Vatani, fjala indoevropiane në vatër të shqipes

Tri Nornat nordike, simotrat e Orëve shqiptare të Malit: E vjetra (plaka), e mesjma (nëna), e vogla (vasha).

Teksa hulumtoja se nga vallë vjen fjalë “vatan”, disa gjetje më çuan te një fjalë “turke” e përdorur edhe si titull i një reviste patriotike shqiptare dikur. Më trishtoi, sepse mendova se ishte një tjetër huazim i yni prej një gjuhe që s’ka kurrkund të bëjë me tonën. Fjala gjendej më pas edhe nëpër gjuhët arabike, me përshtatjet e veta, si dhe me parashtesën tipike arabike “al-”. (“Al-Watan” do të thotë vendlindje, por edhe komb në arabisht, por edhe në persisht. Vë dorën në zjarr se janë arabët që kanë marrë nga persët kulturë, jo persët nga arabët. Në gjuhën hindi, “vatan/watan” do të thotë edhe toka që ke në pronësi.)

Por krenaria nuk po më linte të qetë (jo çdo krenari është për rrënim) dhe vijova të kërkoja më tej. Zbulova se në fakt fjala mund të ketë vjetërsinë e saj më të madhe në gjuhën hindi dhe ndonjë tjetër dialekt të zonës së Indisë. Siç dihet, kjo gjuhë është indoevropiane, i njëjti grupim gjuhësor ku hyn edhe shqipja jonë. Në një pikë të caktuar në të shkuarën, gjuhët e sotme (proto-) indoevropiane (si pellazgjishtja dhe pasardhësja e saj ilirishtja dhe e sotmja e tyre shqipja) kanë dalë nga i njëjti burim.

Ky burim nuk është i njëjti me atë të gjuhëve arabike, semite, afrikane, etj. Mund të hasen ngjashmëri në disa fjalë, si përkatësja e “vatan” për gjuhët arabike, por kjo ka qenë me shumë mundësi për shkak të udhëtimeve të arabëve gjatë ekspeditave dhe kalifateve të tyre dhe huazimit të shumë fjalëve dhe koncepteve të gjuhëve të popujve të uzurpuar prej tyre në kohë (arabët kanë udhëtuar drejt Indisë e anasjellas prej shumë shekujsh, jo vetëm pas lindjes së islamit). Kjo dukuri nuk është e re, as e çuditshme, sepse, edhe pse shpeshherë ka ndodhur që popujt e pushtuar të marrin gjuhët e pushtuesve (vendet evropiane që flasin gjuhë me prejardhje nga latinishtja, të tilla si Franca, Spanja, Rumania, etj., vendet ballkanase që nuk flasin më ilirishte e trakishte, por gjuhë sllave, si Kroacia, Sllovenia, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, etj.), ka ndodhur edhe që popujt pushtues të marrin fjalë e koncepte të popujve e zonave të pushtuara e t’i përshtatin në gjuhën e tyre. Greqishtja e vjetër është me shumë gjasa imitim dhe përshtatje e pellazgjishtes/ilirishtes së Epirit. Shumë fjalë në latinisht kanë prejardhje ose gjejnë kuptimin e tyre të plotë në ilirishten/shqipen. Turqishtja gjithashtu ka marrë pa dyshim shumë fjalë tonat e përshtatur asaj, ashtu si edhe ne kemi marrë prej tyre e çdo pushtuesi tjetër.

Shqipja e ka ruajtur fjalën “vatan” si më të vjetrën e saj referuar vendit ku kemi lindur, jemi rritur e jetojmë. Në gjuhën hindi, ende sot fjala përkthehet “mëmëdhe”. Popujt antikë indoevropianë kishin së hershmi perëndesha femra në qendër të përshpirtjes së tyre, duke personifikuar në to tokën dhe bujarinë e saj. Hyjnitë femra janë të mirëruajtura në psikikën dhe përshpirtjen shqiptare në mitin/kultin e Zanës, Orëve të Malit, të Bukurës së Dheut a Detit, etj.. Më pas, kulti nisi të përqendrohej rreth Zeusit, atit të madh. Kjo mund të qenë edhe pika kur vatanit, mëmëdheut, të parët tanë nisin t’i thoshin “atdhe”, pra kalimi i origjinës nga nëna tek ati, njësoj si nga linja e tamblit te linja e gjakut (dyzim ky kurrë i çrrënjosur plotësisht në kulturën shqiptare, i ruajtur me fanatizëm e ndoshta me vetëdije gjithnjë në venitje për traditat tona të lashta, për si ishim dikur, si dëshmi e sa të vjetër jemi mbi këto troje).

