Kadareja në Lurë flet për gjakmarrjen

Pamje nga Lura
“Kullat ngrihen në të gjitha drejtimet. Herë përballë njëra-tjetrës, herë të vetmuara fare.

Kulla dhe frëngjitë e saj. Drama e gurtë e jetës së malësorit. Mbi ato frëngji ka shtirë ai që ndodhej përjashta, nga ato frëngji është mbrojtur ai që ndodhej brenda. Dhe të dy ndodheshin mbi të njëjtën tokë, mbi tokën amëtare.

Tani frëngjitë heshtin. Krismat gjakmarrëse po zhyten dalëngadalë në harresë. Ato nuk janë fshehur në ndërgjegje që të shpërthejnë një ditë përsëri; ato po shkulen një herë e përgjithmonë nga zemra e malësorit tonë. Asnjë forcë nuk mund ta shkulte nga ndërgjegjja e malësorit gjakmarrjen. As ligjet, as arti, as përpjekjet e intelektualëve të ndershëm. U desh një tërmet i madh si Lufta Nacionalçlirimtare për të shkundur këtë zakon të tmerrshëm.

Ndonjë fshatar i Lurës na tregon, jo pa njëfarë krenarie të lehtë, se në krahinën e tyre gjakmarrja kishte qenë më e butë, se ata, sidoqoftë, kishin vendosur disa rregulla, të cilat i respektonin me rreptësi. Kështu, p.sh. në Lurë ishte e ndaluar që t’i prishje gjakësit kafen e mëngjesit (d.m.th. të qëlloje me pushkë në kullën e tij, kur ai pinte kafen). Ishte e ndaluar, gjithashtu, të qëlloje në katin e kullës ku ishin gratë. Në qoftë se ndodhte kjo, atëherë një komision nga fshati e hetonte çështjen dhe shkelësit e rregullave dënoheshin rëndë. Kishte edhe rregulla të tjera. Të gjitha këto tregojnë se arsyeja e shëndoshë popullore, jeta mundohej ta luftonte këtë vetasgjësim. Mundohej, por më kot. Qëllonte që përbindëshi i gjakmarrjes, qetësohej, për ca kohë, ose më mirë dukej sikur qetësohej, sepse, papritur, një mëngjes ai sulej edhe më me tërbim, që të bënte kërdinë mbi jetën njerëzore. Derisa lodhej dhe prapë strukej që të shpërthente një ditë prapë, dhe kështu vazhdonte kjo histori.”

A është gjakmarrja vërtet aq e përgjakshme?

Pjesa e mëposhtme është rasti i radhës me të cilin unë nuk bie dakord me Kadarenë. Përtej talentit të tij ndoshta të pamohueshëm në të shkruar, interpretimi që ai i bën miteve dhe traditave tona është shpeshherë i pasaktë në më të mirën dhe i turpshëm ose gjynahqar në më realisten, si në rastin e mitit të Kostandinit dhe Doruntinës, dhe gjakmarrjes në pjesën e mëposhtme. Gjakmarrja është ana tjetër, e pashmangshme e një kulture që jetonte me besën si kodi i jetës, e rregulluar kjo në përditshmëri nga Kanuni i përcjellë prej më të vjetërve. Kur vepronte në këtë mënyrë, gjakmarrja ishte e rregulluar dhe jo aq makabre apo e shpeshtë sa na shitet sot. Me hyrjen e tërmetit shtet në mënyrë përdhunuese në jetën dhe frymën fisnore të shqiptarëve me diktaturën, populli u zhburrërua në mijëra kuptime (çarmatimi ishte një prej tyre) dhe shteti i dha vetes fuqi që as Kanuni, as Leka e as Skënderbeu vetë nuk kishin guxuar të uzurponin. Ai lloj shteti shkeli dhunshëm me këmbë atë strukturë të çmuar me anë të së cilës Shqipëria e veriut kishte jetuar, bashkëjetuar në bashkësi e shkuar në qindra luftëra të përbashkëta, duke e kthyer në një karikaturë me poshtërimin e së cilës shteti mund të mburrej. Shteti guxoi të merrte me vete përparësinë e të qenët subjekti që garanton besën, duke e kthyer atë nga një ligj njerëzor pa nevojën për t’u hedhur në letër në ligj të thatë e veprues pa kokëçarje për traditën. Është për të qeshur hidhur se si parashikimi i Kadaresë se gjakmarrja u çrrënjos e nuk do të kthehej më kurrë mes malësorëve dështoi tërësisht, pasi ajo që shteti theu ishte pikërisht besa dhe Kanuni në vijimësinë dhe evolucionin e tyre të natyrshëm e, për pasojë, shkaktimin e kthimit të gjakmarrjes si karikaturë e asaj që kishte qenë dikur pas rrëzimit të pashmangshëm të një shteti si ai. Sot zor se mban mend dikush se gjakësit nuk i prishej kafeja e mëngjesit, nuk i vritej gruaja e të tjera si këto me të cilat malësori verior mburret ndërkohë që malësori jugor (Kadareja nga Gjirokastra) e sheh si një lloj egërsire fisnike. Një artikull më të gjatë për këtë uroj ta përfundoj në ditët në vijim.

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.