Mirëvetia, ose barbari vetëmohues

Goca kavajase të qytetëruara.

Pjesa e mëposhtme është nga vepra e rilindasit Jani Vreto, “Mirëvetia” (sa fjalë të bukura ka shqipja!). Duket në to dëshira e madhe e rilindasit për ta bërë gati bashkëpatriotin e tij për kohën kur kombi do të përfaqësohej në tryezën ndërkombëtare si shtet i pavarur pas 500 vitesh errësire minaresh.

E megjithatë, mua do të më kishte pëlqyer aq shumë të kishim ruajtur më me fanatizëm ca “egërsi” e “barbarizma” si ato që Vreto përmend këtu. Rafinimi është gjë e mirë dhe u shton estetikën njerëzve, por jo detyrimisht bukurinë, e me sa duket, ky qenka problem i kahershëm i çdo rilindjeje (këtë i bëri Evropës edhe Rilindja e viteve 1500: “çlirimin” nga “errësira” mesjetare... e pastaj dekadencën në estetikë të pafund që zbriste gjithnjë e më thellë në errësirën e shpirtit njerëzor për ta vulosur atë si normalitet me ardhjen e iluminizmit).

Për shembull, mua më ka marrë malli aq shumë për kohën kur nëndaja na ulte të hanim atë paçamurin e varfër a ndonjëherë delikatesën trahana me kushërinjtë në hasër (një lloj tapeti i thurur me kallama që në Kavajën tradicionale përdorej për të shtruar vaktin e për të ngrënë përdhé). Ose për ato çastet e lavdishme kur nëndaja hapte sepetin (sëndukun për ju të gjuhës letrare) dhe më jepte ndonjë copëz bukëfike a fruta të tjera të thara, që atëherë gjendeshin me pakicë dhe ende përbënin delikatesë (kur më jepte më pak seç doja, unë isha respektuese së jashtmi, por së brendshmi i thosha “sa shtrigë që je!” ). As na shkonte në mendje rafinimi artificial dhe ishim të gëzueshëm mjaftueshëm në bollëkun e varfërisë dhe gjërave me pakicë. Tani dimë shumë rregulla dhe i kemi shtuar vetes shumë mundësi për t’u trishtuar.

Por Jani Vreto prapë ka të drejtë me rregullat që jep. Ato vërtet të bëjnë më të zbutur e të qytetëruar:

***********************************************

“Mënyrat që përdor njeriu për të rrojtur me njerëzit thuhet të sjellë, dhe mënyra e pëlqyer, të sjellë e mirë, e papëlqyer të sjellë e keqe.

Njeriu, që sillet mirë, quhet i zbutur e i qytetëruar, ai që sillet keq, quhet i egër e barbar.

Të sjellët e njeriut shikohet ndë këto punë: ndë të pastruar, ndë të ecur e ndë të qëndruar, ndë të ndenjur, ndë të vajtur vizita, ndë të pritur e të përcjellë, ndë marrëdhëniet me miq e me shokë, ndë të ngrënë.

Të pastruarit: Të pastruarit është tri farësh: të trupit, të rrobave dhe të vendit... Të pastruarit e trupit për dy punë të nevojshme, për të ruajtur shëndetin dhe për të mos ardhur të ndohtë njerëzve me të cilët takohemi.

Të ecurit e të qëndruarit. Në të ecur e në të qëndruar, që të jemi të hijshëm, duhet kryet e tërë trupin ta mbajmë drejt.

Të ecurit është mirë ta mësojmë sa të mundim të shpejtë, veçse kur është shtrëngim pune që nuk pret, as duke u hedhur, as duke përpjekur këmbët përdhé a duke i hequr zvarrë, as duke përkundur duart, as duke tundur e lëkundur trupin, as duke ngritur një sup dhe tjetrin duke e ulur, as duke kthyer kryet tej e këtej, as duke hedhur sytë me vëmendje të madhe mbi njerëz e gjëra ta huaja, as me duar prapa lidhur që dëfton madhështi, as duke qëndruar e duke u habitur, as duke shtrembëruar udhës, as si hu duke mos vënë re kush na vjen përpara, e pas, po drejt si e do veti edhe duke shikuar ku shkelim, që të mos pengohemi a të baltosemi, edhe duke vënë re kush e kush vjen pas.

Kur piqemi me miq e njerëz të njohur, ndë janë shokët tanë a më të vegjël, të kujdesemi t’i përshëndesim me të ulur të kryes më parë; ndë na përshëndesin ata, menjëherë t’ua kthejmë me të ulur të kryes. Ndë janë të mëdhenj, të qëndrojmë, të shkojmë, edhe, ndë na përshëndetshin, t’ua kthejmë me nder pas zakonit, të mos i përshëndetim ne të parët, se duket se sikur i bëjmë a u bëhemi shokë.

Kur ecin dy veta bashkë shoqërisht, i vogli të madhit t’i lërë anën më të mirë të udhës.

Të ngrënët... Të mos mbllaçitemi m fort duke përpjekur buzët e duke rrufitur gjellët e lëngshme, po sa të mundim lehtë e pa u dëgjuar.

Kurdo që të rrimë të hamë, të kaptojmë mirë kafshatën e të fshijmë më parë buzët, pa të pijmë, që të mos lyhet qelqi; edhe të mos pijmë rrëmbyrazi e të na dalë nga hundët; as shumë sa të dehemi, po sa na vjen ndë shëndet.”

(Fotoja më lart është nga studio Marubi dhe tregon dy vajza kavajase të viteve 1900 duke pirë kafe. Kafeja më e mirë, e po ashtu edhe boza dhe akullorja, bëhet në Kavajë! Sado që nuk i kam qejf hiç këto tumanet, ato kanë një gjë tej mase të mirë: të detyrojnë të ruash linjat e trupit me patjetër. Nuk ka shanse të dukesh bukur në to si këto dy gocat nëse nuk e ke shtatin si selvi )

Jani Vreto, 1822-1900

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.