Toka bën tok shqiptarët

Ari prej arës. Nuk janë më kot aq të ngjashme si fjalë. Por duhesh përulur para arës në do të marrëshar prej saj. Ar nuk është veç ai me të cilin blen gjëra.


Ishim bërë një popull i përçarë e lehtësisht i manipulueshëm; një popull që valëvit në të njëjtin bulevard portretin e heroit Mujo Ulqinaku dhe kriminelit Nuri Luçi; ku flija e parë e Shqipërisë parakomuniste nderohet njësoj sa ata që mbollën terror apo ata që u mashtruan keq në ato vite të errëta të Shqipërisë së Luftës.

Ishim bërë një popull që vetëm shaheshim, që vetëm përçmonim njëri-tjetrin nën idhullin Lindje, apo Perëndim, sipas prirjes dhe shitjes së gjithsecilit.

Ishim bërë një popull që kish harruar brumin e vet, një popull që mendonte se nuk kish shtyllë kurrizore.

Ishim bërë një popull që thanin këneta dhe ndërtonin mbi ato toka ku të parët e tyre kreshnikë afroheshin vetëm për flijime e nderim, e pastaj vijonin tutje në qetësi.

Ishim bërë popull që ndërtonin aty ku më parë në Shqipëri ndërtonte veç i huaji i babëzitur, se iliri e njihte mirë tokën e vet dhe e linte të qetë atë që ishte e paprekshme.

Ishim bërë një popull që harron se, në Durrës, ilir afrohej veç për flijime kuajsh për Rodonin, hyjin e deteve, sepse e dinte se këtë qytet ai hyj e kishte të vetin dhe se për njeriun ishte i paprekshëm. Ishim bërë si të ishim pasardhës të kolonit grek e pushtuesit romak, të vetmit që ngulmonin të ndërtonin e jetonin aty pa frikë.

Ishim bërë një popull që kish harruar se jemi të lashtë mijëra vjet, dhe se nuk na nis historia as tek otomani, as tek komunisti, as te patetizmi i demokracisë.

Ishim bërë një popull që kish harruar se kombin e përbëjnë veç dy gjëra: njerëzit e tij të një gjaku e gjuhe dhe dheu mbi të cilin janë vendosur të jetojnë. Gjithçka tjetër është fasadë.

Flijuam shumë Rozafa këto ditë të trishta, sepse kishim harruar se ndaj e kemi edhe mitin e Rozafës: se toka nuk të lë ta shkelësh kudo e si të duash pa kërkuar gjak si shpërblim.

Pranoftë shqiptari sot e tutje të rrojë më mirë në mal e i varfër se në kënetë e “i pasur”. U zgjoftë shqiptari që të mos shkojë më pas fjalës së pushteteve “mendjendritura” e moderne, por të njohë zërin mirëdashës të etërve të vet në udhëzimet që kanë lënë pas për ta. Dalloftë shqiptari gjithmonë atë që është vërtet shqiptare, vërtet e mirë, e mos pastë askush që është sot e s’është nesër më shumë pushtet mbi të se mijëra vitet që ka vetë mbi supe.

Toka ka mbetur e vetmja gjë shqiptare që s'ka ndërmend të harrojë kush është, të humbë krenarinë duke i ngjarë lindje-perëndimit e jo vetvetes, e të trajtohet pa dinjitet e nderim. Ishte dashur të tundej toka të bëheshin shqiptarët tok sërish. Mos harrofshim kurrë e u sjellshim edhe ne si bij të denjë të saj!

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.