Pas Tetit Olimpia, pas Olimpisë Hankoja - nënat epirote dhe djemtë e tyre tragjikë

“Ali Pasha i Janinës”, nga Seymour Stokes Kirkup (1788–1880)

Jo të gjitha nënat janë si Vojsava Kastrioti... dhe asnjë nuk mund të jetë si ajo pa një Gjon Kastrioti në krye të shtëpisë. As janë gjithë nënat Ajkuna, sepse jo gjithë etërit janë Muji.

Figura e nënës si një lloj priftëreshe e shenjtë dhe e pafyeshme e familjes ka qenë gjithmonë e padiskutueshme në kulturën shqiptare, në veri a jug të Shkumbinit qoftë. I njëjti popull i vendosur në këto dy krahina e nderon njësoj nënën, betohet shenjtërisht për të e mund të hyjë në sherre të përgjakshme nëse emri apo personi i nënës (dhe motrës) çnderohet me fjalë a vepra.

Por në Epir, që prej lashtësisë së hershme, figura e nënës ka një rol tejet të pushtetshëm në drejtimin e rrjedhës së jetës, vendimet dhe karakterin e fëmijës së tyre. Kjo bie veçanërisht në sy në fëmijët djem, aq më tepër ata që historia na i ka ndarë veçmas si të papërsëritshëm. Ati i Akilit, Peleu, e mposhti dhe e fitoi nereidën e nimfën detare Teti (bashkimi gjenetik i pellazgëve me ilirët, ku Peleu përfaqëson pellazgët vendas dhe Teti ilirët veriorë të ardhur në ato treva nga deti. Martesa e Peleut me Tetin është në fakt motiv madhor i artit evropian, saç ishte edhe lindje e një race/farefisnie unike në këtë kontinent. Akili, që është i barasvlershmi i mbinjeriut të lashtësisë, është pikërisht bir i tyre.). Por ishte Teti, jo Peleu, që e rriti Akilin siç e gjykonte ajo më drejt, sipas ligjeve e dokeve të vendit, duke e pagëzuar së pari në lumin Shtog (simbol i paraardhësve, dhe temë për një artikull të tërë më vete) e duke ia dorëzuar centaurit (kalorësit) Keront kur fëmija mbushi shtatë vjeç, sipas traditës evropiane.

Shekuj më pas, Aleksandri i Madh, i së njëjtës prejardhje si heroi i tij Akil, tha  një herë, i acaruar nga trysnia e papushimtë që e ëma Olimpia ushtronte mbi të: “Sa e lartë qiraja e nëntë muajve!”. Duket se “mallkimi” aleksandrin ka ndikuar në komshiun e tij të shekujve më pas, Ali Pashë Tepelena. Por Aleksandri kishte bekimin e madh që nuk u rrit vetëm nga e ëma. Ati i tij Filipi, me gjithë “barbarizmin” dhe parregullsitë e tij, ka ndikuar po aq tek Aleksandri, në mos më shumë. Të mos ishte Filipi... oh, i mjeri Aleksandër në duar të Olimpisë! Rezultati ishte që Leka nuk ishte tiran, pra, më burrë se Pashai. Por meritat e përgjithshme të Pashait janë për diskutim në një rast tjetër.

Çështja është se një baba që mungon e, sa ishte, s’ka punuar mirë me të birin, një nënë që i jetëson ambiciet e saj përmes birit, dhe një bir me natyrë të egër janë recetë për rrënim të madh pas ngritjes më lart nga ç’duhet. Pashai thotë në një pikë më poshtë se i është falënderues nënës që e bëri burrë. Ky është mashtrim! Asnjë nënë e vetme – apo me bashkëshort të dobët a moskokëçarës – nuk mund të rrisë burra, jo prej vërteti, jo pa pasur një figurë të fortë atërore përqark.

Pjesa më poshtë është nga një artikull gazete për të. Fjalitë e para janë citim i fjalëve të vetë Pashait siç janë regjistruar në një libër për të, nga një bisedë me një konsull francez për vizitë në sarajet e tij.

************

“Unë i detyrohem shumë asaj, - i pati thënë ai njëherë konsullit francez, Pukëvilit, - për shumë gjëra nënës sime, sepse pas vdekjes së babait ne nuk trashëguam asgjë më tepër, veçse pak streme tokë dhe disa kafshë. Edhe sot më djeg malli të dëgjoj këshillat e saj. Ajo dy herë sakrifikoi për fatin e jetës sime; së pari që më bëri burrë dhe së dyti që më bëri vezir. Imagjinata e saj zbulonte para meje sekretet që do t’i kishte e ardhmja ime. Asokohe Tepelena nuk përfaqësonte asgjë për mua, veçse thjesht vendin ku pata lindur, prej nga unë duhet të lëshohesha në sulme mbi gjahun, që tanimë ishte konturuar në idetë e mia. Nuk ëndërroja dhe as mendoja për gjë tjetër, veçse për barut, pasuri, pallate dhe, me një fjalë, për ato që me kalimin e kohës i realizova dhe ato që synoj të realizoj, sepse në pikën ku kam arritur, dalloj se nuk është maja e llogarive të mia.”

Kokën në Stamboll, e more
E trupin në Janinë,
Të shtrinë Ali Pasha, more,
E o Pasha të shtrinë.

Por jo ngaqë një varr i vetëm s’ta nxë dot lavdinë. Ti nuk ishe Gjergji. As yt atë nuk ishte Gjoni. As i ngjante ndopak nëna jote Vojsavës. Më vjen keq për Pashain. Mund të kishte qenë vërtet i madh, mund ta kishte bërë vërtet të madhe Shqipërinë... ose të paktën mund të kishte qenë i lumtur. Unë prapë se prapë i kam pikë të dobët figura të tilla tragjike.

Comments

Popular posts from this blog

"Vasha e bukur dhe trimi i ushtrisë së Skënderbeut", treguar prej Mitrush Kutelit

"Afër detit, afër mbretit.". Glauku, mbreti që rriste mbretër.

Ramë Habili, Lala që s'e kapte plumbi.