Për në Iliri, Epir e Dardani i bihet nga Shqipëria e Mesme.

"Fëmija Pirro i paraqitet Glaukut", nga Nicolas René le Jeune Jollain

Fisi i Taulantëve, ndër më të mëdhenjtë e Ilirisë bashkë me Dardanët, shtrihej përgjatë gjithë hambarit shqiptar: nga pjesa mbi Durrës, vija bregdetare e Adriatikut e deri thellë në Elbasanin e sotëm e më tej. Ky fis dhe kjo tokë ishin bërë për njëri-tjetrin: pjelloria bujare e tokës me fisnikërinë bujare e babaxhane të Taulantëve.

Mendohet se fjala “taulant” ka ngjashmëri fonetike dhe etimologjike me fjalën “dallëndyshe”. Në fakt, shumica e fiseve iliro-pellazge (si edhe të tjera fise evropiane) kanë emra që burojnë nga gjallesa të ndryshme natyrore, qofshin këto shtazore apo bimore. Kafsha apo bima (në ca raste edhe dukuria natyrore) sipas së cilës emërtohej fisi konsiderohej më pas si totemi i tij, një lloj simboli për karakterin, prirjet dhe mënyrën e jetesës së fiseve të veçanta. Dallëndyshja është shpend që migron në jug kur moti në veri ftohet. Shqipëria, veçanërisht  perëndimi dhe jugu i saj, është si të thuash jug i Evropës, ndaj edhe prania e dallëndysheve në këto zona është aq e madhe gjatë pranverës e verës, sidomos pranë bregdetit. Taulantët ishin fis kryesisht verior, por, me gjasa, kanë migruar në këto treva që prej fillimeve të lëvizjeve ilire drejt Ballkanit, duke u vendosur më pas në atë që sot quhet Shqipëria e Mesme. Rrënja “tau”, siç e kemi sot, është rrënjë e gjendur edhe mes figurave e fiseve pellazge ndër më të hershmet që na kanë mbetur ende sot, por edhe gjerësisht nëpër Evropën qendrore e lindore. Prej kësaj rrënje, formohet fjala “teuton”, që do të thotë “popull”, “fis”, “të tanët”. Rrënjë të ngjashme e me kuptim të njëjtë gjen deri në Lituani e më tej. Deutschland, emri gjerman për Gjermaninë, formohet pikërisht prej kësaj rrënje: toka e teutëve/teutonëve, toka e popullit, ose toka jonë. Taulant mund të nënkuptojë ndoshta edhe “në tokë tonën”, “autokton”.

Siç ka qenë ndër shekuj vendtakimi e vendpajtimi i popullit, nëndaja Shqipëri e Mesme, asokohe Taulantia, ishte vendstrehimi dhe përkrahja e sigurt e gegut dhe labit njëlloj mes fiseve iliro-pellazge nga të dyja anët e Shkumbinit. Mbreti i mirë Glauk shkoi në përkrahje të Dardanëve me mijëra ushtarë kur këta iu kundërvunë sundimit të Aleksandrit të Madh. Ca vite më parë, ati i Aleksandrit, Filipi II, kishte arritur të mundte mbretin Bardhyl në betejën e Liqenit, duke i bërë Dardanët vasalët e vet dhe ndër luftëtarët e tij më të mirë. Por sundimi dhe të ndenjurit shtrënguar nuk i shkon shumë gegut (ilirëve në tërësi në fakt), siç tregohet edhe nga fakti se pas çdo dy-tri vallesh ne të Shqipërisë së Mesme duhet patjetër të ndahemi e të vazhdojmë me napolonin që të marrim pak frymë individualisht. E thellë, e di!

Kështu pra, në 335 para Krishtit, Dardanët ngritën krye të udhëhequr nga djali i Bardhylit, Kliti. Kur dëgjoi se djali i mikut (vëllamit?) të tij Bardhyl ishte në rrezik, Glauku i shkoi në ndihmë me mijëra ushtarë për t’u përballur me Aleksandrin në betejën e Pelionit, duke marrë me vete edhe trupa nga fisi i Autariatëve. Këto janë ndër përleshjet e para serioze të djaloshit Aleksandër teksa bënte të palëkundshme pozitën e tij si mbreti i padiskutueshëm dhe shumë i dashur i maqedonasve (jo “grekëve”). Kujtoj këtu se ati i Glaukut, Pleurati ishte përballur rreth 10 vite më parë, në 344 p.K., me Filipin II, ku ky i fundit edhe u plagos. Ndoshta ky është episodi ku Filipi mbeti në mënyrë të famshme me një sy të vetëm.

Beteja po shkonte shumë mirë për aleancën pan-Gege, derisa bënë disa gabime të kahershme tonat: i morën gjërat për të mirëqena njëlloj sa bujarinë e tokës nga vinin, një tjetër dëshmi se sa shumë ndikon në natyrën dhe karakterin e kombeve mjedisi ku rriten. Pas një fitoreje të mirë, ata u shtruan të pushonin e të kalonin darkën në një livadh që u pëlqeu, pa u shkuar mendja se do të kishte qenë mirë të vinin gardhe mbrojtëse dhe roje natën përreth kampit. Aleksandri, me arsim grek, nuk e la t’i ikte kjo mundësi e artë dhe e sulmoi kampin në mes të natës, ndërkohë që ilirët e Gegërisë flinin. Fitorja e Aleksandrit ishte e pamohueshme, duke sjellë si dhuratë dominimin e tij përfundimtar mbi rajonin dhe gatitjen për helenizimin kulturor të gjysmës së botës si masë paraprake për përhapjen e Ungjillit tre shekuj më pas. Unë besoj fort se roli i dhënë së larti ilirëve në këtë periudhë historike ishte pikërisht mbajtja urtë e Maqedonisë deri në ardhjen e Aleksandrit dhe të shërbyerit për mprehjen përfundimtare të aftësive të tij ushtarake para pushtimit të botës. Ai vetë ishte gjysmë-ilir, fundja.

