Kur Zoti u kthye dhe e shikoi Pjetrin


"Pjetri mohon Krishtin", nga Carl Heinrich Bloch (1834 – 1890)

“31 Edhe Zoti tha: “Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar t`ju shoshë ashtu siç shoshet gruri.

32 Por Unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu.”.

33 Por ai tha: “Zot, unë jam gati të shkoj bashkë me Ty edhe në burg edhe në vdekje.”.

34 Por Jezusi tha: “Pjetër, Unë të them se sot gjeli nuk do të këndojë, para se ti të kesh mohuar tri herë se më njeh.”.

54 Mbasi e kapën, e çuan dhe e shtinë në shtëpinë e kryepriftit. Dhe Pjetri e ndiqte nga larg.

55 Kur ata ndezën një zjarr në mes të oborrit dhe u ulën rreth tij, Pjetri u ul midis tyre.

56 Një shërbëtore e pa ulur pranë zjarrit, e shikoi me vëmendje dhe tha: “Edhe ky ishte me Të.”.

57 Por ai e mohoi duke thënë: “O grua, nuk e njoh.”.

58 Pak më vonë e pa një tjetër dhe tha: “Edhe ti je nga ata.”. Por Pjetri tha: “O njeri, nuk jam.”.

59 Mbasi kaloi rreth një orë, një tjetër pohoi me këmbëngulje duke thënë: “Në të vërtetë edhe ky ishte bashkë me Të, sepse është galileas.”.

60 Por Pjetri tha: “O njeri, s’di ç’po thua.”. Dhe menjëherë, ndërsa ai ende po fliste, këndoi gjeli.

61 Dhe Zoti u kthye, dhe e shikoi Pjetrin. Dhe Pjetrit iu kujtua fjala që i kishte thënë Zoti: “Para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë.”.

62 Atëherë Pjetri doli përjashta dhe qau me hidhërim.”

Ungjilli sipas Lukës 22:31-34, 54-62

Çasti kur Njeriu i Dhembjeve hedh sytë mbi apostullin, mikun e Tij mohues, për mua ka gjithmonë efektin e këputjes së gjunjëve. Këtu u thye një rebel i lëkundshëm dhe lindi një burrë me këmbët në shkëmb. Një mësim ose inkurajim tjetër që mund të merret prej kësaj pjese është se sa i madh është Perëndia dhe hiri i Tij edhe në dështimin tonë më të madh. Mendoj se më vonë në jetë Pjetri i ka qenë falënderues Perëndisë që “e la” të kalonte këtë situatë e të përballej me dobësinë e tij në gjithë plotësinë e saj. Jo njeriu që, me zbulesën e Perëndisë, diti të thërriste: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë!”, por njeriu që, me papërsosmërinë e tij, diti të mohonte Zotin e tij, me pas diti edhe të kthente të lëkundshmin Gjon Mark në Mark Ungjilltarin, duke e marrë pranë tij kur nuk ishte i denjë për besimin e askujt e duke e veshur me hirin rimëkëmbës që i përngjiste hirit me të cilin ishte veshur më parë ai vetë. Situatat e ndërgjegjësimit për mangësitë tona njerëzore janë dhurata të çmuara prej së larti, edhe pse mbështjellja e tyre nuk është shkëlqyese si dhuratat e fitores dhe suksesit. Askush nuk do të dinte të shfaqte hir nëse nuk do t’i ishte shfaqur më parë, dhe adhurimi me kurorat e hequra nga koka është më i shtrenjti.

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.