Mujo Ulqinaku nuk e ka vendin mes "dëshmorëve".

Mujo Ulqinaku në uniformën e detarit (1896 - 7 prill 1939)


Mujo Cakuli, të cilin ne sot e njohim si Mujo Ulqinaku sipas prejardhjes së tij nga qyteti i totemit të ujkut (Ulqini rrjedh nga rrënja “ujk”), lindi në Ulqin në 1896. Familja ishte me traditë të hershme në Ulqin, të regjur në mjeshtërinë dalluese të qytetit: detarinë. Rrjedhimisht, Mujo – që barte emrin e kryekreshnikut – do të përgatitej për jetën e detarit që në moshë shumë të njomë, duke ndjekur gjurmët e të atit siç e donte zakoni fisnik shqiptar i bijve që ecnin në gjurmët e etërve të denjë.

Ushtrinë e kreu si pjesë e marinës dhe, në vitin 1929, i bashkohet si profesionist marinës shqiptare, që asokohe ishte në fillesat e saj, me anije që numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Mujo patrullonte bregdetin me motoskafin “Tirana”, dhe nuk mund të mos mendoj për ndjesinë që duhet të ketë pasur në atë detyrë. Shqipëria ishte e lirë prej vetëm shtatëmbëdhjetë vitesh e tashmë kishte këtë flotë – modeste për standardet e çdo shteti – dhe ky burrë i ri kishte privilegjin të shërbente në të, aq më tepër si shqiptar i krahinave të vjedhura tokës mëmë.

Çdo komb ka disa epoka të arta, thuajse romantike, ndjesitë e plota të të cilave zor se mund t’i kuptojmë plotësisht sot.

Qëndrimi i Ulqinakut në lidhje me qeverinë e Zogut nën të cilën shërbente ishte i lëkundshëm, qëndrim ky i bashkëndarë me shumë patriotë të tjerë idealistë të kohës, të cilët dukej se prisnin shumë të tepër prej Shqipërisë së lirë nga çfarë premtonte realiteti i një vendi të sapodalë nga 500 vite otomanizëm e të mezipastruar prej otomanëve të brendshëm.

Për më tepër, Shqipërisë po i vardisej tashmë një pushtues i ri, kësaj here perëndimor, e që tashmë i kishte shtrirë tentakulat drejt tokave tona pa shpallur ende luftë. Më shumë se politikisht, kundërvënia ndaj Zogut dhe qasjes së tepruar të Italisë së kohës duket se kishte të bënte me drojën e humbjes së pavarësisë kombëtare-shtetërore sërish. Kundërshtimet e shprehura ndaj marrëdhënieve shqiptaro-italiane të kohës mendohet të kenë qenë arsyeja e lirimit të tij të përkohshëm nga detyra. Koha e papunësisë duket se shërbeu për forcimin edhe më shumë të qëndrimit anti-pushtues, por edhe e skalitën për ta parë situatën me sy më realistë.

Ulqinaku thirret sërish në shërbim në vitin 1933, por tashmë manovrat kanosëse italiane i kishte edhe më të qarta dhe nuk ngurronte të fliste kundër tyre me kolegë e miq, duke ua parapërgatitur mendjen për çfarë dyshonte se do t’i ndodhte Shqipërisë së shpejti. Deri në datën ogur të prillit 1939, ishte i angazhuar fuqishëm me rininë dhe njësi të tjera që demaskonin synimet e vërteta italiane ndaj Shqipërisë dhe pasivitetin a pafuqinë e mbretërisë shqiptare kundër tyre. Por, ndryshe nga si duan të na e veshin sot, Ulqinaku nuk kishte lidhje me strukturat huta komuniste që sa vinin e ngriheshin me fonde nga lindja e perëndimi njëlloj dhe me bindje ndaj urdhrit të Jugosllavisë që kishte përpirë edhe vendlindjen e tij. Kësaj do t’i kthehemi më pas.

