Maratonomaku që luftoi luftën e mirë, përfundoi vrapimin, ruajti besimin dhe shpalli gëzimin



"Dromeas", ose Vrapuesi, statujë e Costas Varotsos, Athinë. Bërë nga copa qelqi, vendosja e të cilave, e parë nga afër, të ndjell ta përjetosh edhe vetë si duhet ta ketë prerë era vrapuesin e sfilitur.

Më 12 shtator të vitit të largët 490 para Krishtit, Athina fiton betejën kundër hordhive perse.

Maratonomaku Fidipid, që rendi pa ndalim për t'u çuar lajmin e fitores popullit, është për ne sot burim frymëzimi legjendar, thuajse mbinjeri në përkushtimin dhe sakrificën e tij ekstreme. Çfarë përbën edhe më shumë frymëzim për mua është se ai vetë zor se e ka menduar ndonjëherë madhështinë që do t'i vishnim ne sot. Ai e dinte se kjo ishte detyra e tij - të lajmëronte kombin e vet për fitoren e korrur, pasi kishte luftuar edhe vetë për atë fitore - dhe e bëri. Vrapoi aq fort, sië ishte detyra e tij, dhe vdiq me nder. Vallë vërtet të mos e ketë ditur ky vrapues profesionist se çfarë do t'i ndodhte në fund të atij rendi marrafrymës?

"Fituam!", thirri, dhe plasi përdhe. Luftën e mirë e kishte luftuar, e kishte përfunduar vrapimin, e kishte ruajtur besimin... e kishte shpallur gëzimin.

Po ju lë më mirë me vargjet e ndritura të Nolit dhe pamjen e statujës së qelqtë të Maratonomakut në Athinën e sotme, të dyja nderuese për këtë vrapues që mundi erën.

******************************************************************************************************************
"Rent or Marathonomak"
"Rent, or rent, rent e u thuaj
Se u çthur ordi e huaj,
Se betejën e fituam
Dhe qytetin e shpëtuam!
Rent, or rent,
Rent, or Marathonomak!


Kap një degë prej dafine
Dhe vërtitesh ndaj Athine,
Nëpër fush' e breg mi breg
Këmba tokën as t'a prek,
Hip' e zbrit,
Petrit, Marathonomak!


Ke një plagë, po s'e the,
Djers' e gjak pikon për-dhè;
Do që ti të jesh i pari,
Për triumfin lajmëtari
Flamur-gjak,
Kuqo, Marathonomak!


T'u tha gryka, po s'të pihet,
T'u mpi këmba, po s'të rrihet,
Se mileti po të pret,
Ankthi zëmrat ua vret,
Vrer e tmerr,
Shpejt, or Marathonomak!


Kurrë kaqë s'dogji djelli
Dhe si plumb s'rëndovi qjelli,
Kurr' aq ëmbël' e bukur s'ftoj
Hij' e lisit edhe kroj;
Turru tej,
Tutje, or Marathonomak!


Vapa mbyt e pluhri nxin
Ferra çjerr e guri grin
Afsha gjoksin përvëlon
Syrin avulli verbon;
Ur' e prush,
Furr', or Marathonomak!


Gryka si gjyryk të çfryn
Prej Vullkani flag' e tym
Se ç'vëngon e se ç'gulçon,
Zëmra brinjët t'i çkallmon
Me tokmak,
Mbahu, or Marathonomak!


Nëna, motra, nusja dalin,
Ngrehin krahët të të ndalin,
Mos, se s'janë veç Najada
Magjistrica dhe Driada;
Lark, or lark,
Lark, or Marathonomak!


Hajde, ja Akropolia,
Ja qyteti e njerëzia
Që të pan' e që të çquan
Dhe fuqinë t'a rishtuan
Ha dhe pak,
Hajde, or Marathonomak!


Ja, arrive, ua the:
Ç'gas e ç'helm qe kjo myzhde!
"E fituam!", brohorite
Dhe për tok' u përpëlite;
Vdiq, or vdiq!
Vdiqe, or Marathonomak!


Rent kudo, dyke bërtitur,
Nëpër shekuj faqe-ndritur,
Se i vogli shtrin viganin
Dhe i shtypuri tiranin,
Veç e tok,
Tok, or Marathonomak!"

Statuja e Fidipidit në rrugën e Maratonës sot.

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.