Aubrey Herbert, anglezi i qytetëruar mes barbarëve të fundit të Evropës

Aubrey Herbert (3 prill 1880 – 26 shtator 1923)
Aubrey Herbert gjithë jetës vuajti nga shikimi shumë i dobët i syve, por sytë e shpirtit e të intelektit i qëndruan gjithmonë shumë të mprehtë.

Lindur në Hampshire në 3 prill 1880, Herberti shërbeu si deputet në parlamentin britanik nga 1911 deri në vdekjen e tij të parakohshme në 1923. Pikëpamjet e tij politike përshkruhen me fjalë që i bëjnë hije çdo njeriu me mend e zemër: konservator me mendime të pavarura. Në jetën e tij, ai ka shërbyer si ushtar, diplomat, udhëtar dhe oficer i inteligjencës britanike. Ishte njohës shumë i mirë i kulturave orientale dhe folës i shtatë gjuhëve të huaja, përfshirë shqipen.

Herbert ishte një mik, admirues dhe mbrojtës i paepur i çështjes shqiptare, në ato vite kur çështja shqiptare ishte shaka për Fuqitë e Mëdha. Atij iu ofrua tri herë posti i mbretit të Shqipërisë në formë zyrtare e jozyrtare, të cilin nuk e pranoi për arsye të ndryshme. Herberti dallon edhe si një prej mbështetësve më të fortë të pranimit ndërkombëtar të pavarësisë së Shqipërisë në Konferencës e Londrës në 1913, sado e cunguar gjeografikisht ishte ajo pavarësi. Isa Boletini ishte mik i shpeshtë në shtëpinë e tij.

Kishte shumë miq me të cilët ndante të njëjtën dashuri e respekt për Shqipërinë, përfshirë këtu Edith Durham-in. Megjithatë, ai që dallon më shumë nga ditarët e tij është një shërbëtor shqiptar që kishte gjatë qëndrimit në Ambasadën Britanike në Stamboll. Ky shqiptar i mirë quhej Qazim Kukeli, besnik zotërisë së tij për shumë vite, duke e shoqëruar në shërbim pa ankesa e plot dinjitet nëpër udhëtimet e tij në Ballkan e vende të tjera, e deri në Britani.

Zotërinjtë që e meritojnë këtë emër nuk e harrojnë një shërbim të tillë, ndaj një ditë Herberti e pyet shërbëtorin e tij Qazim se çfarë mund të bënte për t’ia shpërblyer besnikërinë. Asgjë për mua, i është përgjigjur Qazimi, veç fol mirë për Shqipërinë kur të të jepet rasti. Rasti iu dha shumë herë, dhe shumë herë Herberti foli mirë për Shqipërinë e shërbëtorit të tij.

Nuk di më shumë për këta dy burra të mirë, por shpresoj shumë të kenë qenë të tillë që, ditën e vdekjes së Herbert-it më 26 shtator 1923 dhe vdekjes së Qazim Kukelit një ditë që nuk e di, Zoti të ketë thënë “"Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla; Unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e Zotit tënd.”

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.