinit nuk linte kandidatë të tjerë nga familja për fronin ardian.

Së dyti, gruaja në Greqinë antike , përveç Spartës që gjithçka ishte veç greke jo, nuk kishte pozita sociale të ndonjë domethënieje. Përballur me një stratege e burrneshë si Teuta, historiani Polib nuk diti ç’të shkruante tjetër veçse ajo mbretëronte “sipas arsyetimit graror”. Me këtë, ai kishte si qëllim të kritikonte ashpërsinë e saj ndaj fqinjëve dhe përdoruesve të Adriatikut e Jonit, si dhe lirinë që ajo sigurohej të mos u prekte nënshtetasve të saj... edhe “piratëve”.

Ekziston ai që unë e quaj mit se ilirët e kohës merreshin shumë me pirateri detare. Por ajo që nuk merret parasysh është se ilirët vetë nuk merreshin shumë me shkrime të gjata (traditë kjo që unë e shkel rregullisht!) e raportime për vetveten, dhe se shumë gjëra ndërkombëtare që dimë për ta janë interpretime e përshtypje të një bote të qytetëruar e cila nuk ishte e rehatshme për stilin e jetës dhe të menduarin ilir. Nga vetë emri, ilirët nuk interesoheshin shumë me kufizime që fuqitë e radhës kërkonin të vendosnin mbi botën natyrore. Ndërkohë që grekë e romakë adhuronin nëpër tempuj madhështorë, ilirët ishin më shumë të lidhur me pemët e vendet e shenjta. Ndërkohë që romakët e grekët e donin Adriatikun e Jonin dete të qeta për përhapjen dhe shtimin e ndikimit dhe fuqisë së tyre, ilirët duket se nuk e kishin tejkaluar parimin se, në det të hapur, ashtu si në natyrën e egër e të lirë, forcat përballen dhe më i forti fiton. Nuk besoj se ilirët do ta quanin pirateri faktin që Roma i sillte anijet e saj, tregtare a ushtarake qofshin, në dy dete që mbajnë emra ilirë.

Nga ana tjetër, fqinjët tanë të kulturuar kishin ndërhyrë me koloni nëpër vende nga më të mirat të Ilirë: Durrës, Apolloni, Butrint, etj. Mund të thuhet se prania e tyre vetëm mirë u bëri atyre vendeve, por unë do të sugjeroja se më e mira që mund t’i bëhet një vendi është t’i lihet njerëzve të vet dhe ata të jetojnë aty sipas traditës së vet. Teuta nuk ishte shumë miqësore ndaj ndërhyrjeve të tilla në territore të si-ilirëve të saj.

“Pirateria” shërbeu si arsye që marrëdhëniet romako-ilire të ndodhnin pikërisht gjatë mbretërimit të Teutës. Ajo e zgjeroi shtrirjen e mbretërimit ardian duke pushtuar e më pas fortifikuar së pari Durrësin dhe më pas Finiqin në bregdetin jugor, të dyja lëvizje që shfaqin qartë aftësitë e saj si stratege ushtarake dhe largpamëse.

Në atë kohë, teksa qëndronin në brigjet e Sarandës, anijet e saj panë disa anije tregtare romake që po lundronin drejt Italisë, duke sjellë me vete të mirat e marra nga suksesi në luftën e parë punike, atë në Kartagjenë. Vlen të përmendet se Kartagjena u themelua nga fenikasit, të cilët me shumë gjasa janë të pranishëm gjenetikisht edhe mes shqiptarëve, që shumë herët në historinë tonë, sidomos zonat jugore. Vetë emri i qytetit të Finiqit mbart kujtesë të fenikasve. Forcat ilire i sulmuan, kështu, anijet romake dhe ua morën plaçkën, gjë që nuk do të lihej të kalonte lehtë nga Roma.

Më tej, Teuta dhe ushtria e saj mposhtën fiset akeje dhe aetole në betejën e Paksosit, një betejë që tregoi në mënyrë të shkëlqyer aftësitë e ilirëve për beteja detare, të paparashikuara prej kundërshtarëve. Me këto pushtime, ilirët ishin tashmë të vendosur në një pozicion kyç nga ku nuk u shpëtonte asgjë që ndodhte në vijat tregtare greke, romake dhe siciliane. Korfuzi që i kishte përkitur Pirros që kur Roma ishte një katund në mes të Italisë, ishte i ilirëve sërish, të udhëhequr nga një mbretëreshë që do ta bënte krenare edhe vetë Pirron.


