Isuf Myzyri, malli për jetën e thjeshtë.

Usta Myzyri me orkestrën e tij.

I radhës në hierarkinë shoqërore është rapsodi, ai që i këndon e mban gjallë kujtesën dhe shpirtin unik kombëtar. I përzgjedhuri im nga kjo kategori kaq jetike e shoqërisë është i madhi Isuf Myzyri. Arsyeja pse po zgjedh (kësaj here) një rapsod jo tipik e jo eposesh është sepse ai i këndoi shpirtit shqiptar, atij të natyrshëm e pa sforcim “qytetar”, në kohën kur Shqipëria kalonte nga tradita e saj e mirëruajtur edhe ndër 500 vite errësirë otomane në “qytetarizimin” komunist, nga natyra dhe rehatia me të në rrëmujën qytetase dhe garën për “sukses”.

Usta Myzyri lindi në Elbasan më 8 mars 1881 në një familje të varfër, si shumë artistë nga ata të lindurit me dhuntinë. Vitet e rinisë së hershme nuk i kaloi në ndjekje të qëllimshme të talentit të tij, por duke siguruar jetesën si kopshtar, berber e çfarë pune t’i ofrohej. Mbrëmjeve pastaj mblidhej me shoqërinë për të kënduar këngët popullore qytetare të vendlindjes së tij, ku u dallua edhe për zërin e ëmbël dhe veshin muzikor.

Violinën e tij të famshme mësoi vetë ta luante dhe nisi kështu kompozimet e këngëve të tij të ëmbla, qetësuese dhe frymëzuese për jetën e thjeshtë, atë të bukurën, pranë natyrës, me njeriun e zemrës, me gëzimin e një të ardhmeje të bukur bashkë. Vetë jeta e tij nuk ishte edhe aq e ëmbël, e ndoshta kjo edhe e shtynte edhe më shumë te malli për këto gjëra që i mungonin. Në një histori që të kujton së largu martesën e Jakobit me Lean në Bibël, Usta Myzyri u detyrua në një martesë të gënjeshtërt prej të atit, jo me të dashurën e zemrës së tij, por me një vejushë më të madhe se ai në moshë. Kjo martesë do t’i sillte përfitime ekonomike të atit, por dhëndri vetë do ta merrte vesh mynxyrën në çastin që do t’i ngrinte vellon nga fytyra nuses së tij “të re”.

Në vitin 1905, ai krijon orkestrën e tij të përbërë nga bashkëdashës të tjerë të këngës dhe të bukurës. Bashkë ata interpretonin në sheshe, dasma, festa dhe kudo ku jeta e vërtetë njerëzore ndodhte e kishte nevojë për festim a shoqëri. Këngët e tij ishin të temave dashurore, historike, patriotike, natyrore dhe fetare (bektashi, në rastin e tij), pra ato gjëra që janë pjesë e drejtpërdrejtë e jetës njerëzore. Ndër më të njohurat spikasin “Ma mirë n’pyll se n’qytet”, “Kur hyna n’port’ t’kalasë”, “Në zabel të gjeta”, “Nji lulisht me trandafila”, dhe e shumëpreferuara ime “Errësirë e pyllit”. Mendohet se krijimtaria e tij përfshin rreth 90 pjesë muzikore e poetike, prej të cilave vetëm 21 njihen ende sot. Këngët thërrasin për shkëputje nga zhurma dhe shpejtësia marramendëse e jetës në qytet e drejt “pyllit” si simbol i natyrës së Shqipërisë së Mesme, në ndjekje të një jete më të qetë baritore “siç kemi zakon / bota na ka zili”.

Me interes për t’u veçuar është se një tjetër mjeshtëri e Usta Myzyrit ishte bërja e qelesheve, këtij simboli me kujtesë hyjnore të shqiptarëve. Gjithë orkestra e tij, sigurisht, nuk gjendej pa qeleshen krenar në kokë. Ngjanin si të qëndisura me qëllimta këto simbolika në figurën e Usta Myzyrit.

Ustai vdiq më 22 tetor 1956. Në jetë të tij, titulli i vetëm që iu dha ishte ai i “Urdhrit të Punës të Klasit të Dytë”. Pas vdekjes, iu dha titulli më se i merituar “Artist i Popullit” në vitin 1978, si dhe “Qytetar Nderi” i Elbasanit. Një përmendore në kujtim e nderim të tij gjendet edhe në sheshin 1 Maji të qytetit të tij të lindjes dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve të Elbasanit mban emrin e tij. Usta Myzyri ka edhe titullin “Dervish Nderi” nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane.

