Ded Gjo Luli, ose barbari si fisniku i vërtetë evropian

Ded Gjo Luli (1840 - 1915) - Burri i fortë është edhe burrë i mirëmbajtur.

24 shtator 1915: Ded Gjo Luli vritet në Orosh të Mirditës nga forcat serbo-malazeze.

Atdhetar me pushkë në dorë e patron i shkrim e këndimit shqip, pra atdhetar i sojit më të mirë, Ded Gjo Luli lindi në 1840 në malësitë e mbi Shkodrës. Ai u bë pjesë e qëndresës së armatosur të Lidhjes së Prizrenit në 1878 për mbrojtjen e krahinave gege të Hotit dhe Grudës, të cilat traktati i Shën Stefanit ia shkëputi Shqipërisë në nder të Malit të Zi. Pavarësisht ç’emër shenjtorësh mbartin, traktatet e vendimet e mëkatshme mbi Shqipërinë nuk shëlbohen.

Në 1911, Ded Gjo Luli u bë nismëtar i kryengritjes për çlirimin e Malësisë nga pushtimi turk, kryengritje kjo që ndezi shkëndijën e përpjekjeve për pavarësi kombëtare në zemrën e Luigj Gurakuqit, Isa Boletinit dhe Ismail Qemalit, trinia gege-kosovare-labe (çamët me Marko Boçarin e kishin bërë gjithashtu të ndjerë praninë e tyre si pjesë e kombit) që i bën nur vendit.

Kryengritja që Ded Gjo Luli nisi bëri që flamuri kombëtar të ngrihej në majë të Deçiqit për herë të parë ndër troje shqiptare që prej 442 vitesh errësire turke, për t'u ndjekur më pas nga përpjekjet vijuese për liri.

Ishte e thënë që koburja e tij të mos vihej në këllëf në pleqëri të tij, sepse tokat arbërore kërkonin sërish t’u dilte dikush zot, kur Londër-zeza i copëtoi si mes hienash në 1913. Ded Gjo Luli, tashmë në moshë të thyer, vazhdon me thirrjen e jetës së tij si luftëtar në mbrojtje të tokave që moti shqiptare dhe përpjekjeve për bashkim kombëtar.

I zunë pritë hienat serbo-malazeze, se në luftë s’ia dilnin dot, dhe e vranë në 1915 bacën 75 vjeçar. Të birin, Kolën, do t’ia vrisnin siç u ka edhe më hije: me helm. Lista e martirëve për atdhe nga ky fis i ndritur vijon gjatë.

Në 1923, më përpjekjet e të bijës, Nares, dhe nuses së djalit, Norës, sillen në Shkodër eshtrat e Ded Gjo Lulit prej Oroshit dhe të Kolës prej Vlorës. Varrimi i tyre në vendpushimin e përhershëm u bë mes një morie të stërmadhe njerëzish që merrnin pjesë për të nderuar plakun e mirë dhe djalin e tij trim.

“Bashkohemi me evari në nderimet që Shkodra po i kushton kujtimit të Ded Gjo Lulit, tue krye detyrën e mirënjohtësisë ndaj Fatosit të Pavdekshëm që nga ma të parët ngrehi flamurin e lirisë se Atdheut mbi krepat e përgjakun të Malcisë së Madhe”, shkruante Tirana zyrtare në atë rast. Me evari e kujtojmë dhe e nderojmë edhe ne sot. Ka pas do burra kjo Shqypni.

************
“Dedë Gjo’ Luli, ‘i shpatë e gjallë,
Shtremon ksulen, del në shkallë,
Bedri Pashës po i çon aj fjalë:
Mirë nenshtrasha, or’ Bedri Pasha!
Amanet jam tue t’ a lânë,
Ket fjalë Mbretit me m’ i a thânë:
Se me sodjet, êmni i Zotit!
Shka jem’ nipash s’ Gjergj Kastriotit
E Shqyptarë qi i thomë na vedit,
Mâ duvâ nuk i bâjm Mbretit.
E as s’ e njofim mâ per Mbret.” 

– nga “Lahuta e Malcisë” e At Gjergj Fishtës

Comments

Popular posts from this blog

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.