Roma e ndjeu thellë rivalitetin dhe deshi të mbyllte punë shpejt. U dërguan dy ambasadorë në oborrin e Teutës në Shkodër që ta zbusnin amazonën e të shmangnin një përplasje të re të përmasave të luftës së Spartës kundër pushtuesve persë. Iu kërkua Teutës t’u vinte fre burrave të saj, dhe këtu ajo tregon vërtet se si mbretëronte sipas “arsyetimit graror”, siç thotë Polibi grek... veçse bëhej fjalë për arsyetim graror ilir. Ajo ua bëri të qartë “miqve” se mbretëria e saj nuk e kishte zakon t’ua ndalonte përfitimin nga deti nënshtetasve të saj besnikë dhe se detyrimi i ilirëve ndaj mbretërisë ishte vetëm besnikëria ndaj mbretëreshës dhe gatishmëria për luftë. Bindjen dhe tutjen nga forca të huaja nuk ishte e drejta e mbretërisë ta kërkonte. Teuta i njoftoi romakët se “pirateria” për ilirët ishte çështje private, burra të fortë kundër burrave të tjerë të fortë... ose të dobët... në det të hapur. Kush fiton, fiton.


Kjo është pjesa kur Roma donte të tregonte forcën, që vërtet s’i mungonte. Ambasadorët i kundërvihen idesë së Teutës për privacinë e nënshtetasve të saj duke i thënë se Roma kishte zakonin “e shkëlqyer” të ndëshkimit të gabimeve private me hakmarrje publike. Kjo është edhe pjesa kur Teutës iu ndezën sytë zjarr dhe tha “THIS IS... ILLYRIA” dhe, si mbreti spartan Leonidha nja 200 vjet para saj, e vrau një prej mesazherëve që ishin treguar arrogantë në oborrin e saj dhe tjetrin e mbajti rob.

Për këdo që mund të mendojë se Roma kishte të drejtë, unë do të ngulmoja se mënyra ilire, barbare është mënyra e drejtë, ose më afër natyrës. Ilirët dhe Teuta nuk po vinin dogana burokrate, as rrethime apo roje në det. Ata po e trajtonin detin si gjënë e lirë dhe të egër që është, dhe si të tillë po silleshin edhe vetë. Kushdo që del në jetë, duhet t’ia dalë si i lirë dhe i pazbutur, pa qenë nevoja për gjithë ndërhyrjet blasfeme të strukturave shtetërore, pavarësisht rreziqeve. Kushdo që dilte në det, në mendësinë ilire, duhej të merrte parasysh se kishte atje edhe njerëz të tjerë që vlerësonin dhe nderonin rregullin e “më i forti fiton dhe nuk shkon të qajë e ta kërkojë ndihmën te mami Roma”. Teuta nuk luante këtë rol patetik për nënshtetasit e saj. Ajo i thërriste për luftë dhe ata vinin e luftonin siç i ka hije burrit. Më shumë se kaq, nuk ishte stili ilir.

Teuta urdhëron vrasjen e ambasadorit romak. Gravurë e piktorit polak Augustyn Mirys.

Nisi kështu në 229 lufta e parë iliro-romake dhe, sigurisht, Roma fitoi, ndihmuar nga burimet dhe ushtarët e saj panumërisht më të shumtë se ardianët, si dhe nga tradhtia e Dhimitër Farit. U dërguan të kalonin Adriatikun drejt Ilirë së pari 20 mijë ushtarë dhe 200 anije, gjë që e frymëzoi Dhimitrin ta dorëzonte Korfuzin dhe të kalonte në anën e romakëve kundër mbretëreshës së ti. Palo burrë!

