Sheh Adem Roda, partizani 90-vjeçar

Sheh Adem Roda me çetën e Ishmit.
Sheh Adem Roda (Santa Klausi mjekërbardhë në foto), me titull prijës i lartë në sektin Bektash Rifa’i, lindi në Ishëm të Durrësit në vitin 1852. Patriot me taban, si shumë bektashinj shqiptarë, në vitet 1900-1901 ai bëri përpjekje për hapjen e një shkolle shqipe në fshatin e tij. Kjo shkollë do të mund të hapej vetëm në 1913 nga Mësues Sulejman Mzalla; sigurisht Turqia nuk do t’i hiqte lehtë kthetrat e saj nga tokat më të begata të Shqipërisë.

Gjatë viteve 1905-1911, Sheh Adem Roda ishte luftëtar aktiv në kryengritjet e armatosur kundër turqve, shpirt luftarak që nuk do t’i zbehej as në moshë shumë të thyer. Ai ishte edhe një nga organizatorët e besëlidhjes kundër Turgut Pashës në Shëngjergj e Shupal. Në vitin 1908, njihet me Ded Gjo Lulin, prej të cilit mori edhe materiale për arsim në shqip që ta përdorte për ndriçimin e Ishmit. Ndër bashkëpunëtorët e tij të tjerë numërohen Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Dom Nikollë Kaçorri, Themistokli Gërmenji, etj. Gjatë vitit të bekuar të Pavarësisë, Sheh Ademi ishte pjesë aktive e garnizoneve kundër-turke në vendlindjen e tij.

Shehu ka një medalje të Kryqit të Argjendtë akorduar nga perandori austriak në 1917 gjatë Luftës së Parë Botërore për kontributin e tij në shpëtimin e jetës së tre aviatorëve austriakë.

Si çdo intelektual e shpirtflaktë, edhe ai kishte dobësitë e veta. Në vitet 1920, emri i Sheh Ademit shihet mes kundërshtarëve të Mbretit Zog (asokohe president) dhe pjesëmarrësve në Revolucionin e Qershorit. Kur vendi pushtohet nga italianët në fillim të Luftës së Dytë Botërorë, ai del partizan, një tjetër lëvizje e debatueshme e një patrioti që nuk e dinte çfarë pritej pas-1945. Në këtë kohë ai ishte 90 vjeç, gjë që më bën të mendoj për të si një tjetër geg alla-Mbreti-Bardhyl, tashmë në kohët moderne. Ndikimi i tij përmes shembullit personal dhe fjalës me autoritet bëri që çetës së Ishmit t’i bashkoheshin rreth 178 persona, ndërkohë që e gjithë zona ishte e përfshirë në një mënyrë a një tjetër. Vetëm nga familja e tij, ishin në shërbim të luftës gjashtë persona të tre brezave të ndryshëm. Vdiq në teqenë e tij në Ishëm në vitin 1963, ndërsa tyrbja iu ndërtua në vitin 1995.

Njerëz si Shehu dhe patriotizmi i pastër si i tiji janë për t’u vlerësuar në mënyrë të veçantë, mbi të gjitha kur mendon se vijnë nga një krahinë të cilën turku e masakroi me otomanizim. Të kesh ruajtur shqiptarizmin në kushte si këto është burrëri që konkurron ashpër me çdo malësi, veri a jug.

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.