Nga ana kuptimore dhe nga ana e përshpirtjes së lashtë pagane, fjala “vatan” ose e barasvlershmja e saj e sotme “mëmëdhe” mund të thuhet se ka më shumë kuptim e saktësi konceptuale sesa “atdhe”. Secila prej fjalëve, i referohet tokës nga ku fisi e kombi ynë vijnë, nga i kemi rrënjët, dheu që na bëri. Toka, dheu nuk mund të jetë veçse femërore, mjeti me anë të së cilës Hyji (të cilit drejtësisht i referohemi me “Ai”) na brumosi, na “ngjizi” e na solli në ekzistencë (sipas rrëfimit biblik të krijimit dhe sipas pjesës dërrmuese të miteve). Pra, themi Ati qiellor, Ati Perëndi (mashkullore) dhe Nëna Natyrë a Nëna Tokë (femërore). Pa të parin, asgjë nuk u krijua, pa të dytën asgjëje nuk iu dha trajtë. Njësoj si nuk mund të ketë qenie njerëzore të plotë pa atë e nënë, ashtu nuk mund të ketë njeri të plotë pa Atin qiellor e Nënën tokësore.

Fjala “vatan” ruan në vetvete edhe një bashkim unik të mashkullores e femërores që mund te jetë temë studimi të gjerë. Shqipja ruan edhe fjalën tjetër të lashtë indoevropiane “vatër”, e cila, sipas gjuhëtarëve, është rrënja për fjalën “atë” në shumë gjuhë evropiane (origjina e saj nuk është ekskluzive shqiptare, por e ndarë me popujt gjermanikë e nordikë si shumë mite e koncepte të tjera tonat / tjetër temë madhore studimi). Sipas folkloristëve, vatra ishte vendi ku ruhej hiri i paraardhësve pas kryerjes së ceremonisë mortore tipike evropiane e djegies së të ndjerëve (varrimi i njerëzve është i vonshëm në Evropë). Për pasojë, zjarri në të nuk mund të shuhej kurrë e duhej ruajtur ndezur me kujdes e nderim. Roma më vonë formoi rreth kësaj kultin e Vestës (fjala e tyre për vatrën) të mbrojtur me dekret shtetëror, të ngjashëm në funksion e nderim me Vatikanin sot. Kulti është i bashkëndarë me gjithë popujt/fiset autoktone evropiane, por shqiptarët e kanë ruajtur deri shumë, shumë më vonë se të tjerët për arsye të ndryshme, ku fanatizmi për traditat tona mbetet ndër më dalluesit dhe të vyerit që kemi.

Kryehyji gjerman quhet Wotan, që lexohet “Votan”. Ngjashmëria me fjalën vatan është e pangatërrueshme, si edhe kuptimi që merr fjala nën këtë emër: Wotan-i simbolizonte për gjermanikët tërësinë e fisit/komb të bashkuar në një kryezot, i cili kishte edhe funksionin e ruajtjes së trashëgimisë, kujtesës dhe nderimit të gjithë atyre që kishin qenë më parë, atyre që kishin lindur e vdekur nga i njëjti fis/komb, në të njëjtin dhe.

Si çdo gjë e mbiinstitucionalizuar, e mbirregulluar zyrtarisht dhe e mbivendosur më kot mbi një shoqëri ku përzierja racore e kombëtare e bëri të pavlerë çdo diskutim për nderim etërish e mëmash të kombit, edhe kulti i Vestës apo i Vatrës ra kudo nëpër Evropë dhe nuk mbeti veçse kujtimi romantik i epokave klasike. Ndodhi me të ajo që duket se po ndodh edhe me Kishën (e çdo tradite a denominacioni) në perëndim, e cila, duke mos pasur, duke mos dashur e duke mos promovuar më një përbashkësi e identitet të fortë fisnor/kombëtar të pjesëtarëve të saj, duket se po bëhet edhe ajo kujtim (jo shumë romantik, fatkeqësisht) në historinë e këtyre trevave.

Shqipëria e ruan ende (në rënie) kultin e Vatrës, sepse fanatizmi ynë për t’u identifikuar si shqiptarë, si “dora jonë” dhe jo si një “shumë barqesh” ishte dhe mbetet virtyt i kujtdo që dëshiron ta praktikojë. Kishat shqiptare (me përjashtim të herahershëm, fatkeqësisht, të asaj ortodokse në disa kohë, por tërësisht të shëlbyer nga atdhetarët e shumtë që ka nxjerrë) kanë qenë gjithmonë dallueshëm shqiptare, pa kundërvënie Kanunit apo shqiptarizmës (kishat e reja pas-1990 nuk mund të mburren shumë për këtë). Nëse mbeten të tilla, sado të pakta të jenë në numra pjesëtarësh hë për hë, nuk do të bëhen kujtim për brezat që do rriten në këtë vatan, në vatrat shqiptare, por e vërtetë e përditshme që shoqëron të jetuarin e tyre ne dheun e vet.

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.