Frymëzimi im personal në figurën e tij: Së pari, sepse kërkon një shpirt shumë të pastër e mundime të mëdha të ruash dashurinë për të bukurën dhe përkushtimin ndaj festimit të saj edhe kur jeta jote nuk të buzëqesh aq shpesh. Gjithmonë është frymëzuese se si jetë jo shumë “të bekuara” apo “në bollëk” japin në fakt bekim e bollëk për shumë njerëz, në shumë breza. Së dyti, sepse tekstet e tij, në dukje aq naive apo “erotike”, janë aq të bukura dhe më pëlqejnë aq shumë. Ka diçka te muzika popullore të Shqipërisë së Mesme (muzikës së vërtetë, jo tallavasë së shpikur së vonshmi) që të thërret ta shohësh jetën shumë më thjesht nga ç’e mendojmë ne “të përparuarit”. Në të njëjtën frymë, Usta Myzyri thërret për jetën pranë natyrës, larg luftës për pushtet të politikanëve të radhës apo streseve të pafundme të qytetit për të jetuar si apo më mirë se fqinji; në kërkim të hijes e të pushimit me njeriun e zemrës dhe familjen, më shumë se në kërkim të diplomës a titullit të radhës; në ndjekje të jetës për të cilën është bërë njeriu e që i bën më mirë të gjithëve, në vend të heroizmave që, në këtë botë shumë pragmatike, të pafrymëzuar e në rënie gjithnjë e më të thelluar, nuk vlerësohen aq sa t’u sakrifikosh jetën a rininë. Nuk i këndon një jete pasive a të qullët, por një jete në begatinë e natyrës, me shpresë në përshpirtje të drejtë e që e drejtë nuk mund të jetë kurrë plotësisht pa shkëputje domethënëse të herëpashershme në gji të natyrës. Duket sikur e ndjente se, me epikën e re komuniste, shqiptarëve do t’u vidhej shpirti dhe mënyra e natyrshme e jetës, teksa fshati u bë i padëshirueshëm dhe një pjesë dërrmuese synonte të sahanlëpihej pa fund për një “vend në diell” në qytet, atje ku ajri mezi mjafton, ku njerëzit jetojnë përballë njëri-tjetrit por nuk njihen, ku mezi bëhet më shumë se një fëmijë, edhe pse të ardhurat tejkalojnë ato të fshatit të paktën nga tre-katër herë.

Së treti, dhe më personalja për mua, është se im atë këngët e tij i këndonte vazhdimisht, dhe bënte një jetë afër asaj që predikon Usta Myzyri. Përkushtuar gruas dhe familjes së tij, por me autoritet e dashuri burrërore, jo nga këto të shpeshtat nën thundër që shihen sot, ai mbetet frymëzim edhe për mua për si duhet të jetë një burrë dhe për cilit lloj burri i detyrohet respekt një grua. Ai i këndonte këto këngë teksa punonte në kopsht me pemët e hardhitë e tij të dashura, nëpër shtëpi me ndonjë projekt të vetin, apo për të na i përcjellë ne e për të na bërë të na mësohet veshi me shpirtin e Shqipërisë (së Mesme për ne) ashtu siç është prej vërteti. Intelektual nga ata të zemrës dhe mendjes së vërtetë, ai e pa shumë herë se nuk vlen investimi në ambiciozët për pushtet të radhës, as te fjalëmëdhenjtë që shtrohen në krye të sofrës dhe vjedhin vëmendjen e turmës së trullosur. Ai e dinte se pasuria e vërtetë e një njeriu të denjë është njeriu i vet i zemrës, familja dhe shtëpiza me të. Jam e sigurt se atij, ashtu si dhe mua çdo ditë e më shumë, ia dëshironte shpirti kthimin në atë “pyllin” origjinal të jetës së thjeshtë në mes natyrës, gjërave e njerëzve që vlejnë vërtet.

“Oh ne në pyll do t’rrojmë,

Unë edhe ti,
Siç kemi zakon,
Bota na ka zili.” - Nga kënga "Errësirë e pyllit"

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.