Historia është e mirënjohur për të gjithë: më 7 prill 1939, Italia sulmoi Shqipërinë dhe e pushtoi. Dihet mirë edhe fakti (tejet i keqkuptuar, por kjo për një artikull tjetër) i braktisjes së vendit nga mbreti, i cili, duke ditur mirë se Shqipëria nuk do të mundej kurrë t’i bënte ballë Italisë, u sigurua të mbronte familjen e vet dhe arin. Sot ky veprim shihet si tradhti e lartë, pavarësisht detajeve që duhen marrë parasysh për kohën. Ky këndvështrim bëhet edhe më i kuptueshëm kur shqyrtojmë se braktisja e popullit tonë nga të parët në hall të vet nuk ndodhte për të parën herë, por ishte traumë e përsëritur: ashtu kishin ikur paria dhe aristokracia kur Kryetrimi vdiq, ashtu iku paria dhe aristokracia tani që ‘taliani po vinte me vaporë në portet tona të brishta. Si atëherë, edhe asaj here, populli i thjeshtë nuk kishte nga arratisej. Ari nuk dilte për të gjithë, as donin të gjithë t’ia mbathnin.

Ulqinaku dhe një grusht burrash që vijonin ende me parimin “ja vdekje, ja liri” zunë vend në kullën  e kalasë së Durrësit me një top, ca pushkë të prapambetura e fishekë që mjaftonin veç për dinjitetin personal e kombëtar të të mos rënit pre pa luftuar më parë. Kishte qenë 16 vjeç kur atdheu u çlirua prej anadollakëve dhe e mbante mend mirë shijen e lirisë; nuk do të bëhej vasal i një pushtuesi tjetër e më mirë vdiste.

Ishte e thënë që, atë ditë të shënuar, burri nga qyteti me totem ujkun do të përsëriste ujqërit e Lakonisë: 300 spartanët kundër hordhisë perse. Në përballje si këto dihet mirë fundi. Ajo që ka vlerë  më fort është nderi me të cilin do ta përballësh atë fund.

Ulqinaku dhe burrat dhanë jetën falas për çështjen e humbur të Shqipërisë, dhe Zoti u dha hirin të mos jetonin në ferrin tokësor që do të vinte pas luftës. Duket sikur, në kohët kur dheu gatitet të kalojë në mëkat të madh, bëhet një fli i madh e i pastër më parë. Abeli vdiq në duart e Kainit, dhe ky i fundit rroi dhe e shtoi mëkatin. Josif Budo në duart e komunistëve, dhe këta të fundit u shtuan pas të ashtuquajturës liri. Adem Jashari vdiq në duart e serbit, dhe Kosova sot është e nxirë nën flamurin e luftëtarëve për dhunimin e popujve të tjerë. Por Zoti është i mirë, dhe i kursen sytë e të drejtëve që të mos shohin sa keq iu shkelet gjaku prej atyre për të cilët vdiqën.

Mujo Ulqinaku nuk e ka vendin mes të degjeneruarve, vrasësve, të blerëve e të mashtruarve fotografitë e të cilëve valëviten këtë muaj në bulevardin e Tiranës. Nuk e ka vendin Mujo mes holokaustit të sajuar shqiptar. Nuk përket ai në të majtë të filosllavit Vasil Shanto me pamje fuksi, as në një rresht me sllavin Vojo Kushi që titullin “hero i kombit” e mori së pari nga Jugosllavia në 1945 (emri i vërtetë Vojo Kušić). Nuk përket as në një rresht me viktimën e vetë ideologjisë dhe grupit të tij komunist, Qemal Stafën. Mujo Ulqinaku ul luftoi për parti, as për humbje nderi e feje. Luftoi për atdheun e lirë që mezi e kishte pritur në rini të hershme e që nuk duronte ta shihte të pushtuar sërish. Vdiq njëri i lirë, para se Shqipëria të hynte në burg.

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.