Me përparimin e forcave romake në Iliri, Teuta u tërhoq në bazën parësore të ardianëve në Risan (sot në Mal të Zi). Lufta përfundoi me fitore të romakëve në vitin 227, dhe Teuta u lejua të vijonte si mbretëreshë vasale, por duke ia kufizuar territoret vetëm përreth Shkodrës, ia hoqën pikat e tjera që kishte fituar dhe e detyruan të paguante një taksë vjetore në thasët e Romës. I mohuan gjithashtu çdo lundrim me anije të armatosur më larg se jugu i Lezhës së sotme. Ardianët ishin bllokuar kështu në një pikëz të hapësirës së tyre fillestare dhe u ishte bllokuar si lundrimi, ashtu edhe lirshmëria e lëvizjes në tokë. Çdo mundësi lidhjeje mes tyre dhe aleatëve anti-romakë maqedonas ishte bllokuar gjithashtu. Këto terma “paqeje” iu përcollën më pas Lidhjes së Fiseve Greke, aleate e Romës, dhe “për habi” u mirëpritën. Greqia duket se ishte që atëherë në blasfemin Bashkim Evropian dhe u kanosej fqinjëve në emër të mami Merkelit, asokohe mami Roma.

Mbretëreshë dhe vasale nuk janë fjalë që shkojnë bashkë, më shumë se kujtdo tjetër kjo situatë i rrinte ngushtë Teutës. Ajo bëri edhe përpjekjen e saj të fundit për të rifituar lirinë për vete dhe fisin e saj, por kushtet e mësipërme e bëjnë të qartë se kjo ishte veçse përpjekja e fundit e një shpirti e fisi të lirë për të mos jetuar nën zgjedhë.

Pak dihet për ditët e fundit të saj, por tradita thotë se u hodh nga maja e malit Orjen, duke dënuar kështu me vdekje robërinë e saj nën romakët pushtues.

Për mua, tradita është e vërtetë dhe gjen përkrahje në ngjarje të ngjashme të përsëritura nga shpirti dhe arsyetimi graror ilir e arbëror edhe më vonë në histori. Teuta ishte ajo që nuk pranonte kafaz, qoftë ky prej ari romak, para se Argjiroja e trime të tjera të binin dakord me të shekuj më vonë.

Robëria nuk është ilire, nuk është barbare, nuk është e natyrshme. Pa qenë nevoja për majë Orjeni, ilirët edhe sot mund ta rrokullisin tutje kafazin për ca të artë, për ca të ndryshkur të të jetuarit sipas rregullave që i kanë bërë të tjerë për ne. Gjithë ky qytetërim, gjithë kjo burokraci, gjithë ky beton e gjithë ky “art” nuk bëjnë për shpirtin e njeriut. Ndaj dhe të parët tanë u thoshin jo, pa e çarë kokën për fqinjë a për BE-në e kohës. Uroj të jetë e shpejtë dita kur secili a të paktën shumë prej nesh t’u thonë jo gjithashtu e të ndjekin jetën e thjeshtë pranë natyrës, me ligjin e natyrës dhe të Zotit që ata ende s’e njihnin plotësisht, me traditën dhe identitetin të përtërirë e të shijuar, e të ndjejnë kënaqësi kur thonë “Kjo është Shqipëria, këtu jetohet shqiptarçe!”.

P.s. emri "Teuta" mund të jetë më shumë titull sesa emër i përveçëm. Rrënja "teu/tau" nëpër Evropë - sidomos ndër popujt e bllokut verior (ku hyjnë edhe ilirët) - do të thotë "popull", "fis" dhe i referohet njerëzve të një gjaku. Emri "teuton" (gjermanët e hershëm) e ka origjinën pikërisht nga kjo rrënjë. Më duket tej mase tregues se si ishin po romakët që e quajnë Teutën Teutë dhe teutonët teutonë; janë i njëjti popull. (Në shqip do të thoshim "t'tanët", "t'tonët", pra "të tonët", por do flas më shumë në një tjetër artikull. Ardianët si fis, nga ana tjetër, mund të ketë kuptimin "të ardhur" (në latinisht është "ardiaei"). Kjo sepse, ndër fiset ilire, ata janë të vonshëm në kohë dhe nuk janë pjesë e gjashtë fiseve të vjetra. Për më tepër, duket se ata zbritën vrullshëm nga veriperëndimi i Ilirisë, me dyndje nga e njëjta zonë evropiane ku ishin  edhe... teutonët. Por do flasim prapë edhe për këtë ☺

P.p.s. Orjeni mund të ketë lidhje me ndonjë vend të shenjtë për ilirët e kohës, ndoshta si një vend i lidhur me Orët e Malit. Kjo do ta bënte zgjedhjen e Teutës për t'u vetëvrarë atje një lloj vdekjeje ceremoniale/rituale... ndoshta.


Një pjesë e vargmaleve Orjen.


Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.