Pas mposhtjes së aleancës gege, Aleksandri u kthye nga djepi iliro-fenikas në Ballkan për ta shtypur përfundimisht. E kam fjalën për qytetin e Tebës, atje ku vetë emri tregon se lindi mallkimi i besës së thyer që asnjë shqiptar i vërtetë nuk e do mbi krye. E gjitha është në rrënjën e fjalës (Theba/theva) por kjo është temë për një ese tjetër.

Gjithsesi, tipari im i preferuar nga Glauku është se ai mund të quhet lehtë “Mbrojtësi i Princave të Rinj”, “Bashkuesi i Ilirisë”. Aleksandri vetë mendohet të ketë ndenjur ca kohë në oborrin e tij kur ishte djalë i vogël, teksa shoqëronte nënën e tij Olimpinë nëpër Epir e Iliri. Dardani Klit qartë ishte i mbrojturi i tij. Pirro i Labërisë u rrit në oborrin e Glaukut dhe u kthye në të drejtën e tij si mbret i Molosëve nga Glauku dhe Taulantët e tij. Plutarku thotë se pasuesi i Aleksandrit si sundimtar mbi Maqedoninë, Kasandri, luftoi kundër Molosëve të Pirros dhe i mundi. Por, Pirron ende foshnje arritën ta çonin shëndoshë e mirë në oborrin e Glaukut për t’i kërkuar ta mbronte. Foshnjën e vunë përtokë tek këmbët e Glaukut dhe mbretëreshës së tij, Beroeas, që këta të bënin si të donin me fëmijën: ta mbanin e ta mbronin si fëmijën e tyre, apo t’ua jepnin maqedonasve duke lidhur kështu paqe me ta. Jo se Glauku kishte mendime të dyfishta për zgjedhjen e tij, por edhe Pirro ishte tepër i lezetshëm për t’u refuzuar, një lab strateg i vërtetë! Thuhet se ai nisi të ecte këmbë e duar dhe u kacavor te rrobat e Glaukut dhe qëndroi më këmbë duke u mbajtur te gjunjët e tij. Mbreti qeshi me zemër e si babaxhan dhe ia dha foshnjën Beroeas, dhe as deshi kurrë t’ia dinte për paqen me Kasandrin maqedonas.

Përveçse episod që të ngroh zemrën, mund të dalloni këtu një dok tepër të bukur që është përdorur më pas në shekuj në traditën gege të gjakmarrjes: ai që kërkon falje, vendos foshnjën mashkull para hasmit të tij, duke i dhënë këtij të drejtën të falë a të hakmerret. Si shumë fëmijë që mund të ishin vrarë nëse hasmi do të kishte zgjedhur ashtu, edhe Pirros mund të mos i ishte ndierë kurrë emri në histori nëse Glauku do të kishte zgjedhur ndryshe. Gjithashtu, duket se traditat e Gegërisë i kanë origjinat më të hershme nga Shqipëria e Mesme e janë mbartur pastaj në Malësitë tona me tërheqjen e një pjese të popullsisë atje gjatë pushtimeve e mësymjeve të ndryshme të huaja, sidomos pas pushtimit romak.

Pirro u martua (ndër të tjera) me stërmbesën e mbretit Bardhyl, Bircenën, gjë që me shumë mundësi i kushtoi divorcin me Lanasën siciliane, e cila nuk mund të duronte që Pirro të parapëlqente më shumë gratë e tij “barbare”, siç i quante ajo. Ç’të thuash? Pasi ke parë gocat gege, nuk ka më kthim pas!

Martesat ndër të para gego-labe, pra ndërshqiptare, të paktën në nivel pushteti, janë bërë nga Taulantët, dhe vetë bashkëshortja e Glaukut ishte Molose. Me siguri, mbreti i mençur e dinte se një gjak ishin Iliria dhe Epiri dhe i bëri bashkë. Ai e dinte gjithashtu se një gjak janë Iliria, Epiri dhe Dardania, ndaj i bëri bashkë edhe ato, duke qenë se me shumë mundësi ai ishte shkesi i Pirros dhe Bircenës. Asokohe, si sot, martesat nënkuptonin bashkim, njësim dhe ndarje burimesh. A nuk do të ishte e drejtë të mendohet se identiteti i përbashkët shqiptar nisi së pari në Shqipërinë e Mesme të lashtësisë dhe vazhdoi më tej në gjithë historinë tonë? Ç’është më e bukura, këtë lloj bashkimi e kemi bërë vazhdimisht, pa ndërprerje, me shumë mikpritje e bujari për çdo fis shqiptar, pa luftuar kurrë përkatësitë e forta fisnore që na kanë dalluar aq bukur gjithmonë. Unitet në gjak e gjuhë, jo në shtetndërtim. Me këtë të dytin, ne shqiptarët nuk jemi përfaqësuar ndonjëherë, jo brenda trevave tona të paktën. Ne jemi popull fisnor, jo shtetar, krenarisht kështu, dhe shteti veç na ka kushtuar rëndë. Roli ynë historik në çështje shteti është ai i gjembit në mish ose i provës së zjarrit për perandoritë me putra hekuri e gojë gllabëruese.

Përfundimi i gjithë kësaj është i qartë dhe natyror, ai që thotë edhe perria e Kavajës, Parashqevi Simaku: Jarinaninani, e duje Lalën e! Lala, në këtë rast, është Shqipëria e Mesme.

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.